Home / Bota / ISIS rekruton femra “për të lindur dhe gatuar”

ISIS rekruton femra “për të lindur dhe gatuar”

isis-rekruton-femra-ldquo-p-euml-r-t-euml-lindur-dhe-gatuar-rdquo_hdShteti Islamik po inkurajon femrat të marrin rrugën drejt territoreve të grupit dhe të martohen me luftëtarët e tij. Raportimet për femrat që po i përgjigjen thirrjeve të xhihadistëve për të mbështetur ISIS-in tashmë janë në rritje.

Disa muaj pas shpalljes së një kalifati islamik, Shteti Islamik (ISIS), i cili ka zënë pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut, po përpiqet të adresojë një nevojë si çdo shtet tjetër: femrat.

Në internet, në rrjetet sociale, militantët ekstremistë sunitë po rekrutojnë femra për t’u martuar me udhëheqësit e tyre dhe për të lindur fëmijë, si pjesë e një strategjie të gjerë të shtetndërtimit.

“Ata po e trajtojnë Shtetin Islamik si një vend që ka nevojë për femra”, ka deklaruar Rita Katz, drejtoreshë e grupit të inteligjencës SITE, i cili monitoron aktivitetin online të organizatave militante.

“Mesazhi është ky: ‘Ju vini këtu për t’u martuar me dikë menjëherë, dhe për të bërë fëmijë dhe për të gatuar’. Ata po ndërtojnë një shtet”, ka treguar Katz për Los Angeles Times.

Teksa grupi po shënjestrohet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, dhe po rrezikon që të humbë territorin që e ka zaptuar, një zgjerim dygjinor i anëtarësisë mund ta bëjë atë, apo të paktën ideologjinë e tij më të vështirë për ta çrrënjosur.

Edhe para ngritjes së Shtetit Islamik, një numër i vogël femrash, kryesisht evropiane, nisën të mbërrinin në pjesë të Sirisë si gra të xhihadistëve të huaj, duke “kthyer imazhin fillestar të Sirisë si xhihad me pesë yje”, ka thënë Charles Lister, aktivist i Brookings Doha Center me seli në Katar, transmeton gazeta Tribuna.

“Fakti se familje të tëra shkojnë në Sirinë Veriore që mbi një vit ka shërbyer pa dyshim për të rritur besimin se një shtet apo të paktën një krijesë e re islamike po formohet”, ka thënë Lister.

Duke përdorur mjetet e rrjeteve sociale që kanë ndihmuar për joshjen e mijëra militantëve islamikë nga e mbarë bota, anëtarët e grupit po inkurajojnë femrat të marrin rrugën drejt Sirisë për të krijuar familje.

Rekrutet të cilat tashmë janë vendosur në Siri veç po propagandojnë: Në Twitter e Tumblr, ato përdorin zhargonin e internetit teksa mbështesin sulmet ndaj minoriteteve fetare, citojnë udhëheqësit ekstremistë dhe i gëzohen ekzekutimit të gazetarëve amerikanë.

Njoftimet nga Shteti Islamik paraqesin një pamje të një vendi në formim e sipër, me institucionet e veta qeveritare, programin shkollor dhe ligjet e trafikut.

Ka sugjerime të herëpashershme se femrat mund të bëhen mësuese, infermiere apo mjeke.

Por, disa banorë kanë raportuar se femrat që jetojnë në zonat e kontrolluara nga ISIS nuk janë të lejuara që të largohen nga shtëpia e tyre pa një shoqërues mashkull, duke rrezikuar arrestimin apo edhe rrahjen me kamxhik nëse kapen.

Raportimet për femrat që po i përgjigjen thirrjeve të xhihadistëve për të mbështetur ISIS-in janë tashmë në rritje.

“Gjashtë apo shtatë muaj më parë ishin mbase një apo dy, por papritmas tani janë bërë shumë femra që po shkojnë”, ka thënë drejtoresha e grupit të inteligjencës SITE, Katz.

Leave a Reply

Your email address will not be published.