Politika

Rama: Kallëzim penal për dekonspirimin e operacionit për arrestimin e ish-drejtuesve të policisë

Ministri i Punëve Brendshëm nesër do të materializojë një kallëzim penal për të kërkuar një hetim të plotë për dekonspirimin e sekretit hetimor në rastin e operacionit për arrestimin e ish-drejtuesve të policisë, duke përfshirë të gjithë ata që kanë pasur dijeni, duke përfshirë edhe vetveten dhe duke u vënë në dispozicion të organit të hetimit të gjithë.

Kryeministri Edi Rama ishte në emisionin 360gradë në Ora News, ku u pyet mbi operacionin e fundit të Policisë mbi arrestimin e ish-drejtuesve të Policisë të dyshuar për lidhje me trafikun e drogës

Rama theksoi se, “jemi në një situatë qesharake për një shtet, për një organ ligjzbatues, me burime që dekonspirohen në mënyrë të vazhdueshme. Në rastin konkret, numri i personave që kanë pasur dijeni për operacionin ka qenë i kufizuar”.

Duke folur për arritjet e Policisë së Shtetit, Rama tha se, policia ka shifrën më të lartë të zbulueshmërisë së krimeve në shifra historike dhe këtë vit Shqipëria ka numrin më të ulët të vrasjeve në shifra historike.

“Nuk ekziston asnjë Polici, në asnjë shtet, që të ketë kapje 100% të autorëve”.

I pyetur për opozitën dhe akuzat lidhur me këtë çështje, Rama tha se, nuk dua të bëj replika me opozitën. Opozita është në një proces të vetin dhe nëse ka një subjekt dukshëm në drejtim të paditur është opozita.

Rama: Fitore spektakolare në luftën kundër kanabisit

Në lidhje me luftën ndaj kanabisit, Rama u shpreh se me Guardia di Finanza ka qenë një punë e bërë në harkun e një vitit të tërë që ka shënuar një fitore spektakolare në luftën ndaj kanabisit.

Kryeministri u shpreh se, sipas të dhënave të Guardia di Finanza, vetëm në zonën e Lazaratit prodhoheshin 900 ton kanabis, të cilat duke qenë se nuk u shkatërruan, u trafikuan dhe shuma e shkatërruar sot është shume larg me shumën 7% shkatërrim me vitin 2013. Guardia Di Finanza thotë gjithashtu se sipërfaqja e mbjellë në vitin 2016 është 30% më pak se viti 2013.

“Çdo polici ka brenda vetes kërcënimin nga pasja brenda vetes persona të inkriminuar. Përshembull, policia më pak e inkriminuar e Evropës është policia finlandeze. Para pak kohësh u arrestua Drejtori i Përgjithshëm i kësaj policie, pasi u zbuluan lidhje të tij me botën e nëndheshme të krimit”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se është hapur luftë me një fenomen që ishte ulur këmbëkryq në vend dhe që kishte simbolin e vet.

“Lazarati ishte vetëm shfaqja brutale e tij. Kultivimi i kanabisit, siç tregojnë dokumentat sekrete, ishte një fenomen i shtrirë në të gjithë territorin e Republikës. Hapëm një luftë që zhvillohej paralelisht, policia kundër kanabisit dhe policia kundër elementëve në lidhje me krimin brenda vetes. Këtë proces e nisëm në 2013 kur morëm pushtetin. Ishte policia më e keqshkolluar dhe më e keqpaguar e Evropës”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se në procesin e kësaj luftë ka pasur edhe korruptim në nivele të ndryshme. “Kemi hyrë në fazën e dytë të luftës kundër kanabisit dhe e kam thënë që pas zgjedhjeve që Task Forca kundër kanabisit pas çrrënjosjes së kanabisit si fenomen, do të shkojë pas atyre që kanë përfituar nga trafiku i kanabisit, pas aseteve të tyre”.

Poligrafi, pjesë e procesit të vettingut në Policinë e Shtetit

I pyetur për përdorimin e poligrafit në procesin e vettingut në Polici, Rama u shpreh se, poligrafi është pjesë e procesit të vettingut në Policinë e Shtetit. “Poligrafi përdoret për punonjësit e organeve ligjzbatuese. E përdor çdo agjenci ligjzbatuese për punonjësit e vet. E përdor FBI në SHBA dhe shumë polici evropiane”, tha Rama.

“Kam shkuar në Uashington dhe kërkova mbështetjen e FBI-së”, tha Rama.

Çështja “Tahiri”: Opinioni publik meriton të dijë të vërtetën

I pyetur lidhur me përgjimet ku përmendet emri i ish-ministrit Saimir Tahiri, Rama tha se, “Opinioni publik meriton të dijë të vërtetën dhe të vërtetën mund ta mësojë vetëm në dy rrugë. E para, në rrugën e drejtësië dhe e dyta, në rrugën e çdo investigimi të përgjegjshëm që mund ta bëjë këtë investigim në botën e medias”.

“Ish-ministri i Brendshëm është në hetim. Ka një hetim në Shqipëri, jo në Itali. Për sa kohë që hetimi nuk ka dhënë këtë rezultat dhe gjykimi nuk ka dhënë këtë rezultat, s’jam dakord me këtë shprehje çfarë morën vesh shqiptarët? Ata e dinë vetë, ne si bëjmë dot konkluzionet këtu në emër të qytetarëve. Unë i kam besuar Tahirit dhe vijoj t’i besoj deri kur të dalë me fakte dhe nëse do ketë gjykim për Tahirin”, tha Rama

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë me heqjen e imuniteit për deputetët ka lejuar Prokurorinë për të filluar hetimet dhe në momentin kur kërkon arrestimin duhet të vijë ta kërkojë në parlament mbi bazë provash, jo bindjesh”, tha Rama, duke shtuar se, “dyshim i arsyeshëm do të thotë dyshim i bazuar mbi prova”.

Rama: Qeveria dhe opozita do të ulen sërish në një tryezë

Kryeministri u shpreh se, nevoja për të zgjidhur probleme të përbashkëta do të çojë qeverinë dhe opozitën të ulen sërish në një tryezë.

I pyetur nëse vazhdon marrëveshja e 17 majit, Rama tha se,  Për fat të keq, Lulzim Basha e ka çuar marrëveshjen në buzë të varrit. Ajo që kam thënë dhe e rithem është të mos e varrosë, por ta ringjallë në funksion të interesave të vendit. Jo një luftë politike që e ka të gjithë energjinë tek burimi i tharë i pushtetit dhe vjen nga etja për pushtet”.

Rama u shpreh se, “marrëveshja e 17 majit ishte marrëveshje historike, sepse i dha vendit mundësinë që të bëjë zgjedhjet më të mira, më të pastra dhe kaloi periudhën më të qetë që ka kaluar në një proces zgjedhor dhe pas zgjedhor”.

Rama: 40 subjekte akuzohen për skema mashtruese, fshehje TVSH apo evazion fiskal

Kryeministri Rama u shpreh se 40 subjekte vetëm në 2 muajt e fundit akuzohen për një ose disa vepra që nga skemat mashtruese, në fshehje të TVSH-së apo për evazion fiskal për një shumë që kalon 4 miliardë lekësh të reja.

“Këto  janë dorëzuar prej nesh për ndjekje penale”, tha Rama, duke shtuar se, “ndërkohë që një numër të tjerash kanë shkuar prej nesh në ndjekje penale që në mandatin e shkuar, por që fatkeqësisht nuk janë konkluduar”.

Rama tha se, “njerëz me reputacion ndërkombetar që kanë punuar me FBI-në të na asistojnë për luftën kundër krimit ekonomik dhe të na ndihmojnë për çuarjen në nivel tjetër hetimin tatimor. Në mënyrë që askush të mos ketë asnjë arsye për të mos u bindur për t’i çuar prapa hekurave ata që mashtrojnë. Prokuroria ka detyrimin që kallëzimet t’i marrë dhe t’i pranojë jo të negociojë me të hetuarit potencialë”.

Duke folur për reformën në adminiatratë dhe shprehjen e përdorur në fushatë si tepsia, Rama u shpreh se, “tepsia është pastrim ose çlirim nga një sistem që e ktheu pushtetin në tepsi. Çlirim i zyrave të shtetit nga një mundësi për të strehuar në zyrat e shtetit grabitqarë dhe parazitë që mundojnë qytetarët”.

Duke folur për vizionin e PS, Rama tha se vizioni i PS është për të adresuar të gjitha problemet e rënda të trashëguara.

“PS është një forcë politike që doli para shqiptarëve me një vizion të ri, një program të ri.  Nëse doni ta quani një rrugë të tretë, po është një parti e rrugës së tretë”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button