Home / Ekonomia / Mungon kultura e sigurimit të pronës, në 10 muaj vetëm 32 mijë kontrata

Mungon kultura e sigurimit të pronës, në 10 muaj vetëm 32 mijë kontrata

Me gjithë ekspozimin serioz ndaj riskut të fatkeqësive të shkaktuara nga natyra përfshirë tërmetet, përmbytjet, zjarret, thatësira dhe shkarja e tokës, shpeshtësia dhe shkalla e dëmit të të cilave ka gjasa të rritet si rezultat i ndryshimeve klimatike, sërish qytetarët tregohen indiferentë për sigurimin e pronës së tyre.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në periudhën janar-tetor 2017 janë lidhur vetëm 32 725 kontrata në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës. Madje ky numër rezulton me ulje përkundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2016, në të cilën u lidhën 35 891 kontrata.

“Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar – tetor 2017, vihet re një rritje prej 6.22% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 6.51% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – tetor 2016”, thuhet në raportin e AMF-së.

Sipas AMF-së, portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar – tetor 2017 siguruan rreth 2,138 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 74.24%, ose 1,587 milionë lekë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se del e domosdoshme marrja e nismës ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneseve nga përmbytjet.

Si çdo lloj tjetër risku edhe risku i katastrofave mund të vlerësohet dhe modelohet për të dhënë një dimension të qartë të pasojave të tij.

Industria e sigurimeve në Shqipëri është e fokusuar në sigurimet e detyrueshme të përgjegjësisë së automjeteve dhe ka një shkallë të ulët në sigurimet vullnetare të pronave. Ka pak ose aspak interes nga kompanitë e sigurimit për të zhvilluar ose blerë modele të menaxhimit të riskut të katastrofave, të cilat mund të jenë tepër të shtrenjtë për buxhetet e këtyre kompanive.

Kjo evidentohet në mënyrë të menjëhershme nëse vërejmë nivelin e dëmeve të paguara i cili është i ulët. Për periudhën janar-tetor, sipas AMF-së,dëmet e paguara në portofolin e sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës llogariten 583 milionë lekë.

Kjo shpjegohet me nivelin ende të ulët të shërbimit nga kompanitë e sigurimit, mentalitetin dhe faktin që tregu dominohet nga sigurimet e detyrueshme të mjeteve motorike.

Fatkeqësitë natyrore po vazhdojnë të godasin fort vende, rajone dhe popullata. Përveç origjinës natyrore shpeshherë ndodhin dhe për shkak të gabimeve njerëzore.

Në vendin tonë, dëmtimi serioz i pyjeve, i brezave të gjelbër ka sjellë erozion, ashtu sikundër ndërtimet mbi kolektorë apo mos pastrimi i kanaleve kulluese, janë rasti tipik për të cilat qeveria shpreh angazhimin maksimal për korrigjimin e situatës të trashëguar ndër 27 vitet e fundit.

Që prej vitit 2006 nuk ka pasur thuajse asnjë vit me më pak se 900 katastrofa natyrore në botë. Në vitet 1980, një vit me 500 katastrofa konsiderohej ende si vit i jashtëzakonshëm. Vitet e fundit shpeshtimi i ngjarjeve me natyrë katastrofike dhe rritja e dëmeve të shkaktuara prej tyre, shihen si një kërcënim i madh.

Leave a Reply

%d bloggers like this: