Politika

KE do të njohë progresin e reformave të Shqipërisë

Kryeministrja e Polonisë, Beata Szydlo shprehu sot bindjen se Komisioni Europian do të njohë progresin e reformave të Shqipërisë, duke hapur bisedimet për anëtarësim në BE.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, kryeministrja polake theksoi se, në takim u diskutua për punën e përbashkët në përgatitjen e Shqipërisë për procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Ne kemi një përvojë të gjatë dhe ekspertë të vlefshëm në fushën e integrimit europian. Jemi të gatshëm të ndajmë të gjithë këtë përvojë me Shqipërinë”’, tha Szydlo.

“Kam shpresën se Komisioni Europian do të njohë progresin e reformave të Shqipërisë, duke përcaktuar një datë të qartë të fillimit të negociatave në 2018”, tha Swydlo.

Szydlo gjithashtu theksoi mbështetjen e Polonisë për reformën e drejtësisë, “një reformë thelbësore dhe për rritjen e investimeve polake në Shqipëri”.

Szydlo tha se, ky vit përkon me 80-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.

“Biseduam mbi marrëdhëniet tona të ndërsjellta, të cilat janë shumë të mira. Gjithashtu, folëm për mundësinë e shtrirjes së bashkëpunimit tone edhe në fusha të reja. Bashkëbiseduam edhe për forumin polako-shqiptar të biznesit”, tha ajo.

Kryeministrja e Polonisë theksoi se, Shqipëria është një vend gjithmonë e më i preferuar nga polakët si një destinacion turistik.

“Turistët polakë e konsiderojnë Shqipërinë si një destinacion shumë interesant dhe sektori i turizmit ofron një hapësirë të madhe bashkëpunimi, në interesin e ndërsjellt të dy vendeve tona”, tha Szydlo.

Szydlo gjithashtu shprehu gatishmërinë për të asistuar Shqipërinë edhe në reforma të tjera kyçe, si ajo në administratën publike.

Ndërsa Kryeministri Rama vuri theksin tek potenciali i madh i pashfrytëzuar për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.

“Turizmi është një nga pikat më domethënëse të zhvillimeve të kohëve të fundit. Nga janari në tetor të këtij viti, Shqipërinë e kanë vizituar 74% turistë polakë krahasuar me një vit më parë. Për këtë i kam kërkuar kryeministres polake mundësinë për të hapur një linjë direkte mes Polonisë dhe Shqipërisë gjë që padyshim do të sillte përfitueshmëri të lartë dhe reciproke në këtë drejtim”, tha Rama.

Kryeministri gjithashtu ka mirëpritur propozimin e kryeministres polake për zhvillimin e Konferencës së Tiranës, pasi tha ai, “e konsiderojmë Poloninë një model në ecurinë,  zhvillimin dhe transformimin e saj. Nga një vend i perandorisë komuniste në një prej vendeve me rrezatim të fortë në BE”.

Kryeministri nënvizoi se, “i kemi qenë, jemi dhe do t’i jemi mirënjohës Polonisë për mbështetjen e vazhdueshme të së ardhmes evropiane të vendit tonë dhe jam i bindur që kryeministrja do të jetë një ndër mbështetësit e mëdhenj të çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm”.

“E kemi pritur me shumë kënaqësi gatishmërinë e Polonisë për t’u përfshirë në procesin e Berlinit dhe për të marrë stafetën e këtij procesi në vitin 2019. Jemi shumë të vendosur dhe shumë të interesuar t’i zhvillojmë më tutje këto marrëdhënie”, tha Rama.

“Jemi dhe partnerë edhe në Aleancën e NATO-s dhe edhe në këtë fushë kemi shumë për të mësuar nga shembulli i Polonisë”, theksoi kryeministri Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button