Kronika

Normalizohet situata në Vlorë dhe Fier, hidrovoret punojnë në kapacitet të plotë

Gjendja e përmbytjeve po shkon drejt normalizimit dhe pas përfundimit të procesit të kthimit të ujërave brenda trasesë së tyre natyrale, do të nis faza e vlerësimit të dëmeve.

Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë për të larguar prurjet nga zonat që janë ende nën ujë, si Vlora e Fieri, apo Fushë Kruja e këneta në qarkun e Durrësit.

Gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi tha sot se në Fier e Vlorë ka prezencë uji në 3 500 hektarë, ndërsa hidrovoret po punojnë me një kapacitet thithës deri në 400 metra kub në sekondë.

“Kërcënueshmëria ekstreme ka ikur. Prurjet nuk po rrjedhin më jashtë shtratit të lumit. Ka prezencë uji në 3 500 hektarë tokë në Fier e Vlorë.  Hidrovoret janë me kapacitet të plotë dhe largojnë rreth 300-400 metra kub në sekondë. Po ashtu dhe në Fushë Krujë dhe Kënetë po punohet me ritëm të lartë, pasi dhe në këto zona ka problematikë me praninë e ujit. Edhe këtu hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë”, tha Prençi.

Sipas tij, në pak ditë do kthehemi në normalitet të plotë, duke kthyer ujin brenda rrjedhës natyrale.

Problematike situata e blegtorisë

Gjatë prononcimit për ATSH-në, Prençi tha se një nga pikat më problematike është çështja e blegtorisë.  “Fermerët bëjnë apel për ushqim. Me informacionin që kam, më rezulton se dhe për blegtorinë, Bashkitë dhe Drejtoritë Bujqësore po marrin masa”, tha Prençi.

Vlerësimi i dëmeve nis pas normalizimit të situatës

Një nga pikat më të diskutueshme është vlerësimi i dëmeve. Shemsi Prençi tha për ATSH-në se ende nuk ka nisur ky proces, i cili do të ndiqet nga Bashkia dhe Drejtoritë Bujqësore.  Ky proces do bëhet hap pas hapi. Është bërë e udhës që të gjitha mediat ende pa kaluar faza për reagimin ndaj emergjencës, të flasin për vlerësimin e dëmeve, por si mund të bëhet vlerësimi pa u larguar plotësisht uji”, theksoi Prençi.

Ai u shpreh se duhet durim nga çdo institucion. “Mirëkuptoj të gjithë qytetarët që kanë pasur probleme nga përmbytjet dhe ndoshta kanë vuajtur dhe në vitet e shkuara dhe vlerësimi s’ka qenë i njëllojtë, por kjo do varet nga komisionet e vlerësimit që do ngrihen nëpër Bashki”, tha ai.

Vlerësimi i dëmeve, vijoi Prençi, do të jetë real dhe transparent .

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button