Ekonomia

Liberalizimi i tregut të energjisë, nga 1 janari 75 kompani dalin më vete; Bizneset konfuze

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të shkëpusë nga furnizimi më 1 janar 2018, 75 biznese të lidhura në tensionin 35 kilovolt. Ky është hapi që pritet të vulosë nisjen e liberalizimit, një proces që ka thyer çdo afat zbatimi të parashikuar në ligj. Biznesi shprehet konfuz për atë që e pret në momentin që del në treg të lirë, por pranon se konsultimet nuk kanë munguar me institucionet.
Dikush nuk e kupton vërtet, dikush e di se dalja në treg është e shoqëruar me një risk të lartë, por ka edhe nga ata që shprehen pozitivisht nisur nga përvoja e tyre e blerjes pa ndihmën e OSHEE. Përtej paragjykimeve, tentativës së ministrisë dhe OSHEE për qartësim, liberalizimi mbetet ende një proces i mjegullt dhe qartësimi nuk pritet të ndodhë deri në momentin që biznesi të mos jetë në treg. Tek e fundit, noti mësohet në det

Nga Nertila Maho

Reforma e energjisë, e shoqëruar mes të tjerave me një kuadër të ri, që shtronte para së gjithash ambicien e një modeli të ndryshuar tërësisht, të institucioneve të ristrukturuara, të një burse funksionale e sa e sa masa të tjera, shihte si pjesë integrale edhe liberalizimin. Kjo përcaktohej qartë në dispozitat kalimtare të ligjit “Për sektorin e energjisë” të miratuar në vitin 2015, kur në nenin 109 jepeshin afatet që duhet të respektoheshin për procesin, duke nxjerrë në tregun e lirë konsumatorët që u përkisnin disa kategorive të caktuara por kjo e lidhur drejtpërdrejt në tensionin ku ishin lidhur. Ky hap vjen shumë vite pas atij të hedhur në vitin 2011, që nxirrte nga rrjeti të gjithë ato kompani private të lidhura në tension të lartë prej mbi 100 kilovolt.

Afatet fillestare dhe shtyrja disa herë e tyre

Sipas ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV, ishin të detyruar të dilnin në tregun e liberalizuar jo më vonë se data 30 qershor 2016, klientët e lidhur në tension 20 kV, jo më vonë se data 31 dhjetor 2016,ndërsa klientët e lidhur në nivelin e tensionit 10 kV dhe 0,6 kV, jo më vonë se data 31 dhjetor 2017. Klientët e lidhur në tension 0,4 kV kanë të drejtë të zgjedhin lirisht furnizuesin e tyre.

Afatet e dhëna duken qartësisht të shkelura me disa herë dhe kjo ka pasur dy arsye. Së pari, sepse deri në fillim të vitit 2017, ende nuk ishte bërë pjesa teknike, pra instalimi i matësve që transmetojnë të dhënat online dhe së dyti, sepse biznesi ishte i paqartë, kurse politika të paktën këtë vit e angazhuar me zgjedhjet vendore. Të gjithë këta faktorë bënë që të shtyhej më tej edhe afati i dhënë para verës së këtij viti, duke lënë si variant final 1 janarin 2018. Ministria duket e vendosur që këtë herë, të paktën 75 biznese të mëdhenj të lidhur në 35 kilovolt, të dalin në treg të lirë duke siguruar vetë energjinë që do të konsumojnë.

Biznesi, në pjesën më të madhe, është konfuz

Biznesi nuk është i qartë për atë çfarë do të ndodhë me liberalizimin e tregut të energjisë. Të pyetur nga “Monitor”, disa prej tyre u shprehën se kanë marrë edhe ftesa nga ministria për takime dhe kanë qenë të pranishëm, por sërish procesi mbetet i komplikuar. Stefan Pinguli, prodhues birre, e ka të lidhur fabrikën në një tension 20 kilovolt, i cili do të jetë grupi i bizneseve të radhës që do të shkëputen në fund të 2018. “Kemi marrë njoftim nga ana e ministrisë për këtë procedurë ku bizneset duhet ta gjejnë vetë energjinë, por nuk jemi të qartë se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Pinguli. Gjithsesi bizneset që janë të lidhura në 20 kilovolt kanë ende kohë të informohen dhe të mësojnë nga përvoja e 75 të parëve që pritet të dalin në treg më 1 janar 2018.

Fuad Haxhiymeri, aksioner dhe drejtues i kompanisë “Prima”, në sektorin e blojës, miellit dhe nënprodukteve të tij, i pyetur nga “Monitor” lidhur me informacionin që ka për procesin e liberalizimit dhe që prek edhe fabrikat e mëdha, u shpreh se situata duket e vështirë por që biznesit nuk i është lënë zgjedhje. “Ne kemi dijeni për procesin e liberalizimit, ku kërkohet që bizneset të dalin në treg vetë për energjinë, por kjo është e vështirë. E kemi shpjeguar këtë pjesë edhe me institucionet, por duket se ato e kanë marrë vendimin e tyre. Nuk na është lënë asnjë zgjidhje tjetër kështu që, meqë e kanë vendosur, do të dalim në treg ashtu si pjesa tjetër edhe ne”, – tha Haxhiymeri.

Rasti i Albchrome, si po e përballojnë situatën bizneset që kanë kohë në treg të lirë

Por jo gjithçka është bardhezi në rastin e bizneseve që kanë dalë në treg të lira. “Monitor” bisedoi me një prej atyre që kanë vite që operojnë si të pavarur duke blerë energjinë nga tregtarët përmes procedurave standarde të prokurimit. Bëhet fjalë për Albchrome që operon në industrinë minerare. Emanuela Nuha, drejtore në Drejtorinë e Prokurimit të kompanisë, u shpreh se deri më tani, gjithçka ka qenë pozitive dhe se blerjet në treg të lirë nuk kanë qenë ndonjëherë problem.

“Albchrome operon me dy uzina, njërën në Elbasan dhe tjetrën në Burrel. Në Elbasan operohet me dy furra shkrirjeje, të cilat janë me kapacitete 12.5 MW. Deri më tani që po flasim, energjia për Elbasanin është blerë nga kompania GSA, sepse nënstacioni ku kemi qenë të lidhur ishte i saji dhe ka pasur një marrëveshje të nënshkruar kohë më parë. Çmimi final i energjisë nuk ishte i fiksuar, pasi reflektonte përllogaritjet që bëhen, duke pasur në bazë bursën hungareze, tarifën e transmetimit, çmimin e ankandit si dhe “të tjera” ku përfshihet fitimi dhe disbalancat. Në tregtimin e energjisë, një ndër truket që duhet pasur parasysh janë pikërisht disbalancat, të cilat sa më mirë të menaxhohen aq më mirë menaxhohen kostot për energji. Për Uzinën në Burrel kemi vetëm një furrë me kapacitet 19 MW dhe duke filluar nga fundi i këtij viti, ne nisim një furrë të re 12.5 MW. Ndryshe nga rasti i Elbasanit, për këtë uzinë nuk kemi pasur kufizime dhe kemi aplikuar një procedurë tjetër.

Kjo do të thotë që kemi marrë pjesë aktive në procedura tenderimi. Kemi ftuar aktorë të tregut si GEN-i, EFT, GSA, Axpo apo Ayen. Të gjithë kanë qenë të interesuara. Ideja jonë është që të kemi sa më shumë kompani pjesëmarrëse në procedurë, në mënyrë që të ketë konkurrencë dhe të sigurojmë një çmim sa më të mirë. Ne jemi kompani e madhe dhe konsumi është relativisht i madh duke bërë që edhe kompanitë të jenë të interesuara për të marrë pjesë.

Uzina e Burrelit ka dalë në treg të lirë në vitin 2014. Aktualisht, në momentin që flasim, kemi siguruar një kontratë 6-mujore nga furnitorët. Gjithsesi edhe në një vit të thatë si ky i sivjetshmi, ia kemi dalë që të sigurojmë çmime të mira. Më të lirat janë siguruar në muajin mars, kurse nëntori më i shtrenjti, me çmim mesatar prej 73 euro/MW. Bizneset duhet të kenë parasysh që bursa ka risqet e veta, sepse ka elemente të fshehtë, por sigurimi i energjisë nuk ka qenë ndonjëherë problem, të paktën për ne.

Risqet për bizneset nga parashikueshmëria e disbalancave tek situata hidrike

Dalja në treg të lirë për biznesin ka dy anë medaljeje. Në anën e parë, ky hap mund të rezultojë pozitiv, sepse vitet e njohura si të lagësht dhe me prodhim të lartë mund t’ju sigurojnë atyre çmime të lira për energjinë. Por në rastet e një viti të thatë kur çmimet mund të kalojnë edhe 100 euro/MW apo më shumë, i lënë ata të pambrojtur dhe të ekspozuar ndaj rritjes së kostove në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo automatikisht do të përcillet zinxhir në pjesën tjetër të aktivitetit që ka kompania duke u reflektuar tek çmimi i produktit apo shërbimit që ofrojnë këta të fundit.

Aktualisht OSHEE është kompania që siguron energjinë sipas situatës, duke e mbajtur ajo riskun, kurse biznesi e ble sipas kategorisë ku është klasifikuar në bazë të çmimeve që rregullohen nga Enti Rregullator i Energjisë. Gjithsesi një tjetër problematikë e ngritur paraprakisht nga ana e bizneseve është riskut të parashikueshmes që lidhet me disbalanbcat. Nëse një biznes nuk përcakton saktë sasinë që do të rezervojë dhe më pas konsumojë, kostot e disbalancave që rregullohen në momentin e fundit mund të prekin në mënyrë dramatike fondin total të dedikuar për energjinë. Kjo sepse edhe operatorët e tregut, në këtë rast OST-ja, e cila është e lidhur në tregun rajonal përmes ENTSO-I, ka pasoja të rënda kur hendeku i disbalancave tejkalon marzhin minimal të lejuar. Por ndërsa sot, biznesi ende nuk e ka të qartë procedurën e blerjes, pjesa e disbalancave mbetet e një dore të dytë, por rëndësia e saj është e madhe.

Bursa e Energjisë dhe mundësia që ofrohet

Nga data 1 janar 2018, Bursa Shqiptare duhet që të nisë funksionimin, por gjasat ashtu sikurse është paralajmëruar, janë që kjo bursë të mos jetë operacionale. Albanian Power Exchange përcaktohet edhe në kuadrin ligjor si një hallkë që do të ndihmojë në zhvillimin e sektorit energjetik në vend duke u dhënë më shumë mundësi ndërlidhjeje operatorëve të tregut, duke nisur nga prodhuesit, tek tregtarët e regjistruar, si dhe bizneset që janë në treg të lirë. E menduar për të operuar sipas parimit dayahead (ditë më parë), kjo bursë aktualisht ka mbetur peng i disa rregullimeve ligjore që duhet të ishin bërë nga Ministria përgjegjëse për Energjinë, ndërkohë që Operatori i Sistemit të Transmetimit është edhe hallka kyçe e sistemit që do të menaxhojë këtë pjesë. Ky operator nga marsi i këtij viti është i pavarur nën “ombrellën” e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. “Boshllëku” ligjor që lidh trinomin Ministri e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bursë Shqiptare e Energjisë dhe Ministri e Financave dhe Ekonomisë kërkon zgjidhjen në mënyrë që të avancohet me projektin.

“Shuplaka” e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për vonesat

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë nuk ka kursyer kritikat e tij në raportin e fundit të publikuar në nëntor për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky raport mat ecurinë e vendeve sipas objektivave të vendosura nga Procesi i Berlinit dhe që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me integrimin e vendit në Bashkimin Europian ku praktikisht janë tregjet ato që “integrohen” të parët. Së pari, sekretariati konfirmon edhe një herë vonesën në Bursën e Energjisë.

“Këshilli i Ministrave adoptoi një model tregu që përcakton edhe një plan veprimi për krijimin e një tregu energjie. Sipas këtij plani, ministri duhet të kishte vendosur për entitetin ligjor dhe strukturën në 31 mars 2017. Bursa e Energjisë duhet të jetë plotësisht operacionale më 1 janar 2018. Duke pasur parasysh vonesat, kjo është thuajse e pamundur që të ndodhë në afat”, – thuhet në raport. Lidhur me liberalizimin e tregut, duke nxjerrë nga tregu i rregulluar konsumatorët e mëdhenj, Sekretariati nënvizon se do të marrë masa ndaj Shqipërisë dhe vonesave të saj në proces.

“Eliminimi i çmimeve të rregulluara të gjenerimit për konsumatorët e tjerë, përveç bizneseve të vogla dhe konsumatorëve familjarë, si dhe adoptimi i një plani për nxjerrjen në treg të lirë, u vendos në janar 2016. Ligji për sektorin e energjisë derregullon çmimet e gjenerimit dhe të furnizimit për të gjithë konsumatorët e lidhur në tension të lartë (110 kv e lart) dhe për ata që kanë një konsum vjetor mbi 50 milionë kWh. Sipas ligjit, çmimet me shumicë për konsumatorët e lidhur në 35 kilovolt duhet të ishin derregulluar deri më 1 korrik 2016 dhe për ata me 20 kilovolt, më 1 janar 2017. Kjo nuk ka ndodhur. Si ata në 35 edhe ata në 20 kv vazhdojnë të furnizohen me çmime të rregulluara sipas detyrimit të furnizuesit publik OSHEE. Çmimi me të cilin OSHEE po prokuron energjinë për furnizimin e konsumatorit final nga KESH është ende i rregulluar krejt e kundërta e asaj që kërkon ligji i Komunitetit të Energjisë. Kontrata e rregulluar mes KESH dhe OSHEE vazhdon të mbetet në fuqi. Sekretariati do të ndërmarrë hapa për këtë shkelje në një të ardhme të afërt”, thuhet në raport.

Tarifat dhe aplikimet e reja të kompanive

Enti Rregullator i Energjisë miratoi këtë vit një metodologji të re lidhur me aspektet që duhet të kenë parasysh operatorët e tregut në aplikimet që do të bëjnë për tarifat e reja të energjisë. Kjo do të thotë që këto aplikime do të marrin parasysh situatën e re të tyre në kushtet e një tregu të ri. Periudha rregullatore me metodologjinë e vjetër përfundon në fund të vitit 2017. Lidhur me bizneset, Enti Rregullator i Energjisë shtyu tarifat ekzistuese deri në fund të vitit 2017 dhe kjo e lidhur direkt me faktin që këto biznese nuk dolën në tregun e lirë në kohën kur parashikohej konkretisht për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV në zbatim të VKM nr. 449, datë 15.06.2016, çmimi i shitjes së energjisë është 9.5 lekë/kWh, ndërsa çmimi në pik është 10.93 lekë/kWh.

Për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 20 kV në zbatim të të njëjtit vendim, çmimi i shitjes së energjisë është11 lekë/kWh, ndërsa çmimi në pik 12.65 lekë/kW. Vetëm tarifa e aksesit për rrjetin e shpërndarjes për ato biznese që janë të lidhur në 20 kv aktualisht është 3.9 lekë. Kjo do të thotë që, nëse një biznes e ble energjinë nga tregu i lirë duhet të paguajë përveç energjisë tek tregtari edhe tarifë për shpërndarje tek OSHEE-ja.
Aplikimet e reja të kompanive pritet të jenë më komplekse, duke përfshirë disa ndarje në respekt edhe të liberalizimit të tregut nga 1 janari 2018, kur pritet që të dalin 75 biznese në treg të lirë.

MONITOR

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button