Politika

Presidenti Meta në ceremonitë shtetërore kushtuar 105-vjetorit të Pavarësisë dhe “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit”

“Skënderbeu do të jetë gjithmonë ylli i mëngjesit dhe dielli që do të ndriçojë çdo shqiptar dhe mbarë kombin tonë”.

Me rastin e 105-vjetorit të Festës së Pavarësisë dhe çeljes zyrtare të vitit 2018 si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë në ceremonitë shtetërore të zhvilluara në Sheshin e Flamurit dhe të Monumentit të Pavarësisë në qytetin historik të Vlorës si dhe më pas, në Shtëpinë Muze ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë.

Në prani të Presidentit Meta, të Kryeministrit Rama, të Presidentit të Kosovës Thaçi dhe Kryeministrit Haradinaj si dhe autoriteteve më të larta shqiptare në Sheshin e Flamurit u ngrit duke u valëvitur krenar Flamuri ynë Kombëtar.

Më pas autoritetet e larta shtetërore zhvilluan homazhe në vendprehjen e Ismail Qemalit, ku Presidenti Meta vendosi një kurorë me lule në shenjë nderimi dhe u përul me respekt para veprës dhe kujtimit të Atit Themelues të Shqipërisë së Pavarur.

Në veprimtarinë e mbajtur për çeljen dhe shpalljen zyrtare të vitit 2018 si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastrioti Skënderbeut” Heroit tonë Kombëtar, Presidenti i Republikës u shpreh:

“I nderuar President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi,
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi,
I nderuar Kryeministër i Kosovës, z. Ramush Haradinaj,
I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, z. Edi Rama,
Të dashur vëllezër e motra të institucioneve të tjera nga Kosova dhe nga mbarë trojet e tjera shqiptare që jeni sot këtu me ne,
Zotërinj Ministra dhe Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik,
I dashur Kryetar i Bashkisë së Vlorës, z. Leli,

Të dashur motra dhe vëllezërGëzuar Ditën e Flamurit tonë Kombëtar!

Sot kjo është një datë më e ndritur në historinë e kombit tonë, sepse është data që përbashkon dy ngjarjet më të madha të kombit tonë, me të njëjtën dimension dhe rëndësi historike.

Jo rastësisht, burri i mençur Ismail Qemali dhe të gjithë patriotët shqiptarë vendosën të shpallnin Pavarësinë më 28 nëntor 1912.

Ata rikthyen në kujtesën dhe ndërgjegjen e kombit tonë, të copëtuar për më shumë se pesëqind vjet, arsyen e madhe të përbashkimit dhe modelin frymëzues historik, fillimin e epokës së lavdishme të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, datën e ndritur të çlirimit të Krujës, 28 nëntorin e viti 1443.

Epoka e ndritur filloi pikërisht atë ditë në Krujë për t’u përjetësuar në shekujt që pasuan, jo vetëm nga shqiptarët, por nga e gjithë bota.

Figura e heroit tonë kombëtar dhe vepra e tij frymëzoi burra shteti, patriotë, politikanë, diplomatë, ushtarakë, historianë, kompozitorë, piktorë, artistë, shkrimtarë e poetë të talentuar, rapsodë, të të gjitha kohërave, të kombeve dhe vendeve, duke bërë kështu të njohur ndërkombëtarisht kombin shqiptar përmes emblemës së tij më të vyer historike.

Në të gjitha gjuhët e botës është folur, shkruar e debatuar për heroin kombëtar duke provuar dimensionin, vlerat e rolin e tij të pazëvendësueshëm, jo vetëm në ruajtjen dhe përbashkimin e kombit tonë po veçanërisht në mbrojtjen e civilizimit evropian, identitetit dhe përkatësisë së tij të vyer.

Ky simbol kombëtar i përbashkimit ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve, në luftërat e tyre çlirimtare për progres dhe në rritjen e vetëdijes së tyre kombëtare, por edhe evropiane.

Intelektualë të shquar shqiptarë u frymëzuan prej tij, e pasqyruan dhe e përjetësuan Heroin tonë kombëtar në vepra historike monumentale.

Skënderbeun e Marin Barletit si personifikim i shpirtit heroik të popullit dhe si burim frymëzimi për heroizmat e tij e ndoqën edhe shumë poetë të tjerë të Rilindjes, si Naim Frashëri, A. Z. Çajupi, Mjeda, Asdreni, Siliqi, të cilët u pasuan nga poetët arbëreshë, si Gavril Dara i Riu, Zef Serembe, Bernard Bilota, etj.

Gjergj Kastriot Skënderbeu u bë flamur kombëtar në momentet më të rëndësishme historike të kombit tonë.

Të dashur pjesëmarrës, motra e vëllezër,

Ne shqiptarët jemi krenarë për këtë figurë historike, simbol i bashkimit tonë në luftërat për liri dhe mbi të gjitha simbol i rëndësishëm i lidhjes historike së Shqipërisë me Evropën dhe mbarë botën.

Duke kujtuar dhe vendosur në piedestalin e merituar të historisë sonë figurat e mëdha të Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit, ne mbajmë gjallë e përcjellin në brezat që vijnë mesazhin e madh për rëndësinë e krijimit dhe të fuqizimit të unitetit mbarëshqiptar përkundër ndasive përçarëse, si një pengesë ndaj realizimit të qëllimit dhe objektivave të përbashkëta.

Në këtë mënyrë ne, jo vetëm i qëndrojmë besnikë mesazhit të përbashkimit për të cilën Skënderbeu u përkushtua dhe luftoi, por përmbushim një detyrim madhor mirënjohës për veprën dhe epokën më të ndritur të historisë së kombit shqiptar.

Viti 2018, “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut”, do të jetë një reflektim mbarëkombëtar në memorien tonë historike, për trashëgiminë dhe identitetin tonë kombëtar.

Ai do të jetë viti i ndërgjegjësimit tonë të mëtejshëm për të parë të ardhmen tonë në dritën e kontributit të heroit tonë legjendar e për të qenë së bashku në përballimin e sfidave të shoqërisë sonë.

Viti që vjen do të na shërbejë të gjithëve për një reflektim të thellë në ndërgjegjen tonë kombëtare dhe qytetare, për të përbashkuar energjitë tona, për të lartësuar vlerat e identitetit tonë kombëtar ndaj figurave më të ndritura të popullit tonë si dhe për të kontribuar të gjithë së bashku për lartësimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë.

Në mënyrë të veçantë, ky vit të jetë promemorie e gjallë historike dhe perspektive për brezin e ri mbarëshqiptar, që të rritet me një frymë atdhetare, demokratike dhe evropiane.

Vit 2018 do të na përbashkojë më fort të gjithëve, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në të gjitha trojet etnike si dhe në diasporë anë e mbanë botës, për të krijuar një energji të re dhe më të fuqishme, ashtu si kundër na e la trashëgim heroi ynë kombëtar ne shqiptarëve.

Meqenëse Kryeministri e nisi fjalën duke iu referuar një poeti anglez, unë po e mbyll në anglisht, duke iu referuar një poeti amerikan, shumë i dashur për mua, por jam i bindur edhe për shumë të tjerë, Longfellou, i cili përshkruan hyrjen fitimtare të Skënderbeut në Krujë me këto vargje: “The city Croia called, The city moated and walled, The city where he was born, – And above it the morning star”.

Me bindjen se Skënderbeu do të jetë gjithmonë ylli i mëngjesit dhe dielli që do të ndriçojë çdo shqiptar dhe mbarë kombin tonë në përpjekjet tona për prosperitet për paqe dhe për një të ardhme plotësisht evropiane, ju uroj edhe një herë gëzuar këtë ditë të bekuar!”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button