Home / Sporti / Skënderbeu fiton 3-2, por i lë jashtë fitorja e serbëve

Skënderbeu fiton 3-2, por i lë jashtë fitorja e serbëve

Ndeshja e pestë e Skënderbeut në Europa Ligë regjistroi mbrëmë një sukses impresionues 3-2 ndaj skuadrës më të fortë në grupin B, Dinamos së Kievit, por ironikisht kjo fitore përkon me eliminimin. “Ujqërit e Dëborës” ishin formacioni më i mirë në fushë ndaj ukrainasve por triumfi i Partizanit të Beogradit çimentoi për serbët dhe vendin e dytë kualifikues të mbetur në dispozicion.

Në një “Elbasan Arena” të boshatisur për shkak të dënimit nga UEFA, ukrainasit morën epërsinë me rrjetën e Tshigankov që u la i pamarkuar shumë pranë portës së mbrojtur nga Shehi. Pas një minute lojë, Skënderbeu arriti të barazonte me një supergol nga distanca të Sabien Lilajt, mesfushori që guxoi jashtë zonës dhe u vlerësua me barazimin e merituar. Pa shkuar në pushim, Dinamo e Kievit arriti të shënonte golin e dytë por arbitri anuloi për pozicion jashtë loje.

Në fraksionin e dytë nigeriani James Adeniji kaloi për herë të parë në epërsi Skënderbeun pasi iu vodh mbrojtjes mike duke shënuar pranë portierit. Rrjeta e tretë u krijua nga asisti i bukur i Gavazajt dhe finalizimi i Ali Sowe. Në fund një gabim në prapavijë solli golin e Rusin, por jo mjaftueshëm për të rrezikuar fitoren e korçarëve dhe çekun 360 mijë euro nga UEFA.

Suksesi i Skënderbeut u zbeh disi nga fitorja e Partizanit të Beogradit ndaj Young Boys që çoi serbët të dytë me 8 pikë në grup. Korçarët si forcë e tretë janë të eliminuar dhe në 7 Dhjetor ndaj zviceranëve do ti japin fund një aventure gjithsesi pozitive në Europë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: