Politika

Thaçi uron Metën për Festën e Flamurit: Nëntori, muaji i krenarisë sonë kombëtare

Nëntori ka qenë dhe mbetet përherë muaj i lavdisë për shqiptarët anekënd botës dhe është muaj i festave tona të përbashkëta në më shumë se një shekull, theksohet në mesazhin e urimit që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,  i ka dërguar homologut të tij shqiptar, Ilir Meta.

Në telegramin e urimit për Presidentin e Shqipërisë, me rastin e Festës së Flamurit, 28 Nëntorin, si dhe 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Thaçi shprehet se ”ky muaj i krenarisë sonë kombëtare tregon më së miri, jo vetëm për historinë tonë të përbashkët, por edhe për lidhjen e pashkëputshme, sepse ndër shekuj i kemi qëndruar gjithmonë pranë njëri-tjetrit”.

”Simotra të pandashme, Kosova e Shqipëria, duke e mbështetur njëra-tjetrën, kanë arritur të garantojnë perspektivë të qartë euroatlantike për qytetarët e dy shteteve tona. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni urimet më të mira për Festën e Flamurit, 28 Nëntorin, si dhe për 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë”, thuhet në telegramin e urimit.

“Sot Kosova është me fat që e ka Republikën e Shqipërisë gjithmonë përkrah, sepse po mëson shumë nga përvoja shtetërore 105-vjeçare. Në Kosovë e Shqipëri, populli ynë do të mbetet përherë partner i të gjithë popujve që e duan një të ardhme në paqe dhe në prosperitet për rajonin dhe më gjerë. Jam i lumtur që 28 Nëntorin do ta festojmë sërish bashkë në Vlorën tonë historike!”, përfundon urimi i Thaçit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button