Home / Politika / Rama për ushtarakët: Nuk kemi arritur të mbyllim hendekun mes jush dhe Policisë së Shtetit

Rama për ushtarakët: Nuk kemi arritur të mbyllim hendekun mes jush dhe Policisë së Shtetit

Në vitin 2019 do të ketë një rritje të konsiderueshme për të gjitha pagat e ushtarakëve.

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në aktivitetin “Faleminderit Forca të Armatosura”, organizuar në garnizonin “Skënderbej”, në Ministrinë e Mbrojtjes.

Duke folur për pagat e ushtarakëve kryeministri theksoi se, “krahasuar me kolegët e tjerë pagat tuaja janë të ulta dhe pavarësisht nivelit të lartë profesional dhe dijes patriotike që ju mishëroni, ne nuk kemi arritur dot t’ju shpërblejmë ashtu siç e meritoni. Dhe ne nuk kemi arritur të mbyllim hendekun mes jush dhe Policisë së Shtetit, i cili kurrë nuk mund të arrijë deri aty ku ju e meritoni”.

Sot, tha Rama, “qeveria do të vendosë në radhë të parë një shpërblim si shprehje mirënjohjeje për të gjithë ata që u përfshinë në operacionin fantastik që shteti përballoi si shprehje e rëndësishme”.“Dua të angazhohem sot që viti 2018 do jetë viti i fundit për të cilin buxheti i shtetit do të ketë rrogat ekzistuese për ju. Ne jemi shumë të vendosur të rrisim buxhetin e ushtrisë dhe në kuadrin e angazhimeve si anëtarë të NATO-s, gjë që e kemi bërë në buxhetin e viti 2018. Por rritja do të vazhdojë dhe e para rritje prioritare për vitin 2019, do të jetë rritja e konsiderueshme për të gjitha pagat e ushtarakëve”, tha kryeministri.

Kreu i qeverisë theksoi se, “kjo rritje nuk ka ndodhur deri tani, jo se nuk do të kishim dashur ta bënim më shpejt, apo se nuk do të kishim dashur më parë, por se kjo lidhet me faktin e thjeshtë se gjithçka që duam nuk është e mundur kur duam dhe duhet, por kur ne mundemi”.

FA, përpjekje për të përballuar gjendjen e krijuar si pasojë e reshjeve

Kryeministri u shpreh se, sot celebrohet ditëlindja e 105-të e Forcave tona të Armatosura, të cilën nuk mundëm ta celebronim në mënyrën tradicionale sepse e kaluam mes operacioneve të shumta për përballimin e gjendjes së krijuar në vend si pasojë e reshjeve e prurjeve të jashtëzakonshme të lumenjve, të cilat sollën dëme dhe kërcënuan jetë njerëzish.

“Duke qenë se në 4 dhjetor situata nuk na dha mundësinë të mblidhemi së bashku sot jam këtu për t’ju uruar të gjithëve festën e Forcave të Armatosura”.

Ushtria, tha Rama, “është është pa pikë dyshimi kolona e shtetit që ngrihet e para pasi lind shteti. E gjithë Shqipëria e ndoqi me shqetësim dhe e pa me admirim të gjithë përpjekjen në zonat e përmbytura, ashtu siç mundi të shohë fare pak nga pamjet dhe aktet e angazhimit të strukturave të FA në përpjekjet e pakursyera për të të shpëtuar jetët njerëzore përballë egërsisë së ujit”.

“Misioni juaj për të ruajtur çdo jetë njerëzore u plotësua me suksesin më të plotë”, tha Rama, “ju jam mirënjohës ju dhe familjeve tuaja, të cilat sakrifikojnë përditë”.

Kryeministri falenderoi vendet partnere për ndihmën e dhënë gjatë kësaj situate. “Kosova nuk diskutohet, por dhe Serbia, Maqedonia, Mali i Zi. Po ashtu falenderime për vendet partnere strategjike me Shqipërinë si Italia, Greqia, Turqia dhe gjithashtu për SHBA që përmes ambasadorit të tyre u gjenden pranë FA për të qenë pranë Forcave të Armatosura”.

“Roli i prefektëve të rinj, të cilët i zgjodhëm nga gjiri i ushtrisë shqiptare, sigurisht pasi ishin larguar nga detyra në uniformë dhe që e provuan veten si zgjedhjet e duhura në kohën e duhur për të bërë punën e duhur për njerëzit dhe për vendin”’, tha Rama.

Rinia, forca themelore e ushtrisë tonë

Sot, theksoi kryeministri është Dita e Rinisë, që përkujton 8 dhjetorin. “Dita e Rinisë që është dhe forca themelore e ushtrisë tonë dhe për të përforcuar thirrjen time lidhur me rininë dhe Forcat e Armatosura po e mbyll me huazimin e disa fjalëve. Mbroni me xhelozi të drejtën tuaj për Forcat e Armatosura”.

Medalje 7 reparteve të FA në përballimin e përmbytjeve

Falë angazhimit të mijëra efektivë dhe qindra mjeteve të tokës dhe ajrit Forcat e Armatosura (FA) arritën të evakuuojnë 598 familje dhe të shpëtojnë 1552 persona në të gjithë vendin nga përmbytjet e mëdha që prekën vendin javën e kaluar, duke superuar në kohë rekord vështirësitë e situatës së krijuar.

Në ceremoninë e mirënjohjes së FA në përballimin e situatës së përmbytjeve që u organizua të premten në Tiranë, ku merrte pjesë Kryeministri Edi Rama, ambasadori amerikan Donald Lu, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shprehu vlerësim dhe mirënjohje të veçanta për të gjithë ushtarët e Forcave të Armatosura, në kontributin dhe angazhimin maksimal që dhanë në përballimin e kësaj situate.

Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, ministrja Xhaçka tha se, “FA do të jenë në shërbim të atdheut edhe në ditë më të vështira dhe një organizim edhe më i mirë na pret në vitet e ardhshme”

“Burra dhe gra që sfidojnë veten për t’i shërbyer Shqipërisë. Reshjet e fundit shënuan rekord krahasuar edhe me vitin 2015, por është fakt që edhe angazhimi i FA shënoi rekord. Ky realitet angazhimi tregoi se kemi investuar dhe jemi përgatitur për këto ditë”, tha Xhaçka, ndërsa vuri në dukej se, angazhimit të mijëra efektivë iu bashkua bashkëpunimi dhe gatishmëria e  të gjitha institucioneve të  linjës, përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe prefektëve, që kanë vetëm pak ditë në detyrë.

“Kjo ishte vetëm faza e parë e përballimit të emergjencave, por puna jonë sapo ka filluar, po koordinojmë me partnerët në NATO, me qëllim kurimin e kësaj fatkeqësie që la pas plagë. Kosova është krahu tjetër i shqiponjës dhe ju përcjell një falënderim të veçantë për ndihmat”, tha Xhaçka në fjalën e saj.

Ministrja u shpreh para ushtarakëve dhe familjarëve të tyre, të pranishëm në këtë ceremoni, se është fakt që FA shënoi rekord në përballimin e kësaj jave të vështirë emergjencash.

“FA i janë ndodhur pranë çdo njeriu, duke rritur sigurinë te shteti. Ky vend ka djem dhe vajza që i dalin për zot në ditë më të vështira. Një falënderim të veçantë e kam për nënat, bashkëshortet dhe fëmijët e ushtarakëve, që janë mbështetja më e madhe për ta. FA do vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, ditë dhe natë. Na pret një organizim dhe më i mirë në vitet e ardhshme, pasi Emergjencat Civile janë nën FA. Specialistët tanë nuk do jenë në terren vetëm për të menaxhuar emergjencat, por edhe për të bërë analiza”, tha Xhaçka.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Xhaçka nderoi Repartin e Farkës, bazën e Mbështetjes Rajonale dhe Xhenios. Ajo gjithashtu i dha medalje për kontribut të shquar, Batalionit të këmbësorisë Poshnjë, reparti ushtarak 5010.

U nderuan me Medaljen e Luftëtarit për pjesëmarrje në misionet ushtarake batalioni Komando, reparti ushtarak 1020 dhe batalioni i dytë i këmbësorisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.