Opinion

Përgatitja për luftërat tregtare të Trump

Nga Bill EMMOTT

Në 11 muajt e parë të presidencës së tij, Donald Trump nuk ka arritur t’i mbështesë fjalët e tij – ose postimet e tij në Twitter – me masa në një sërë frontesh. Por pjesa tjetër e qeverive të botës dhe sidomos ato në Azi dhe Europë, do të gaboheshin po të mendonin se ai s’do të ndjekë axhendën e tij të premtuar tregtare “Amerika e Para”

A është presidenti i SHBA-së Donald Trump ai që maoistët dikur e quanin një tigër prej letre apo kërcënimet e tij të zhurmshme duhen marrë seriozisht? Kjo pyetje është bërë e madhe sidomos përsa i takon çështjes bërthamore të Koresë së Veriut. Por pas një turneu 12-ditor të Trumpit në Azi, frika e një konflikti në Gadishullin Korean është zbehur disi.

E megjithatë, i njëjti turne ngriti një tjetër kërcënim, që bota ka çdo arsye për ta marrë seriozisht. Në vitin e dytë të presidencës së tij, administrata e Trump ka gjasa t’i kthejë sytë nga tregtia, duke sugjeruar që perspektiva e më shumë luftërave tregtare do të rritet ndjeshëm.

Në vitin e tij të parë në detyrë, Trump shpesh ka shfryrë për praktikat e padrejta tregtare të vendeve të tjera, siç bëri edhe gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, por ai ka bërë shumë pak për t’i kthyer fjalët në vepra. Ky mosveprim është i kuptueshëm. Trump po mbështetet te Kina – një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës – për të ushtruar presion mbi regjimin e Koresë së Veriut, ndërkohë që bizneset amerikane kanë lobuar fuqishëm kundër çdo mase që mund të pengojë tregtinë.

Megjithatë, kufizimi i dukshëm i Trump nuk mund të pritet të zgjasë shumë. Tregtia është një nga fushat e pakta ku mund të thuhet se ai ka një ideologji. “Logjika” e asaj ideologjie mendon se deficitet tregtare janë dëshmi e praktikave të padrejta nga vendet e tjera dhe prandaj duhet të përballen me masa të vështira dhe vendimtare.
Për më tepër, Trump ka një interes politik në ruajtjen e mbështetjes së mbështetësve të tij kryesor. Pas Tëitter-it, retorika tregtare e Trump është arma e tij më e fuqishme. Nuk është kurrë shumë herët për të filluar ndërtimin e një çështjeje për rizgjedhje në vitin 2020.

Deri më tani, Trump ka qenë i gatshëm të përmbahet përsa i takon çështjeve tregtare derisa reforma e planifikuar e Partisë Republikane të arrijë në Kongres. Ai nuk dëshiron të rrezikojë shansin e fundit të tij dhe të partisë së tij për të siguruar një fitore të vërtetë legjislative këtë vit. Pasi të mbarojë diskutimi për legjislacionin e taksave – dhe sidomos nëse ai dështon në të njëjtën mënyrë siç dështoi përpjekja e republikanëve për reformën e kujdesit shëndetësor më herët këtë vit – Trump do të dëshirojë të tregojë se ai e ka seriozisht atë që ka thënë për tregtinë.

Tregtia është në qendër të qasjes së Trump “Amerika e Para”, të cilën ai pretendon se do të mbrojë dhe madje do të rikthejë vendet e humbura të punës. Ndërkohë që disa në kabinetin e Trump mund të refuzojnë përpjekjet për ta zbatuar këtë slogan për çështje që ata mbikëqyrin, Sekretari i Tregtisë Wilbur Ross, Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së Robert Lighthizer dhe Drejtori i Këshillit Kombëtar të Tregtisë Peter Navarro ndajnë të gjithë të njëjtat pikëpamje me Trump në lidhje me tregtinë.
Secili prej tyre pajtohet me idenë se deficitet e mëdha të tregtisë dypalëshe të Amerikës me vende të tilla si Kina, Japonia, Gjermania dhe Meksika janë dëshmi se Amerika po mashtrohet nga konkurrentët e saj. Trump dhe këshilltarët e tij tregtar besojnë se duke reduktuar apo edhe eliminuar ato deficite, ata mund të krijojnë vende pune të paguara mirë për punëtorët amerikanë.

