Kosova

Fjalët e amerikanëve, sipas Daçiqit: Marrim pjesë në dialog nëse pajtohen Kosova dhe Serbia

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se SHBA-ja nuk ka propozuar që të jetë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel.

Daçiqi ka qëndruar këto në ditë Uashington, bashkë me ministrat e rajonit. Atje, sipas tij, i kanë thënë që SHBA-ja s’ka propozuar që të jetë pjesë e dialogut në Bruksel. Por, sipas tij, amerikanët kanë thënë se do të jenë pjesë e dialogut nëse pajtohen palët.

“Atë që po e thonë Thaçi e Haradinaj e ka demantuar administrata amerikane. Madje, edhe në bisedime me Federica Mogherinin ata i thanë asaj se nuk qëndrojnë pas deklaratave të tyre”, ka thënë Daçiqi.

Ai ka shtuar se zyrtarët amerikanë kanë thënë se ”nuk ikin nga kjo, porse kjo duhet të jetë çështje konsensusi dhe e propozimit të përbashkët”.

“Asambleja e Përgjithshme e ka transferuar dialogun Beograd – Prishtinë në nivelin evropian dhe çdo ndryshim i ri formati do të kuptonte format të ri bisedimesh, e është e sigurt se edhe Serbia do të kishte kë ta propozonte anëtarë të rinj e që nuk janë pjesëtarë të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai për “Zërin e Amerikës”.

I pyetur se kë do ta ftonte Serbia në dialog, Daçiqi ka aluduar në Rusinë.

“Dikë që do të ishte në anën tonë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se gjatë bisedave me zyrtarë amerikanë ka insistuar që të gjendet “minimumi i interesave të përbashkëta” e të mos krijohet imazhi se SHBA-ja dhe vende të tjera perëndimore kanë interesa të tjera nga ajo që ka Serbia.

“Po ashtu edhe roli i vendeve të tjera perëndimore ka qenë që të mos bëhet presion ndaj Serbisë ta njohë Kosovën, por që të arrihet te zgjidhja e pranueshme për të dy palët që do të respektonte interesat e serbëve e të shqiptarëve në Kosovë”, ka thënë Daçiqi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button