Politika

Koha që Shqipëria e Maqedonia të nisin negociatat

“Është koha që Shqipëria e Maqedonia të nisin negociatat”, deklaroi të enjten Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në konferencën rajonale të organizuar nga qeveria e Bullgarisë dhe Banka Botërore, në Sofje, mbi integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, theksoi Rama, mbështesim faktin që Serbia dhe Mali i Zi po negociojnë. “Kjo është një kontradiktë në mënyrën se si e shoh unë midis të qenit kaq shumë i përkushtuar ndaj procesit të integrimit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, ka ardhur koha për palën evropiane që të ketë qartësi, se cila do të jetë perspektiva jonë”, tha Rama.

Në të njëjtën kohë, sipas Kryeministrit Rama, mosfillimi i bisedimeve duket se bëhet një ushtrim frustrues.

“Nuk kanë kaluar 300 as 30 vjet, por vetëm tre vite më parë kur ne nisëm këtë proces të bashkëpunimit rajonal, në të cilin jemi të angazhuar sipas frymës, vizionit dhe modelit evropian – dukej e pamundur. Ja ku jemi si kurrë më parë”, tha Rama. Kryeministri u shpreh se “aspirata evropiane e qytetarëve tanë, ka bërë bashkë të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor në këtë proces jashtëzakonisht mësimdhënës të bërjes së bashku për integrimin evropian dhe ndërveprim për sfidat e qëllimet e përbashkëta”.

Procesi i Berlinit, sipas Ramës, “ka dhënë kontribut në ripajtim dhe në ecjen përpara bazuar në potencialet tona që duhet të shfrytëzojmë”. “Unë mendoj se presidenca bullgare e BE-së vjen në momentin e duhur, si një koincidencë e mirëpritur për Ballkanin Perëndimor. Dhe unë besoj fuqimisht se kryeministri bullgar ka të gjithë argumentet dhe të gjithë mbështetjen tonë, por në të njëjtën kohë pritshmëritë tona janë për të nxitur përshpejtimin në rrugën aq shumë të domosdoshme të integrimit”, shtoi Rama.

Duke ilustruar bashkëpunimin që ekziston mes vendeve në rajon, Kryeministri Edi Rama veçoi reagimin e menjëhershëm të të gjitha vendeve duke i ardhur në ndihmë Shqipërisë, pas situatës së përmbytjes së ditëve të fundit.

“Dua të falënderoj të gjithë të pranishmit në këtë tryezë nga Ballkani Perëndimor, por mbi të gjitha kryeministrin e Bullgarisë, për diçka që është shumë e rëndësishme për ne sot në Shqipëri, që nuk do të ishte as e imagjinueshme deri tre vite më parë. Patëm disa përmbytje dhe të gjithë njerëzit në këtë tavolinë, duke nisur nga miku ynë i çmuar Boyko Borisov, duke vazhduar me Serbinë, me Malin e Zi me Maqedoninë, pa diskutim Kosovën, na ofruan ndihmë pa e kërkuar atë”, tha Rama.

Sipas tij, “të gjithë dolën dhe thanë: duhet të jemi atje dhe duhet të dërgojmë atje ekipet tona të emergjencës dhe gjithçka mundemi për të qenë aty me ju”.

Kryeministri Rama u shpreh se “kjo ishte e jashtëzakonshme dhe ky është një shembull i shkëlqyer i faktit jo vetëm se si ne mund të ulemi lehtësisht së bashku dhe të flasim për objektivat dhe sfidat tona të ardhshme, por edhe të kuptojmë se si të gjithë ndihemi pjesë e të njëjtit fat, se si e ndiejmë natyrshëm nevojën për të qenë krah përkrah me njëri-tjetrin edhe në momente të vështira”.

“Dua të përfundoj duke thënë se:  Po, ne e kuptojmë shumë mirë që potenciali është këtu dhe mund të çlirojmë shumë nga ky potencial, nga ç’ka tha Komisioneri Hahn dhe mikja jonë e dashur nga Banka Botërore, që e ritheksoi sot nevojën e lehtësimit të tregtisë dhe shkëmbimeve midis vendeve tona, e në të njëjtën kohë shpresojmë që Procesi i Berlinit, e investimet e parashikuara në infrastrukturë, të bëhet realitet dhe më konkret, duke mos mbetur vetëm një listë joshëse dëshirash. Faleminderit përsëri Bojko për këtë mbledhje këtu dhe ju duhet të kuptoni që tanimë, në rajonin tonë nuk është vetëm Merkeli, por edhe ju tek i cili do të shohim për të paktën 6 muajt e ardhshëm, ndaj jeni i detyruar të jeni i suksesshëm”, përfundoi Rama.

Related Articles

Nje koment

  1. Falemindert, zoti kryeminister i SHqiperis ton, zoti Rama, qe ne menyr te shkelqyer na perfaqeson ne bot, kudo qe mer pjes, si ketu ne Amerik, Evrop etj.
    Me prezenen, argumentat dhe vizjonin qe prezantoni kudo na ben shpres plot se SHqiperia dhe shqiptaret dote ken nje te ardhme me te mir ne ekonomi, drejtesi, shendetesi, aresim e kudo.
    Besojm dhe shpresojm qe ne kater vitet ne vazhdim, vendi yne , jo vetem te mbyll plaget e trasheguara, te krimit, koorupsjonit, hashashit e droges, por te behet sa me par pjes e BE dhe nje model suksesi ne te gjitha drejtimet, per Balkanin e me gjer.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button