Kryeartikull

Berisha dhe Meta duan të mbajnë në jetë garantin

Nga Skënder Minxhozi

Ka një zyrë në këtë shtet, një institucion, madje më saktë një person në hierarkinë e lartë, i cili ka futur prej kohësh në sherr të gjithë klasën tonë politike. Është një person që kthen e rikthen në jetë në mënyrë të përsëritur aleancën e dikurshme Berisha-Meta të viteve 2009-2013.  Është prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla, njeriu i emëruar me 72 vota në parlament nga PD dhe LSI, të cilin këto dy parti po përpiqen ta mbajnë sa më gjatë në post, edhe këto orë kur i ka mbaruar mandati. Një figurë që ka qenë aty që nga dita kur është zgjedhur, si garanti i një pushteti me dy koka, që vijon të përpiqet të mbajë peng me të gjitha mënyrat rënien e kastës së vjetër të drejtësisë shqiptare. Si një parakusht për të ruajtur të paprekur imunitetin personal aq të vënë në pikëpyetje muajt e fundit nga reforma në drëjtësi.

Adriatik Llalla po e sheh veten në syrin e një cikloni që po vonon ta japë goditjen por që tashmë ka vënë në lëvizje shumë ujra. Sidomos në ambjentin politik, aty ku rënia e “tapës” së organit të akuzës, mund t’i hapë rrugë hemoragjisë së hetimeve, që nuk dihet se deri ku mund të shtrihen më pas. PD dhe LSI kanë humbur shumicën qeverisëse, por po përpiqen të ruajnë çka të munden nga qendra tjetër e madhe e pushtetit: drejtësia. Kanë kthyer mbrapsht çdo ftesë të maxhorancës për të negociuar kryeprokurorin e ri, kanë sulmuar thusje çdo ditë ambasadorë të huaj e institucione ndërkombëtare, kanë vënë barrikada në komisionet parlamentare, podiume politike dhe media, në mbrojtje të një pozicioni të vetëm: zgjatjen e qëndrimit të Adriatik Llallës në zyrë.

Nga ana tjetër, të dyja partitë e mësipërme akuzojnë në kor Ramën se po kërkon të kapë drejtësinë. Një akuzë që të bën të shqyhesh gazit, kur sheh se nga cili drejtim vjen. A ka sadopak të drejtë Sali Berisha dhe Ilir Meta të flasin për kontroll mbi drejtësinë, kur kanë në duar, prej dy dekadash e gjysëm, skeptrin e pronarëve të vetëm dhe të padiskutueshëm të sistemit të kalbur dhe të superkorruptuar të drejtësisë shqiptare? A kanë sadopak të drejtë të thonë diçka për abuzim ndaj institucionit të akuzës, kur shkelën ligjin, në kohën kur ishin në pushtet, duke i ndaluar pikërisht kryeprokurorit të kohës, hetimet mbi 21 janarin?! A mund të mbrohet sot me kaq forcë dhe stoicizëm trashëgimia e paqenë e Adriatik Llallës në krye të prokurorisë, kur merita e tij e vetme ka qenë mbyllja, e jo hapja e çeshtjeve në ngarkim të politikës e biznesit.

Opozita e sotme po mbron veten duke mbrojtur në “kohë shtesë” Adriatik Llallën. Paneli që fillon në krahun e djathtë të sallës së Kuvendit e që mbaron në zyrat e Presidencës, po zhvillojnë betejën finale për t’i dhënë qysh në krye të herës një formë të shtrembër procesit të transformimit të drejtësisë shqiptare. Një procesi i cili, siç e kanë thënë qartë dhe prerë amerikanët dhe europianët, nuk mund të vijojë me Llallën në zyrë. Berisha dhe Meta po përdorin lidershipin e çoroditur të Lulzim Bashës, për të hedhur sa më shumë tym dhe për të krijuar sa më shumë destabilizim në rrugën ku po shkel reformimi i drejtësisë. Duke avancuar një axhendë thellësisht personale dhe krejt shpërfillëse ndaj nevojës urgjente të ndryshimeve të thella që duhen në drejtësinë shqiptare.

Kjo piskamë vaji që këndohet çdo ditë për fatin e Llallës është në fakt materializimi i frikës trevjeçare që PD e LSI kanë nga përmbysja e sistemit të vjetër klientelist të drejtësisë shqiptare. Prandaj Adriatik Llalla duhet të rrijë sa më gjatë në zyrë, edhe pse pa mandat dhe me një bilanc anonim që nuk i hyn në punë askujt. As atij vetë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button