Home / Opinion / Vende origjinle jo aq të sigurta

Vende origjinle jo aq të sigurta

beograd2NGA NEMANJA RUJEVIÇ

Brenda vetëm dy muajsh 4.000 euro në xhep? Një ëndërr për pjesën më të madhe të Serbisë, e aq më shumë për romët. Të përjashtuar, me kualifikim të dobët, pa punë, pa përkujdes mjekësor dhe ndihmë sociale – pjesa më e madhe e romëve jetojnë në lagje më baraka të improvizuara dhe në varfëri lypësish. Zoran Muratoviç (48) nga qyteti i vogël Leskovc, pa vetëm një rrugëdalje: të hipte në autobusin për në Gjermani, të griste pasaportën në kufi dhe të bënte një kërkesë për azil. Ai dhe familja e tij shtatëanëtarëshe nuk kishin megjithatë shanse të vërteta për sukses, ata bëjnë pjesë në grupin e refugjatëve të varfërisë, siç pëlqejnë t’i quajnë politikanët konservatorë gjermanë. Megjithatë Muratoviç shprehet i kënaqur me qëndrimin e tij dymujor në Shtutgart: “Ne na thanë që do merrnim 500 euro për person nëse do t’i tërhiqnim vullnetarisht kërkesat për azil. Unë nënshkrova menjëherë! Edhe shpenzimet e kthimit ishin të mbuluara”, tregoi Muratoviç për DW.

Nuk ka përndjekje?

Mijëra romë nga Serbia dhe vendet fqinje kanë ndërmarrë udhëtime të tilla, të tjerët, që do vijnë pas tyre nuk kanë më asnjë shans: të premten (19.09.) Këshilli i Landeve hapi rrugën për t’i klasifikuar Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjë-Hercegovinën si të ashtuquajtur shtete të sigurta origjine. Kështu tre shtetet ballkanike hyjnë në një klub shumë “ekskluziv”: si të sigurta vlerësohen vetëm vendet e BE-së, Senegali dhe Gana. Kërkesat për azil nga këto shtete do të shihen që në fillim si pa shkak dhe në një proces shumë të shpejtë azilkërkuesit do të dërgohen përsëri në shtëpi. Pasi në vendet e tyre të origjinës nuk ka as përndjekje sistematike dhe as trajtim çnjerëzor, argumentojnë vendimin e tyre qeveria dhe ligjvënësit gjermanë.

Por aktivistët për të drejtat e njeriut nga rajoni kundërshtojnë dhe thonë se në Berlin gjendja në Ballkan zbukurohet. Profesorja Svenka Saviç koordinon prej vitesh shkollën e romalogjisë në Novi Sad në Serbi. Ajo thotë se romët në Serbi kanë pozicion të vështirë nisjeje për shkak të varfërisë së përhapur. “Kësaj i shtohet edhe diskriminimi i nënkuptuar, pra që edhe romët me kualifikim nuk gjejnë thuajse asnjë vend pune”.

Edhe Sevko Bajiç nga sektori boshnjak i organizatës Care International tërheq vëmendjen se situata është ende alarmuese. “Në shekullin e 21-të ka ende lagje rome pa rrymë elektrike dhe pa ujë të pijshëm”, i tha ai DW. “Por edhe më rëndë godet diskriminimi. Ka prindër që ankohen se fëmijët e tyre ulen bashkë me fëmijë romë në të njëjtën klasë. Kjo është një jetë pa dinjitet”. Në Maqedoni nuk është më ndryshe, thotë sociologia Kirsten Schönefeld, e cila prej vitesh ndjek zhvillimet në Shkup. “Diskriminimi vazhdon të jetë në rend të ditës dhe këtu gjenden shkaqet për emigracionin”, thotë ajo.

Autoritetet përgjegjëse gjermane nuk e mohojnë situatën e keqe të romëve, por nuk shohin atje përndjekje sistematike të organizuar. Nga 19.000 kërkesat për azil që kanë paraqitur këtë vit në Gjermani qytetarë nga tre vendet e Ballkanit, janë miratuar vetëm 55. Një vendim bie në sy: gjykata administrative në Shtutgart e ka interpretuar në mënyrë të re nocionin “përndjekje”. Në fund të majit gjykata u miratoi kërkesën e azilit dy paditësve nga Serbia, pasi në atdheun e tyre të dy kërcënohen nga një padi për kërkim azili jashtë vendit. Në këtë rast gjykatësit konstatuan një veprimin përndjekje që ka në shënjestër një pakicë etnike.

Lehtësim për politikanët

Me gjithë kritikën e ashpër për situatën e të drejtave të njeriut, politikanët qeverisës në vendet e prekura duket se janë të lehtësuar pas vendimit të Këshillit të Landeve. “Kishte shqetësim se imigrimi i romëve dhe numri i kërkesave për azil nga ky grup mund të kishte si pasojë ashpërsimin e regjimit të vizave për të gjithë qytetarët dhe mund të ndikonte negativisht edhe në procesin e anëtarësimit”, thotë Schönefeld. Ky sfond kërcënues u ngrit në radhë të parë nga ish-ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich. Liria e vizave për Ballkanin do të rishqyrtohet, pati thënë disa herë vitet e kaluara politikani kristian social. Homologu i tij serb, Ivica Daçiç, e përkrahu këtë qëndrim: njerëzit që janë “me profesion azilkërkues” rrezikojnë lirinë e lëvizjes të të gjithëve. Pasuan fushata me postera me sloganet: “Unë nuk dua të kërkoj azil në BE” dhe “Serbia respekton të drejtat e njeriut”.

Serbët dhe maqedonasit prej vitit 2009 mund të udhëtojnë pa vizë në hapësirën e Shengenit; një vit më vonë ky privilegj iu akordua edhe qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës. Qysh atëherë numri i azilkërkuesve nga këto tre vende është në rritje. Edhe nga Shqipëria dhe Mali i Zi vijnë azilkërkues, por këto dy vende deri tani nuk janë marrë parasysh. Por Partia Kristiansociale gjermane (CSU) kërkon tashmë që edhe këto dy vende së shpejti të shpallen “të sigurt”.

Marrë nga Deutsche Welle

Leave a Reply

%d bloggers like this: