Home / Kosova / Opozita: Qeveria jo serioze në angazhimin e proceseve integruese

Opozita: Qeveria jo serioze në angazhimin e proceseve integruese

opozita-qeveria-jo-serioze-n-euml-angazhimin-e-proceseve-integruese_hdPartitë opozitare vazhdojnë të vlerësojnë se Qeveria e Kosovës nuk po tregohet serioze në procesin e integrimeve evropiane. Sipas tyre, kriza me mos themelimin e institucioneve po ndikon jashtëzakonisht shumë në këtë proces, derisa fajtore për këtë e bëjnë PDK-në që udhëheq me Qeverinë.

Por, në anën tjetër zyrtarë të Qeverisë thonë se partitë opozitare e kanë detyrë të kritikojnë, po ato i vlerësojnë si jo të qëndrueshme.

Deputetja e Vetëvendosjes, Puhie Demaku, thotë se prej kur është pavarësuar Kosova dhe është marrë përsipër shtyrja përpara e agjendës evropiane, ka munguar një seriozitet nga ana e qeverisë.

“Të gjitha qeveritë e mëparshme e kanë pasur gojën plot integrim evropian, liberalizim të vizave…, ndërkohë që as puna që e kanë bërë në Qeveri dhe në terren në përgjithësi nuk e ka reflektuar seriozitetin që e meriton ky proces. Si Vetëvendosje mendojmë se me integrim evropian është që të përmirësohen kushtet e jetesës në Kosovë”, thotë Demaku.

Sipas saj, përveç jo seriozitetit të treguar edhe kriza politike me mos themelimin e institucioneve e rëndon edhe më shumë procesin e integrimeve.

Megjithatë, ajo mendon se problem kryesor mbetet mungesa e një strategjie për integrim.

Demaku si jo serioze e ka vlerësuar edhe ndërrimin e udhëheqësve të delegacionit të Kosovës për negociatat për procesin integrues.

Edhe ish anëtarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme nga AAK-ja, deputetja Donika Kadaj-Bujupi tha se asgjë nuk është bërë në procesin e integrimit, pasi sipas saj, Kosova është zaptuar nga një pushtet që ka qenë i fokusuar në monopolizimin e gjithçkaje.

Por, Ministri në Detyrë i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, tha se ata kanë bërë dhe po bëjnë gjithçka që procesin e integrimeve evropiane ta jetësojnë sa më shpejt.

“Në raport me MI-në në përgjithësi, kritikat nuk kanë qenë aq të mëdha, meqë Ministria e Integrimit ka dëshmuar në të gjitha raportet që ajo ka qenë prijëse e krijimit të një imazhi shumë pozitiv por edhe në raport me vet institucionet e BE-së. Procesi i integrimit evropian, ka qenë gjithpërfshirës dhe besoj se kjo është vlerësuar nga të gjithë akterët, nga të gjitha subjektet politike dhe ajo që ne në ministri kemi krijuar është një vazhdimësi, një trashëgimi”, tha Kasapolli.

Kasapolli thotë se proceset integruese janë duke shkuar mjaftë mirë, po edhe kriza politike mund të ndikoj nëse vazhdon ky ngërç politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.