Home / Rajoni / Maqedonia / Ivanov: Duhet të ketë përgjegjësi për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend

Ivanov: Duhet të ketë përgjegjësi për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në adresimin e tij para qytetarëve me rastin e situatës së krijuar nga arrestimi i personave që hetohen nga Prokuroria Themelore Publike për veprën penale “rrezik terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese” në lidhje me ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, porositi se për dhunën politike dhe atë fizike në Kuvend duhet të ketë përgjegjësi dhe se vazhdon të mbështes iniciativën qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”.

“Për dhunën politike dhe atë fizike në ngjarjet e 27 prillit, përgjegjësi patjetër duhet të ketë. Kush ka vepruar kundër kushtetutës dhe ligjit duhet të përgjigjet. Mirëpo, përgjegjësia nuk duhet të përgjithësohet. Duhet të respektohen të drejtat e njeriut, prezumimi i pafajësisë dhe të tregohet kujdes në kualifikimin e veprave penale”, deklaroi presidenti Ivanov.

Ivanov theksoi se ka mbështetur dhe ende mbështet Iniciativën qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, për të cilën siç tha, më shumë se dy muaj e gjysmë në mënyrë paqësore ka shprehur shqetësimin për interesat kombëtare të Republikës së Maqedonisë.

“Qytetarët që u bashkuan dhe demonstruan idenë e bashkësisë nuk janë dhe nuk mund të trajtohen si organizatë terroriste”, tha Ivanov, duke shtuar se kjo sjell frikë dhe pasiguri që çon deri në tensione dhe destabilizim politik. Më tej, Ivanov bëri thirrje për sjellje të arsyeshme dhe të përgjegjshme të të gjitha institucioneve kompetente, duke respektuar Kushtetutën dhe Ligjet e Maqedonisë.

“Me revanshizëm dhe demonstrim të forcës gjenerohet polarizimi i shoqërisë, një gjendje në të cilën nuk mund të presim progres në proceset reformuese”, tha ai, duke theksuar se qytetarët kërkojnë zgjidhje, më shumë mirëqenie dhe prosperitet, e jo probleme. Presidenti i Maqedonisë, në fund të adresimit të tij, theksoi se “nuk ka asnjë më tragjike dhe më të rrezikshme se përplasje ndër-maqedonase.”

Me urdhër të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë, mëngjesin e djeshëm është arrestuar ish-ministri i Brendshëm dhe ish-drejtor i Byrosë për Siguri Publike të Maqedonisë, Mitko Çavkov, si dhe disa persona të tjerë në mesin e të cilëve ka edhe deputetë.

Rikujtojmë se natën e 27 prillit të këtij viti, gjatë një situate kaotike të krijuar, qindra demonstrues të organizuar nga nisma qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët” u futën me dhunë në godinën e Parlamentit, ku si pasojë nga dhuna e ushtruar pësuan rreth 100 persona, deputetë, policë dhe punonjës mediatik.

Leave a Reply

%d bloggers like this: