Home / Ekonomia / Marko Çades/Kryetari i dhomës së Tregtisë së Serbisë: Projekte të përbashkëta shqiptaro-serbe

Marko Çades/Kryetari i dhomës së Tregtisë së Serbisë: Projekte të përbashkëta shqiptaro-serbe

Që kur u zhvillua një vit më parë në Nish forumi i parë i biznesit mes Shqipërisë dhe Serbisë, marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve kanë njohur rritje të rëndësishme ” vlerëson Kryetari i dhomës së Tregtisë së Serbisë, Marko Çades, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

“Forumi i Nishit ishte takimi i parë i zgjeruar mes bizneseve serbe dhe shqiptare. Pas këtij takimi, ne vendosëm krijimin e Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Serbi, në mënyrë që të shërbejë si strukturë funksionale, që ndihmon dhe mbështet biznesmenët ë krijojnë mundësi të reja dhe të gjejnë partnerë biznesi në Serbi dhe Shqipëri, si dhe të nxisë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve”, tha Çades.

Dhe, nënvizoi ai, “nëse sot u referohemi shifrave, do të shikoni që vetëm brenda një viti janë shënuar arritje të rëndësishme. Falë kësaj, volumi i shkëmbimeve tregtare mes vendeve është rritur. Eksportet e Shqipërisë drejt Serbisë janë rritur me rreth 35-36%, ndërsa eksportet e Serbisë drejt Shqipërisë janë rritur me 37%”.

Projekte të përbashkëta shqiptaro-serbe

Çades shprehet veçanërisht i kënaqur që në Forumin e Tiranës, përtej shkëmbimit tregtar u kalua drejt projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme.

“U zhvilluan negociata për zhvillimin e investimeve të rëndësishme në krijimin e zinxhirëve të tregtimit të produkteve kozmetike dhe mobiljeve. Po ashtu po krijohen kompani të përbashkëta shqiptaro-serbe në sektorë të ndryshëm. Ekzistojnë shumë mundësi për investime të përbashkëta dhe ne jemi të kënaqur për këtë”, tha Çades.

Ai tregoi edhe shembuj, të bashkimeve të kompanive shqiptaro-serbe.

“Pak javë më parë isha i ftuar në Beograd nga një kompani serbe, e cila sot është blerë nga një kompani e madhe shqiptare. Rezultatet pas këtij bashkimi kompanish janë dyfishuar. Deri në fund të vitit do të mbyllet procesi i blerjes së aksioneve të një kompanie shqiptare nga një kompani serbe në fushën e logjistikës. Me fjalë të tjera, dinamika e marrëdhënieve të biznesit është e jashtëzakonshme. Kur filluam këtë proces një vit më parë, nuk e kisha parashikuar që do të kishim aktivitete aq të mëdha.”

Megjithatë Çades shtoi se, ekzistojnë shumë fusha ku bashkëpunimi mund të zgjerohet më tej.

Ai theksoi se më shumë se 40 kompani serbe morën pjesë në panairin e Klik Ekspo Group të Tiranës, ku prezantuan drejtpërdrejtë produktet e tyre në një hapësirë reklamimi prej më shumë se 400 metrash katrorë.

“Shumë prej këtyre kompanive erdhën në Tiranë për herë të parë. Por edhe në panairin e vitit të kaluar në Tiranë, kompanitë serbe bënë një prezantim të gjerë të produkteve të tyre. Kjo është një mënyrë e prezantimit, kontakteve dhe marrëveshjeve të drejtpërdrejta mes biznesmenëve. Dhe si i tillë, ky panair ishte vërtet i rëndësishëm”, tha Çades.

Bashkëpunimi rajonal si një zonë e vetme ekonomike

Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Çades u shpreh se, ajo që është vërtet e veçantë në rastin e Serbisë dhe Shqipërisë është fakti që ne jo vetëm po lëvizim me shpejtësi në marrëdhëniet ekonomike, por po përpiqemi të bëjmë edhe më shumë sa i takon bashkëpunimit rajonal mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Si dhoma të tregtisë së gjashtë këtyre ekonomive në rajon ne kemi krijuar një të vetme, që është quajtur Forumi i Investimeve të Dhomave Rajonale të Ballkanit Perëndimor, që shërben në fakt si pikë e përbashkët dhe e vetme referimi për investimet që zhvillohen në të gjitha vendet e rajonit. Ky ishte hapi i duhur, për të cilin kishim nevojë të sinkronizonim rregullat dhe kornizat ligjore, në mënyrë që ne të funksionojmë si një zonë e vetme ekonomike, të lehtësojmë tregtinë pa u kufizuar nga kufijtë, të nxisim qeveritë e vendeve tona të ndërtojnë infrastrukturën në mënyrë që ekonomitë tona të rriten. Nëse ia dalim ta bëjmë këtë, atëherë ritmet e rritjes ekonomike do të dyfishoheshin”.

Rritja ekonomike e Shqipërisë, mund të dyfishohet falë bashkëpunimit ekonomik rajonal, nënvizoi në intervistën e tij Marko Çades.

Leave a Reply

%d bloggers like this: