Home / Rajoni / Maqedonia / Zaev: Integrimi evropian çështje mbi të cilën Maqedonia dhe Serbia punojnë së bashku

Zaev: Integrimi evropian çështje mbi të cilën Maqedonia dhe Serbia punojnë së bashku

I pyetur nëse Maqedonia do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Zaev tha se Maqedonia respekton dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe beson se zgjidhja do të gjendet së shpejti.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev sot në Beograd deklaroi se Serbia dhe Maqedonia kanë marrëdhënie në nivel të lartë dhe se eurointegrimet janë prioritet për të dyja vendet dhe një çështje mbi të cilën së bashku mund të punojnë, raporton Anadolu Agency (AA).

I pyetur nëse Maqedonia do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Zaev tha se Maqedonia respekton dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe beson se zgjidhja do të gjendet së shpejti.

“Kjo është me rëndësi për Serbinë dhe perspektivën e saj evropiane, por besoni se kjo është me rëndësi edhe për perspektivën evropiane të mbarë rajonit”, tha Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministren serbe Ana Brnabiç.

Në pyetjen për Kosovën, por edhe për disa fërkime diplomatike gjatë muajve të fundit, Brnabiç dhe Zaev theksuan se vendet kanë marrëdhënie miqësore dhe në mënyrë të vazhdueshme janë në lidhje për të zgjidhur çështjet e hapura.

Zaev vlerësoi se bashkëpunimi ekonomik në mënyrë konstante është i mirë, ku importi dhe eksporti i të dyja vendeve është në rritje, ndërsa Serbia është partneri i tretë tregtar i Maqedonisë ku shkëmbimi tregtar në vitin 2016 arriti në 723 milionë dollarë.

Kur është fjala për bashkëpunimin rajonal, Zaev tha se Maqedonia do ta mbështesë “interesin serb” dhe në këtë mënyrë do të mbështesë përpjekjet e Serbisë që të jetë selia e komunitetit transportues të Evropës Juglindore, ndërsa Brnabiç tha se Maqedoninë do ta mbështesë për çdo aktivitet që dëshiron të organizojë, të tilla si IT dhe samitin dixhital në Shkup vitin e ardhshëm.

Brnabiç në konferencë tha se është dakorduar që seanca e përbashkët e dy qeverive të mbahet në fund të muajit shkurt ose në fillim të muajit mars të vitit 2018.

Ajo tha se vizita e kryeministrit të Maqedonisë është e rëndësishme dhe sinjal i mirë për projekte të mëtejshme, mes të cilave përmendi edhe lidhjen e dy vendeve, përfundimin e pjesës jugore të Korridorit 10, mundësinë e ndërtimit të interkoneksionit të gazit Vranjë-Kumanovë dhe ndërtimin e hekurudhës Budapest-Beograd-Shkup.

“Është me rëndësi që sot kemi këtë vizitë, është sinjal i mirë për të gjitha projektet tona të mëtejshme, sinjal i mirë që flet se të gjitha çështjet e hapura duhet t’i zgjidhim me dialog”, tha Brnabiç.

Ajo shtoi se takimi është një rast i mirë për lidhje shtesë ekonomike dhe tregtare dhe për një bashkëpunim më të madh të punës së dy drejtorive doganore.

Brnabiç lavdëroi edhe bashkëpunimin e ministrive të Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Maqedonisë në parandalimin e migracionit ilegal.

Zaev tha se Serbia është fqinj me të cilën maqedonasit kanë marrëdhëniet më të mira personale dhe e përjetojnë si një popull shumë miqësor.

“Duhet të ndjekim interesat e qytetarëve tanë dhe të hapim bashkëpunimin mbi këto çështje”, tha Zaev.

Leave a Reply

%d bloggers like this: