Politika

Konferencë shtypi: Shqipëri-Kosovë, bilanc arritjesh dhe angazhime të rëndësishme

Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së dy qeverive:  

Kryeministri Edi Rama:

Më lejoni që të them për së pari, jam shumë i nderuar që sot, ne kemi mysafir në qytetin e mrekullueshëm të Korçës së kulturës dhe të historisë sonë kombëtare, Kryeministrin Haradinaj dhe ministret e ministrat e tij. Dy qeveritë tona ritakohen pas afro pak më shumë se një viti dhe pas tre mbledhjeve në radhë, të cilat kanë vënë themelet e qëndrueshme të një partneriteti strategjik, gjithëpërfshirës, me një kuadër të gjerë bashkëpunimi.

Më vjen mirë që mbledhja, që sapo mbyllëm, flet vetë për një bilanc arritjesh të rëndësishme dhe angazhimesh të rëndësishme, bazuar mbi sa kemi bërë deri më sot. Ne kemi marrë këto angazhime mbi bindjen që ka ende shumë për të bërë, por edhe se mundësitë janë aty dhe praktikisht që nga mbledhja e parë në Prizren në vitin 2014 e kemi pasuruar këtë kuadër bashkëpunimi me disa pjesë të rëndësishme, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e kuadrit mbetet për t’u plotësuar.

Më vjen mirë po ashtu që të tërë hapat e ndërmarrë, janë hapa të mirëpërcaktuar me një drejtim të përbashkët strategjik. Nuk dua të ndalem një për një në të gjitha marrëveshjet, që sapo i kemi nënshkruar, sepse nuk dua t’i marr sidomos gazetareve dhe gazetarëve  të ardhur nga Kosova, së bashku me kameramanët dhe ekipet e tyre, kohën e çmuar për të shijuar Korçën. E për më tepër, të gjitha janë aty, transparente dhe mund t’i riktheheni për çdo rast, por dua vetëm të nënvizoj se ne jemi shumë të vendosur për ta fuqizuar më tej veprimin e përbashkët politik dhe diplomatik në një angazhim tërësor, qoftë në marrëdhëniet tona bilaterale si dy shtete shqiptare, qoftë në qasjen tonë rajonale dhe qoftë në rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit të plotë në familjen europiane.

Në mbyllje, për të lënë hapësirë edhe për pyetjet tuaja, dua të nënvizoj faktin se këtë herë kemi marrë angazhime të rëndësishme edhe përsa i përket diasporës shqiptare, e cila bazuar në marrëveshjet e nënshkruara, por edhe në qasjen e re strategjike, të ndërtuar bashkarisht, do të konsiderohet një. Për këtë arsye, edhe qendrat e kulturës që ndihmojnë në promovimin e vlerave të bashkëjetesës mes nesh, edhe programet e mësimit në gjuhën shqipe, edhe aktivitetet me përfaqësuesit e diasporës, do t’i bëjmë si një, sepse, pavarësisht se ne jemi të ndarë në dy shtete, bota shqiptare është një dhe e pandashme për të dyja qeveritë tona Edhe njëherë faleminderit i dashur Ramush dhe fjala është për ju!

Kryeministri Haradinaj:

Faleminderit i nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, zoti Edi Rama!

Kolegë, ministre e ministra të qeverisë së Shqipërisë, faleminderit për punën e madhe që keni bërë në përgatitjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive! Edhe unë, edhe kolegët e mi të qeverisë se Kosovës, sot jemi të gëzuar, sepse kjo mbledhje e përbashkët, po flas për simbolikën, mbahet në Korçë, që është qendra e Rilindjes sonë Kombëtare, Mësonjëtorja e parë shqipe dhe po ashtu jemi në vigjilje të 28 Nëntorit, pra, 105 vjetorit të pavarësisë, festë e shumëfishtë e jona shqiptare, si edhe në vitin e Skënderbeut.

Kësisoj jam i gëzuar që ne sot përmbyllëm 12 marrëveshja të ndërsjella Shqipëri-Kosovë. Njëkohësisht jemi po ashtu në punë, për të mbyllur edhe një protokoll të kalimit të kufirit, i cili është një protokoll që lehtëson krejtësisht kalimin e kufirit Kosovë-Shqipëri dhe po punojmë intensivisht në unifikimin doganor. Pala e Kosovës ka ngecur, mirëpo jemi në proces dhe do të arrijmë aty. Bazuar në këto që thashë, Kosovën e presin shumë sfida, mirëpo janë sfida që burojnë nga vetë specifikat e Kosovës. Ne, rrugëtimin tonë më tutje, rrugëtimin euro-atlantik e shohim të lidhur ngushtë me Republikën e Shqipërisë dhe e falënderojmë edhe njëherë Kryeministrin Rama dhe të gjithë qeverinë për  gatishmërinë, për një bashkëpunim të tillë konkret dhe për marrëveshjet e arritura së bashku. Ju faleminderit!

Pyetja ime për të dy kryeministrat është si i përgjigjen komentit të Presidentit të Republikës serbe të Bosnjës, Milorad Dodik ku ka thënë se pjesën e Kosovës mbi lumin Ibër, në të ardhmen e sheh si pjesë të Serbisë. A  mendoni se është kërcënim për Ballkanin ky?

Kryeministri Edi Rama: Ballkani është i lirë dhe secili ka të drejtë të shikojë ëndrrat e veta, po ne nuk jemi këtu për të komentuar ëndrrat e të tjerëve. Ne ëndrrën tonë e kemi të qartë edhe askush nuk na ndalon në realizimin e saj.

Kryeministri Haradinaj: Nuk kam për të shtuar. Ju faleminderit!

Kam një pyetje lidhur me pjesën veriore të Kosovës. A guxojmë të mendojmë se në të ardhmen, një mbledhje e tillë e dy qeverive mbahet matanë urës, matanë Ibrit, në Mitrovicë? Një pyetje e dytë për Kryeministrin Haradinaj. Sot ka dalë një dokument që thotë se Kosova qëndron shumë keq në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian në krahasim me shtetet e tjera. A mendoni se do të kemi ndonjë shans në krahasim me këto shtete të tjera, apo do të mbetemi në zero?

Kryeministri Rama: Përsa i përket mbledhjes së radhës e kemi vendosur me propozim të zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës që do të mbahet në Pejë. Dua ta nënvizoj që mbledhjet e dy qeverive nuk janë provokime për të tjerët, por janë takime mes nesh, për të bërë më mirë dhe më shumë nga ato punë që ne besoj kemi bërë dhe kemi mundësi të bëjmë shumë më tepër.

Kryeministri Haradinaj: Mënyra e vetme që Kosova të ecë me ritmin e duhur në integrimin europian është me forcuar rendin dhe ligjin, me thelluar reformat në tërësi dhe luftën kundër korrupsionit. Këto janë sfidat e Kosovës që i ka para vetes. Mendoj se jemi seriozë në punë dhe mendoj se ritmi i Kosovës do të ndryshojë. Pra, po, ka perspektive Kosova.

Desha t’ju bëj një pyetje më specifike në lidhje me marrëveshjet që keni nënshkruar dhe protokollin e paralajmëruar për një kufi europian, siç e keni quajtur në takimin pararendës mes Shqipërisë dhe Kosovës. Shkëmbimet tregtare mes dy vende lënë shumë për të dëshiruar. Volumi vjetor nuk shkon më shumë se 300 milionë euro në vit. Në këtë sens, a do të ketë avantazhe për bizneset në të dyja anët e kufirit përsa i përket kalimit dhe shkëmbimeve tregtare dhe përsa i përket dengut të letrave që ata duhet të tregojnë. Do të eliminohen këto barriera?

Kryeministri Rama: Gjithçka lë për të dëshiruara në çdo aspekt të jetës sonë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Ne jemi në një proces zhvillimi, shtetbërjeje dhe transformimi. Ama, edhe në këtë rast, nëse kthejmë kokën pas, shikojmë rritje inkurajuese të shkëmbimeve tregtare, rritje inkurajuese të numrit të bizneseve nga Shqipëria në Kosovë dhe nga Kosova në Shqipëri. Rritje inkurajuese të ndërveprimeve në fushën e shkëmbimeve tërësore ekonomike. A mjafton? Jo, nuk mjafton. As kjo nuk mjafton, asgjë nuk mjafton, por mbi këtë bazë sigurish do të përpiqemi dhe i kemi të gjitha mundësitë për të bërë shumë më tepër. E për këtë arsye, – e tha dhe Kryeministri, – jemi duke pritur të finalizojmë unifikimin doganor. Janë disa aspekte të thjeshta teknike, që duhet të finalizojë pala e Republikës së Kosovës dhe jemi gati. Për këtë do të vazhdojmë me heqjen e barrierave jo tarifore dhe lehtësimin e mëtejshëm të qarkullimit, për këtë po punojmë për një sistem administrimi të pikës së kontrollit kufitar, që të jetë shumë më fleksibël dhe ta bëjë shumë më të lehtë qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave. Jam i bindur që në vijim do të shikojmë rritje të mëtejshme të shkëmbimeve tregtare që përsëri nuk do mjaftojë, sepse ambicia jonë është shumë më e madhe dhe ajo që qytetarët presin me të drejtë është shumë më tepër, sesa çfarë ne kemi mundur të bëjmë. Kështu që kurrë nuk është mjaft, por, sidoqoftë, çka është bërë, është mjaft për të thënë që më shumë akoma mund të bëhet.

Kryeministri Haradinaj: Janë edhe fjalët e mia.

U arritën sot 12 marrëveshje dhe e përmendët rëndësinë e tyre, por kemi marrëveshje që janë arritur edhe nga mbledhjet e kaluara, por që nuk janë zbatuar në tërësi. Jeni zotuar sot, që të gjitha këto marrëveshje të arritura sot do të implementohen. Përshembull, shkëmbimi i mallrave. Ka pasur telashe tek patatet, tek importi i tyre.

Kryeministri Rama: Janë dy gjëra të ndryshme dhe marrëveshjet janë zbatuar. Sigurisht që ka nevojë për të bërë më shumë, prandaj kemi bërë dhe marrëveshje të reja, por nuk ka marrëveshje të pazbatuara. Janë dy gjëra të ndryshme. Telashet tek patatet janë telashe të vjetra, që janë më pak sot se dje, por duhet të jenë zero nesër në krahasim me sot.

Zoti Rama, herën e fundit që e keni takuar kryeministrin e Kosovës i keni kërkuar të rishikojë mendimin e tij, qëndrimin e tij për demarkacionin. A vazhdon kjo këshillë e jotja? Për Kryeministrin e Kosovës. Presidenti ka thënë që do kërkojë llogari prej jush për shkak se keni paraqitur si qëndrim zyrtar demarkacionin tek ambasada. A ka kërkuar Presidenti llogari nga ana juaj?

Kryeministri Rama: Unë atë që kam thënë, Ramushi e di dhe ashtu e mendoj, ashtu e besoj dhe ashtu e kam bindjen e me këtë rast mund edhe ta kisha përsëritur, por, meqë jemi mbledhur këtu për çështje të tjera, e pashë të udhës që të mos e përsëris.

Kryeministri Haradinaj: Ajo që më ka bërë përshtypje shumë sot, në Korçë, kam vizituar muzeun mesjetar, ku kishte ikona të shekullit të XIII e më tutje. Ishte diçka e mrekullueshme. Njëkohësisht mësonjëtoren e parë shqipe, diçka e rrallë, e mirë për ne dhe katedralen këtu në Korçë. NJë ngjarje e mirë. Në Prishtinë, ne jemi përditë bashkë dhe sa herë ju intereson, ju informoj. Jemi në koordinim me Presidentin dhe me gjithë institucionet e vendit për çdo temë. Edhe për temën e demarkacionit koordinojmë.

Zoti Kryeministër i Shqipërisë, pas 5 ditësh, vendi do të jetë pa Prokuror të Përgjithshëm për shkak se i mbaron mandati. A keni ju një zgjidhje për të mos e lënë vendin pa kryeprokuror? Për Kryeministrin Haradinaj, a keni influencuar ju politikisht që kundërshtari juaj politik, Albin Kurti, të arrestohej, siç pretendon Vetëvendosja?

Kryeministri Rama: Çështja e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka qenë në axhendën e bisedimeve me Kryeministrin Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj: Në Kosovë, demokracia është shumë e gjallë. Kishim një dinamikë shumë të fuqishme në kundërshtim të disa marrëveshjeve të konsideruara të dëmshme dhe të rrezikshme. Ne kemi pasur disa dallime atëherë dhe tani kemi ato dallime, pra, përgjigja ndaj gjyqësorit, kundërshtimi politik është një temë, përgjigja ndaj gjyqësorit është një temë. Mendoj që Kosova po dëshmon se gjyqësori është i kredibël dhe shumë vendime të gjyqësorit në këto kohë kanë dalë me qenë po i quaj të drejta e të duhura dhe unë nuk mund t’i komentoj ato.

A mund t’i jepet nënshtetësia shqiptare qytetarëve të Kosovës dhe a rrezikon gjë Shqipëria nga kjo? A ka qenë temë bisede mes dy kryeministrave?

Kryeministri Rama: Në këtë pikë, unë jam i të njëjtit mendim me Presidentin tonë të Republikës dhe nuk kam asgjë për t’i shtuar qëndrimit të tij zyrtar përsa i përket kësaj çështjeje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button