Home / Rajoni / Maqedonia / Hahn, në Shkup: Gjuha shqipe, jo prioritet për në BE

Hahn, në Shkup: Gjuha shqipe, jo prioritet për në BE

Ligjin për gjuhët, Johannes Hahn e konsideron një kërkesë tejet të arsyeshme, por Komisioneri europian i Zgjerimit e bëri të qartë në Shkup se, ai nuk është pjesë e prioriteteve të Brukselit në kërkesat e tyre ndaj Maqedonisë, për avancimin e vendit drejt Bashkimit Europian. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev, zyrtari i lartë europian e bëri të qartë se, autoritetet maqedonase duhet të përcaktojnë tani sferat prioritare, për të cilat llogaritet të fitojnë vlerësime pozitive nga Brukseli.

E rëndësishme për Hahn është që qeveria të fokusohet te ligjet dhe kriteret e nevojshme për të siguruar një rekomandim pozitiv. “Nëse çështja e gjuhës mund të zgjidhet në kushte të tilla, atëherë në rregull, – sqaroi komisioneri. – Por nëse duhen përcaktuar prioritetet, kjo duhet bërë sipas interesave kombëtare”.

Hahn nis sot në kryeqytetin maqedonas fushatën e re “Besojmë në ty, investojmë te ty, BE për ty”, e cila ka të bëjë me 3 sektorët mbështetës: punësim, arsim dhe gjithpërfshirje sociale, të financuara nga “IPA”, programi operativ për burime njerëzore 2007-2013.

Komisioneri për Zgjerimin mbërriti në Shkup vetëm pak ditë pasi priti në Bruksel zëvendëskryeministrin maqedonas, Bujar Osmani, dhe ministrin e Jashtëm, Nikola Dimitrov. Qeveria e Zaevit shpreson që me marrjen e drejtimit të Bashkimit Europian nga Bullgaria, në janar të vitit 2018, Maqedonia do të mund të hapë procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Leave a Reply

%d bloggers like this: