Kronika

Përmbytjet/ Izolohet fshati Darzezë, rrezikohet argjinatura e Drinit në Gjoricë

Në Fier dhe Vlorë vazhdojnë operacionet për të përballuar situatën e krijuar nga moti i keq dhe dalja e Vjosës nga shtrati.

Përveç zonave në Vlorë, prurjet e lumit kanë përmbytur totalisht 2 fshatrat e Fierit, Darzezë dhe Povelcë, të Njësisë Administrative Dërmenas.

Ndërkohë raportohet se është prishur edhe ura që të lidh me fshatin Darzezë, duke lënë të izoluar banorët dhe një pjesë të forcave ushtarake, që janë atje për t’u ardhur në ndihmë. Forcat xheniere kanë nisur nga puna për ndërtimin e një ure provizore lidhëse me fshatin Darzezë.

Aktualisht situata vijon të përkeqësohet, për shkak të rritjes së prurjeve të lumit Vjosa, ndërsa pompat e hidrovoreve të Darzezës dhe Semanit janë duke punuar me kapacitet të plotë.

Në këtë zonë po operojnë edhe Forcat e Armatosura, bashkë me një ekip Emergjence të ardhur nga Kosova, të cilët po përpiqen t’ju vijnë në ndihmë të përmbyturve.

Edhe Memaliaj është prekur nga moti i keq, teksa raportohet se një helikopter i Forcave të Armatosura i ka ardhur në ndihmë një shtetasi të sëmurë, i mbetur i izoluar në fshatin Gilavë.

Edhe Bulqiza është prekur nga reshjet e shumta të shiut, ndërsa prurjet e mëdha të Drinit po rrezikojnë dëmtimin e argjinaturës pranë fshatit Gjoricë.

Pritet ndërhyrja e ushtrisë gjatë ditës së sotme, për të përforcuar argjinaturën e lumit, në këtë fshat, e dëmtuar nga reshjet e shumta të natës së kaluar dhe që rrezikon daljen e Drinit nga shtrati.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button