Politika

Rama: Reformimi rrënjësor i Akademisë së Shkencave e vetmja rrugë

“Rithemelim Akademisë së Shkencave për t’’i dhënë fund funksionit të saj si shërbim social”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama gjatë një takim me grupin reformator të Akademisë së Shkencave.

Në takimin e zhvilluar në kryeministri,  u theksua rëndësia e reformimit me rrënjë të Akademisë së Shkencave, si e vetmja rrugë për të dalë nga inercia e kalbëzimit dhe drejtuar sytë nga e ardhmja.

Rama tha se u humb më shumë se një vit në kalbëzimin e mëtejshëm të një institucioni që dikur u krijua si xhevahiri më rrezatues i dijes shqiptare, ndërsa sot është pezmatimi më i madh i atyre që dikur e themeluan dhe i dhanë emrin.

“Akademia e Shkencave është sot kufoma e vetvetes dhe ajo nuk reflekton as vizionin e etërve themelues dhe më vjen mirë që kam përballë një ndër studiuesit më të nderuar dhe një nga zanafillorët e Akademisë, Luan Omarin, i cili është një dëshmitar i gjithë rrugëtimit të këtij institucioni dhe rrënimit të këtij institucioni”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, “Akademia nuk ka arritur të reflektojë ndryshimet e mëdha epokale të gjithë dijeve të botës shqiptare, nga një botë e mbyllur dhe e centralizuar në një botë që është shumë më e madhe se kufijtë e saj”.

Rama shtoi se, ‘ajo ç’ka kemi mundur të dëgjojmë në një vit nga takimi paraprak deri sot lë shumë për të dëshiruar”.

Kryeministri u shpreh se ligji i njeh Akademisë pavarësinë, por i ka garantuar në të njëjtën kohë edhe vegjetimin.

Lidhur me ikjen e një pjese të mirë të trurit nga Shqipëria, Rama tha se, “në kushtet e botës së sotme një institucion i themeluar ndryshe dhe qasur ndryshe falë mjeteve të reja të komunikimit mund ta përfshijë të gjithë trurin shqiptar në një rrjetë kontributorësh që pa asnjë diskutim me ndonjë përjashtim që përforcon rregullin, do të ishte i gatshëm të kontribuonte. Por kjo Akademi nuk motivon ata që janë brenda dhe jo ata që janë jashtë”.

Rama u shpreh se “sfida nuk është një reformim i brendshëm strukturor, por një rithemelim i këtij institucioni nga e para duke marrë në konsideratë terrenin që ai do të punojë”.

Rama u shpreh se na duhet një Akademi e Shkencave e cila të ketë ambicien të mund të mbajë brenda vetes së vet të gjithë trurin e shkencës dhe të dijes së kombit tonë, jo thjesht shtetit tonë.

Kryeministri theksoi se goditja që iu bë në të shkuarën rrjetit të instituteve dhe mbyllja që iu bë ka sjellë pasoja, por shtoi ai, “sa do të ishte në gjendje shteti shqiptar që të financonte ato institute, kjo mbetet e diskutueshme”.

Sot, tha Rama, “kemi një sistem akademik të botës shqiptare ku nuk ka një bibliotekë të botës shkencore që të mund ta humbasë këtë emër. Për çfarë diskutojmë? Edhe në këtë aspekt u dha një goditje e fortë me Universitete private pa kritere, por njëkohësisht nuk u mundësua një bibliotekë normale në një Universitet apo në një tjetër”.

Rama theksoi se Akademia vet si e tillë nuk mund të jetë ajo që bën shkencën, por është Kuvendi që drejton jetën shkencore të vendit si një lloj gjykate, ku ndikimi mbi autoritetet apo opinionin, vjen si shkak i cilësisë së përfaqësimit në këtë Kuvend të shkencës.

Duke iu referuar analizave që janë bërë nga Ministria e Arsimit, Rama tha se sot kemi një shërbim social për punonjësit e shkencës. “Kemi një pension social për ata njerëz që janë në Akademi. Ku aty gjithashtu është përzier i njomi me të thatin, ku sigurisht ka personalitete të shkencës, por edhe njerëz kuazi analfabetë, të cilët nuk dihet si i kanë marrë titujt”.

Rama u shpreh se do të ketë një shkurtim drastik të fondeve në mënyrë që kjo të përkthehet brenda marsit në një rithemelim të Akademisë.

“Ne do të krijojmë një fond me të cilin do të krijojmë një bibliotekë dixhitale të vitit 2017 me të gjitha fushat dhe materialet e fundit dhe ndërkohë sa i përket pagave dhe shpërblimeve që janë në fuqi do të vendosim një afat që do të jetë afati i materializimi të këtyre që po diskutojmë. Diçka që i mban të rrjetëzuar njerëzit që vërtet duan ta ndryshojnë këtë situatë. Por ama që ne të vijojmë të vazhdojmë dialogun me një institucion ku krah profesorëve si Luan Omari, gjenden disa personazhe që s’dihet si kanë hyra aty”, u shpreh Kreu i Ekzekutivit.

Duke theksuar nevojën për fuqizim të qendrës së studimeve albanologjike, kryeministri tha se “vitin e ardhshëm duam të hedhim bazat e një fondacioni kombëtar të shkencave të natyrës dhe inovacionit”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button