Home / Ekonomia / Investimet gjermane dhe infrastruktura moderne që afron Shishtavecin me Kukësin

Investimet gjermane dhe infrastruktura moderne që afron Shishtavecin me Kukësin

Shishtaveci, një fshat në veri të vendit tashmë është më afër me qendrën e Kukësit dhe furnizohet më ujë 24-orë.

Pak ditë më parë u përuruar dhe segmenti i fundit rrugorë rreth 16.8 km, që lidhin Shishtavecin me fshatrat përreth tij, si edhe me rrugën kryesore që të çon në qendër të Kukësit.

Investimi për ndërtimin e kësaj infrastrukture rrugore moderne, vjen në kuadër të bashkëpunimit të Fondit Shqiptarë të Zhvillimit dhe qeverisë Gjermane përmes KFW (bankës për zhvillim), që kap vlerën e 6.2 milionë euro të dhëna në formën e kredie të butë. Ky investim i ka shërbyer Shishtavecit dhe 5-së fshatrave rreth tij për të pasur një infrastrukturë rrugore moderne.

Bashkëpunimi i Shqipërisë dhe Gjermanisë është shtrirë edhe në sektorin e ujit. Rreth 1,900 banorë të kësaj zone tashmë furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, sipas standardeve më të mira përsa i përket sasisë, cilësisë dhe higjienës. Ndërtimi i këtij ujësjellësi i dha fund përpjekjeve të banorëve për të siguruar ujin e pijshëm.

Sistemi furnizohet nga rezervuari i burimeve të Kallabakut dhe krahas nevojave të 437 familjeve, përballon edhe nevojat e qendrave shëndetësore, shkollave dhe blegtorisë. Ujësjellësi është planifikuar të përballojë kërkesat për ujë deri në vitin 2033. Ujësjellësi Novosej — Kollovoz është një ndër 4 skemat e ndërtuara në zonën e Shishtavecit në kuadër të Programit të Ujësjellësve Ruralë financuar nga qeveria shqiptare dhe KfW

“Për këto investime i dedikohemi atyre që na kanë ndihmuar ti bëjmë. Këto janë zona të mrekullueshme. Këtu ka një plan vendor të firmosur nga kryeministri. Nuk ka si vendi juaj dhe prandaj ju ftoj të investoni këtu. Prodhimi i patates është shumë i rëndësishëm dhe një produkt cilësorë. I them qytetarëve dhe banorëve që kemi sot, se duhet të kenë kujdes për mbajtjen e këtyre produkteve. Këto janë zona që do kenë zhvillime në kohë. Janë shumë emigrant që po kthehen. Ka kërkesa nga bizneset. Mëshojini bujqësisë si edhe turizmit.”, tha Kreu i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, gjatë përurirmit të rrugës së re.

Ambasadorja Gjermane në Tiranë, Susanne Schutz, në fjalën e saj theksoi se rruga është qëllimi dhe se tashmë këto banorë të kësaj zone do të kenë mundësi të jenë më pranë tregjeve për të shitur produktet e tyre, si edhe turistët do të jenë më të joshur për të vizituar këto zona.

“Rruga është qëllimi dhe jam e kënaqur që kemi ndihmuar këtë komunitet. 24 milionë euro kemi investuar në rajonin e Kukësit dhe Shkodrës. Kemi shkurtuar rrugën e fëmijëve për të shkuar në shkollë, apo fermerëve për të dalë në treg si dhe kemi nxitur turistët të vizitojnë këto vise të mrekullueshme. Cilësia e jetës, tha diplomatja gjermane, përmirësohet ndejshëm kur uji është i rrjedhshëm gjatë gjithë ditës dhe ofron mundësi më të mirë për higjenë e për të larguar sëmundjet. Me rreth 900 mijë euro, u bë e mundur që të përmirësohet rrjeti ujësjellësit në Shishtavec dhe në katër fshatrat për rreth. 4000 persona tani furnizohen me uji pa problemë. Ne do të vijojmë të mbështesim qeverinë shqiptare për të përmirësuar më shumë infrastrukturën dhe për të rritur punësimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Schutz.

Tenzile Noka, një zonjë e zonës, tha se në Shishtavec bujqësia është primare. “Jam e lumtur për rrugën, ne merremi me bujqësi dhe kemi shumë vështirësi për ta shitur produktin. Rruga do jetë një stimul më i madh. E shkuara? Ishalla nuk kthehet më”, tha Noka.

Me qëllimin e mirë për kontribuar për përmirësimin e qëndrueshëm të kushteve të jetesës të popullsisë të vendosur në zonat veriore të Shqipërisë, qeveria gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim Kfw ka investuar 15 milion euro në formë granti, për të përmirësuar rrugët rurale në qarqet e Shkodrës dhe Kukësit.

Nga masat e investimeve të programit kanë përfituar rreth 36.000 banorë në zonat rurale të kukësit dhe Shkodrës duke bërë që 3 bashki dhe 7 njësi administrative të jenë përfituesit direkt të tyre.

Sa i takon ujësjellësit, në kuadër të programeve për furnizimin me ujë në zonat rurale I dhe II si edhe të projektit ‘Fondi i investimeve sociale IV’ janë ndërtuar rishtazi sistemet për furnizimin me ujë për fshatrat Borje, Shtrezë, Oreshkë, Novosej dhe Kollovoz të njësisë administrative Shishtavec. Nga ky investim, i cili kap vlerën e 884.000 eurosh, kanë përfituar 3 920 banorët e këtyre fshatrave, të cilët tashmë kanë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.

Rruga Kukës – Shishtavec

Kjo është e vetmja rrugë lidhëse për 19 fshatrat e komunave Zapod, Topojan e Shishtavec me rrugën nacionale dhe qytetin e Kukësit.

Për herë të parë rruga është hapur në vitin 1978 dhe prej atëherë nuk ishte kryer asnjë investim serioz. Rruga në total është 23 km dhe rindërtimi i saj është ndarë në 3 lote të financuara nga qeveria shqiptare, Banka Islamike për Zhvillim, Bashkëpunimi Gjerman (KfW) dhe BE nëpërmjet fondeve IPA 2009.

Fondit Shqiptar të Zhvillimit iu besua rindërtimi i kësaj rruge me rëndësi jetike për 14,000 banorë. Përpara investimit gjendja e rrugës ishte shumë e keqe dhe nuk lejonte qarkullimin normal të mjeteve, çka e bënte pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave. Në të gjithë gjatësinë e saj rruga ka qënë vetëm me një kalim, e dëmtuar dhe e pakalueshme për autoveturat, duke izoluar banorët e këtyre komunave për disa muaj gjatë dimrit.

Tashmë rruga ka të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, sinjalistikën, kanalizimet e ujrave të bardha, vepra arti, ura, mure mbajtës dhe pritës, etj. Punimet kanë përfunduar në pranverë të vitit 2016 ndërkohë që gjatë kësaj kohe FSHZH ka qenë institucioni përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugës dhe sigurimin e respektimit të standardeve më të mira për rrugët e këtij lloji.

Ndërtimi i kësaj rruge rrit mundësitë e komunikimit edhe me komunën e Dragashit në Kosovë, përmes pikës së kalimit kufitar të Shishtavecit.

Ujësjellësi Novosej – Kollovoz

Zbatimi i projektit ka përfunduar në Maj të vitit 2015. Rreth 1,900 banorë të kësaj zone tashmë furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, sipas standardeve më të mira përsa i përket sasisë, cilësisë dhe higjienës. Ndërtimi i këtij ujësjellësi i dha fund përpjekjeve të banorëve për të siguruar ujin e pijshëm përmes një sistemi të amortizuar, linjave të ngritura individualisht apo çezmave publike, shpesh në distanca shumë të largëta.

Sistemi furnizohet nga rezervuari i burimeve të Kallabakut dhe krahas nevojave të 437 familjeve, përballon edhe nevojat e qendrave shëndetësore, shkollave dhe blegtorisë. Ujësjellësi është planifikuar të përballojë kërkesat për ujë deri në vitin 2033. Ujësjellësi Novosej – Kollovoz është një ndër 4 skemat e ndërtuara në zonën e Shishtavecit në kuadër të Programit të Ujësjellësve Ruralë financuar nga qeveria shqiptare dhe KfW. Të paktën 17 skema të tjera janë financuar përmes këtij programi duke zgjidhur problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për 25 fshatra në qarqet Kukës, Dibër dhe Shkodër. Numri total i përfituesve shkon në rreth 17,000 banorë.

Ndërtimi i rrugës Kukës – Shishtavec dhe i ujësjellësve janë dy nga shembujt e shumtë të ndërhyrjeve të integruara që FSHZH kryen me qëllim krijimin e mundësive të reja për zhvillimin social- ekonomik në Shqipëri.

Bukuritë natyrore të bjeshkëve të Shishtavecit, bashkë me atraksione të tjera të zonës kanë tashmë infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar turizmin në të katër stinët e vitit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.