Home / Arte / Film / Një tjetër lamtumirë për “Donika Kastriotin”

Një tjetër lamtumirë për “Donika Kastriotin”

besaimami“Lumturia në jetën e njeriut është kalimtare. Ajo vjen një çast dhe pas një çasti ikën përsëri”. Besa Imami shprehej kështu në një intervistë, në vitin 2008, në prag të 80-vjetorit të lindjes. Vitet nuk kishin humbur shijen për jetën, tek aktorja, e cila besonte se e nesërmja është gjithnjë më e mirë. Një nga personazhet më të njohura të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Besa Imami, mbylli sytë përgjithmonë dje në moshën 86-vjeçare. Ikja e saj është një humbje për artin në vend. Dje kinematografia shqiptare humbi Donikën, gruan dinjitoze të heroit tonë kombëtar, që Besa Imami, e mishëroi aq bukur te filmi “Skënderbeu” në vitin 1953. Ishte vetëm 25 vjeç kur iu besua ky rol. I pari film artistik bashkëpunim shqiptaro-sovjetik. Përkrah një kaste të mirë aktorësh, që sot nuk janë më, si Kadri Roshi, Naim Frashëri, Marie Logoreci, apo Akaki Khorava (në rolin e Skënderbeut), interpretimi i Besës do të spikaste me ëmbëlsinë që i dha rolit. Me këtë rol, Besa firmosi dhe suksesin e saj në kinematografi, duke u bërë e paharrueshme për publikun. Pakkush mund ta harrojë Donikën…Gruan e veshur me pëlhura të bardha që kërkonte t’i sillte paqe të shoqit, teksa ai përpiqet të organizonte Lidhjen e Lezhës, dhe përballej me tradhtinë e Hamzait. Ajo e ringjalli Donikën, këtë personazh kaq të dashur të historisë sonë, duke i dhënë një imazh që nuk do të harrohet asnjëherë. Me një pasion të lindur për skenën, Besa Imami e kishte aktoren brenda saj. Teatri qe një tjetër dashuri e Besës, të cilës iu përkushtua gjatë gjithë jetës. E gjatë,  elegante dhe e mençur, ajo thirrej me të drejtë nga Gjon Karma si “flutura e teatrit”. Me përkushtim ndaj roleve ajo do të spikaste nga një rol në tjetrin si Nevi te drama “Rrënjët e thella”, kontesha Diana te komedia “Qeni i kopshtarit” e Lope de Vegës, Tatiana te drama “Mikroborgjezët” e Maksim Gorkit, Oksana te “Fundosja e skuadrës” e Kostandin Simonovit, Vi te drama “Orfeu zbret ne ferr” e Tenesi Williams, Nënën te dramatizimi i “Lumit të vdekur” me regji të Drita Agollit, Liria te dama “Rajmonda” e Artur Zhejit, e shumë të tjera…

E lindur në Gjakovë më 8 gusht të vitit 1928, Besa do të mbetej jetime në moshën 7-vjeçare. Humbja e nënës do të linte gjurmë në kujtesën e saj. “Nënën e kam pasur dhe e kam idhull. Unë kam mbetur jetime në moshën 7 vjeçe dhe ime më ka bërë sakrifica të mëdha për të na rritur. Kam pasur një fëmijëri të vështirë, sepse unë jam kosovare dhe për t’i shpëtuar dhunës së serbit kemi ardhur për të jetuar në Shqipëri. Babai na la të vegjël dhe gjendja ekonomike e jona ka qenë shumë e rëndë. Kam qenë shumë e lidhur me motrat dhe vëllezërit dhe nëna ka qenë shtylla kryesore e gjithë familjes sonë”, shprehej ajo në një intervistë të vitit 2008. Në vitin 1937 familja e saj u shpërngul në Tiranë. Që prej shtatorit të vitit 1946 e deri në 1 shtator të vitit 1988, ajo i ka dhënë publikut rreth 100 role: rolin e Mbretëreshës Teuta tek “Artani” e Selman Vaqarrit; rolin e Nënë Zyrasë te “Bashkë me agimin” e Bashkim Kozelit; rolin e Prendës te “Cuca e Maleve” e Kolë Jakovës; rolin e Klara Gaberit te “Procesi i Lajpcigut-Gjergj Dimitrovi”; rolin e Rushës te “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës; rolin e Lajes te “Lulet e Shegës”; rolin e Nënës te “Monserati”; rolin e Gjinervës te “Rrënjët e thella” etj. Në vitin 2004 ajo u rikthye në skenë me një interpretim te drama “Streha e të harruarve” në rolin e një malësoreje. Roli i Donikës nuk është i vetmi prej saj në kinematografi.

Në vitin 1973 ajo do të interpretonte në filmin “Brazdat” me regji të Kristaq Dhamos. Më 1975 do të interpretojë rolin e nënës në filmin “Në fillim të verës” me regji të Gëzim Erebarës. Më 1990 ajo do të ketë sërish rolin e një nëne në filmin e regjisorit Kujtim Çashku, “Balada e Kurbinit”. Roli i saj më i fundit është ai i një gruaje myslimane në filmin “Eduart” në vitin 2006. Në vitin 1961, kur ishte vetëm 33 vjeç, Besa Imami për meritat e saj artistike do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar”. Ishte pasioni për teatrin ai që e bënte Besën të shkëlqente në skenë. “Kam punuar shumë. Nuk kam qenë ambicioze, por punëtore. Rruga ime në art nuk ka qenë aspak e lehtë. Unë i kam fituar rolet me shumë mund dhe nuk ma ka hapur askush rrugën, por kam çarë vetë”, shprehej ajo.

Vetëm disa ditë më parë ajo u nderua me titullin “Nderi i skenës shqiptare” nga qyteti i saj i lindjes Gjakova me motivacionin “Besa Imami, aktore e madhe e skenës shqiptare, figurë të cilën e lartëson mbi 100 role në teatër dhe kinematografi, ku gdhendi me dinjitet personalitetin e femrës shqiptare”. Homazhet në nderim të aktores do të zhvillohen sot më  datë 22 shtator 2014, në ambientet e Teatrit Kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.