Trump i bëri të qarta pikëpamjet e tij në një fjalim në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Da Nang, Vietnam, më 10 nëntor. “Ne nuk do të lejojmë që të përfitojnë më nga Shtetet e Bashkuara,” tha ai. “Do të doja që administratat e mëparshme në vendin tim ta shikonin atë që po ndodhte dhe të bënin diçka për të. Ata nuk e bën, por unë do ta bëj.”

Por çfarë masash konkrete do të ndërmarrë Trump? Deri më tani, ai ka braktisur Partneritetin Trans-Paqësor të përbërë nga 12 vende – që kundërshtarja e tij në zgjedhje, Hillary Clinton, kishte premtuar gjithashtu se do ta bënte – dhe hapi negociata me Meksikën dhe Kanadanë për të përditësuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, të cilën presidenti Bill Clinton e nënshkroi në vitin 1994. Kjo është diçka shumë e vogël.

Por vitin e ardhshëm mund të pritet që Trump ta kthejë retorikën në veprim për dy çështje kryesore. E para është Kina, që Trump e ka veçuar si shfrytëzuesen më të madhe tregtare të SHBA-së. Vetëm në rast se kundërshtimi i Koresë së Veriut përshkallëzohet në mënyrë kritike, ai ka gjasa të fillojë masat antidamping kundër industrive kineze – sidomos në çelik – që mendohen se po i shesin të mirat e tyre nën kosto dhe ai ndoshta do të nisë një sulm të gjerë mbi shkeljet e pronës intelektuale në Kinë.
Këto masa pothuajse me siguri do të shkaktojnë hakmarrje nga Kina. Kina ndihet më e fortë se kurrë në epokën e Trumpit dhe në sytë e kuadrove kineze, mosreagimi me vendosmëri do të ishte një shenjë dobësie.

Fronti tjetër kryesor për Trumpin është Organizata Botërore e Tregtisë, të cilën Amerika e ndihmoi të themelohej në fillim të viteve 1990 si një pasardhëse e Marrëveshjes së Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë e pasluftës. Lighthizer e ka përshkruar sistemin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së si të dëmshme për Amerikën. Dhe tashmë, administrata e Trump po bllokon emërimin e gjykatësve të rinj në panelet e arbitrazhit të OBT-së. Nëse i vazhdon të njëjtën politikë, sistemi i zgjidhjes së mosmarrëveshjes të OBT-së do të prishet brenda disa muajsh.

Me OBT-në jashtë loje, SHBA-ja do të nisë një nismë të re për të goditur marrëveshjet dypalëshe mbi rregullat e tregtisë – një qasje që Trump e mbështeti në fjalimin e tij në APEC. Duke qenë se SHBA-ja mbetet një treg i rëndësishëm për shumicën e eksportuesve, një nismë e tillë do të ketë ndikim.

Vendet aziatike dhe ato europiane, në veçanti, duhet të përgatiten për më të keqen duke negociuar marrëveshjet e tyre tregtare me njëri-tjetrin për të parandaluar mercantilizmin amerikan. Në fund të fundit, ndërmarrja e një nisme për të rritur tregtinë dhe kontaktet e tjera tregtare është mënyra më e mirë për t’i rezistuar një lufte tregtare.
Duke ringjallur Partneritetin Trans-Paqësor pa përfshirjen e SHBA-së, Japonia dhe vendet e tjera të Azisë dhe Paqësorit janë tashmë në rrugën e duhur. Por nëse është në rrugë e sipër një luftë tregtare nga Trumpi, ata – dhe vende të tjera- do të duhet ta dyfishojnë atë qasje.

Project Syndicate

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button