Sporti

Kampionët bien në fortesën e tyre, Partizani “zgjohet” nga kriza, fiton 2-1

Java e 11 e Kategorisë Superiore është mbyllur me një rezultat surprizë në atë që ishte kryendeshja e kësaj jave e që u zhvillua në “Zeqir Ymeri”, ku kampionët në fuqi të Kukësit janë mposhtur me përmbysje rezultati nga Partizani i Sulejman Starovës.

Edhe pse kaluan të parët në avantazh, shumë shpejt madje pas vetëm 8 minutash lojë, falë 11-metërshit të kthyer në gol nga Guri, verilindorët e trajnerit Milinkoviç nuk kanë kënaqur tifozët e pranishëm, teksa panë që gjithçka t’u përmbysej brenda 45-minutëshit të parë.

Për Partizanin barazoi shifrat Bardhi në minutën e 21-të, ndërsa një minutë nga vërshëllima e gjyqtarit për t’i çuar ekipet në dhomat e zhveshjes, Progni kaloi në avantazh “të kuqtë”.

Në pjesën e dytë, pavarësisht përpjekjeve të shumta të kuksianëve për të barazuar rezultatin, porta e Alban Hoxhës mbeti e paprekur, duke i dhënë kështu mundësinë Sulejman Starovës të nisë ringritjen e “demave të kuq”, pas një periudhe krize të pasuar që nga drejtimi i ish-teknikut italian Mark Iuliano.

Pas kësaj sfide, Kukësi qëndron në vendin e tretë të klasifikimit me një pikë më pak sesa Flamurtari dhe 8 pikë larg kryesuesve të Skënderbeut, ndërsa Partizani merr 3 pikë të vyera, teksa pozicionohet në vendin e 6 me 14 pikë, po aq sa Teuta e vendit të 7.

Në ndeshjen tjetër, Luftëtari barazoi 1-1 me Laçin, edhe pse gjirokastritët shënuan brenda dy minutave të para të takimit me anë të Abazajt. Gjoni në minutën e 89 u prish festën vendasve. Gjirokastritët mbesin në kuotën e 9 pikëve, duke u shkëputur nga dyshja e gjendur të zonën e ftohtë të renditjes, Vllaznia e Lushnja, me 6 dhe 5 pikë respektivisht, por që kanë një ndeshje më shumë mes tyre për të rikuperuar, ndërsa Laçi ngjitet në kuotën e 15 pikëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button