Kosova

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi në kuvend

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi e vitit 2015 dhe gjetjet e reja të komisionit të ri shtetëror mbi këtë marrëveshje i kanë komplikuar raportet brenda koalicionit qeveritar të drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Qeveria e Kosovës më në fund vendosi që ta dërgojë në parlament projektligjin për ratifikim të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, ndonëse kjo marraveshje nuk ishte dërguar asnjëherë në parlament, për faktin që nuk i kishte votat për t’u ratifikuar. Marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015 kjo qeveri e kryesuar nga Ramush Haradinaj i bashkangjiti edhe gjetjet e reja të Komisionit Shtetëror për kufirin, komision ky i emëruar nga vet kryeministri Haradinaj. Mirëpo, brenda vet qeverisë së Kosovës në përbërje të së cilës janë, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe lista Srpska, ka qëndrime të kundërta rreth demarkacionit me Malin e Zi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të besojë që marrëveshja e kufirit me Malin e Zi e vitit 2015 nuk është e drejtë dhe Kosova humbet teritor, ndërsa zëvendësi i tij nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se marrëveshja e vitit 2015 është e saktë, por gjetjet e komisonit të ri, sipas Hoxhajt, vetëm sa e kanë komplikuar situatën.

Konstatimet e komisioit të ri të kufirit me Malin e Zi, i prezantoi sot kryesuesi i këtij komisioni, Shpetim Bulliqi, i cili tha, se “komisioni njëzëri ka konstatuar, që vija kufitare e përcaktuar me marrëveshjen për kufirin e ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e arritur më 26 gusht 2015, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”.

“Ish-komisioni i ka tejkaluar kompetencat, duke i lejuar vetes t’i futet përcaktimit të vijës së re ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, pa një marrëveshje ndërkombëtare paraprake. Ish-komisioni ka qenë i thirrur të shënjojë vijën e dikurshme kufitare dhe në asnjë mënyrë të shënjojë vijë të re kufitare me Malin e Zi”, tha Shpetim Bulliqi.

Partia Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, Kadri Veseli, që është edhe kryetar i parlamentit, e përshëndeti vendimin e qeverisë që ta procedojë në kuvend për ratifikim marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe njëkohësisht u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë.

“Përshëndes vendimin e qeverisë për ta sjellë në kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është ‘pro’, siç e kemi thënë në vazhdimësi. Izolimi i qytetarëve tanë duhet të marrë fund. Presim nga Bashkimi Evropian liberalizimin e vizave”, shkroi në profilin e tij Kadri Veseli.

Në të njejtën linjë u shpreh edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, i cili tha se “më në fund duhet të marrin fund debatet rreth demarkacionit dhe t’i hapet rruga perspektivës së të rinjve kosovar”.

“Dua të besoj në vullnetin politik dhe shtetëror të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve, por njëkohësisht ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që të jenë të bashkuar në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndër-shtetërore. Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi i jep fund izolimit të vendit tonë, duke mundësuar heqjen e regjimit të vizave”, u shpreh Presidenti Hashim Thaci.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta kundërshtojë demarkacionin e vitit 2015 me Malin e Zi, por nuk e kundërshton Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila u shpreh në favor të votimit të marrëveshjes së vitit 2015.

Sidoqoftë, marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, e nënshkruar në vitin 2015 tashmë është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi, po jo nga ai i Kosovës. Për ratifikimin e saj nga kuvnedi i Kosovës, nevojiten 81 vota. Në këtë situatë dhe atmosferë politike në të cilën ndodhet Kosova vështirë se do të mund të sigurohen dy të tretat e votave të deputetëve, pra 81. Mosratfikimi, që nënkupton hedhjen poshtë të marrëveshjes së vitit 2015 sipas analistëve do ta komplikojë edhe më shumë situatën dhe mund të përkeqësojë raportet me shtetin fqinjë të Kosovës, Malin e Zi. Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nga Kosova është kusht i Komisionit Evropian që Kosova të gezojë lirinë e lëvizjes pa viza.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button