Home / Politika / Fondi i Ballkanit Perëndimor (WBF) prezantoi në Tiranë thirrjen e parë për propozime të projekteve rajonale

Fondi i Ballkanit Perëndimor (WBF) prezantoi në Tiranë thirrjen e parë për propozime të projekteve rajonale

Pas Tiranës, Fondi do të vijojë me prezantime në Shkup, Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë dhe Beograd.

Fondi i Ballkanit Perëndimor (WBF) prezantoi sot në Tiranë thirrjen e parë për propozime të projekteve rajonale, ku në këtë aktivitet ishin të pranishm më shumë se 100 drejtues të organizatave të shoqërisë civile, si edhe ambasadorë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, grupit të Vishegradit dhe vendeve të Bashkimit Evropian..

Aktiviteti u përshëndet nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili e nisi fjalën e tij me një falënderim për vendet e Vishegradit për ndihmën e paçmueshme që kanë dhënë në gjithë këtë proces, ambasadorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, vende me të cilat ne kemi bashkëpunuar për krijimin e kësaj nisme dhe këtij fondi. “Do të doja që të nxisja drejtuesit e fondit, sekretariatin, i cili ka në përbërje ekspertë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për një bashkëpunim më të ngushtë me një tjetër nismë rajonale, RYCO (Qendra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor) një tjetër iniciativë që grupon gjithashtu vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila duhet të konsiderohet si një nismë komplementare qoftë për sa i përket projekteve, edhe për sa i përket atyre që do mund të përfitojnë nga këto projekte.” – nënvizoi Ministri Bushati.

Ky ishte prezantimi i parë me anë të së cilit Fondi i Ballkanit Perëndimor informoi shoqërinë civile dhe organizatat jo-fitimprurëse në Shqipëri, lidhur me thirrjen e Fondit për të propozuar projekte që do të mund të lidhin së bashku organizata nga vendet e Ballkanit Perëndimor në fushat e bashkëpunimit kulturor, shkëmbimet edukative dhe shkencore dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në vijim të prezantimit të Tiranës, Fondi do të vijojë me prezantime në Shkup, Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë dhe Beograd.

Fondi i Ballkanit Perëndimor është një organizatë ndërqeveritare e themeluar nga Palët Kontraktuese (grupi i WB6 : Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia).  Kjo është organizata e parë rajonale me seli në Tiranë. Qëllimi i projekteve është promovimi i vlerave të përbashkëta mes qytetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve në rajon, duke forcuar bashkëpunimin dhe kontaktet mes njerëzve në Ballkanin Perëndimor.​

Leave a Reply

%d bloggers like this: