Kosova

Blloku paralajmëron mundësinë e zëvendësimit të Brovinës

blloku-paralajm-euml-ron-mund-euml-sin-euml-e-z-euml-vend-euml-simit-t-euml-brovines_hdZyrtarë nga partitë e bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje paralajmërojnë mundësinë e përsëritjes së skenarit të njëjtë me kryesuesen e seancës, Flora Brovina. Ata thonë se nëse ajo vazhdon me bllokimin e Kuvendit, do të zëvendësohet sikur në seancën e kaluar.

Blloku LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje po konsiderojnë se Flora Brovina si kryesuese e Kuvendit në bazë të moshës, po mban pozicion përkrahës ndaj PDK-së.

Por, sipas tyre, kjo nuk do të zgjas përjetësisht. Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi thotë se do t’i gjendet zgjidhja kësaj bllokade.

“Është një proces i cili përjetësisht nuk do të zgjas, sepse do të organizohemi po ashtu bazuar në rregulloren e Kuvendit, në mënyrë që të kërkojmë që nëse në të ardhmen vazhdon rezistimi nga ana e kryesueses për të mos udhëhequr këtë seancë, e njëjta do të zëvendësohet siç parashihet në rregulloren e Kuvendit dhe ligjet në fuqi”, tha Kadaj-Bujupi për Radio Kosovën.

Por, se kur do të mbahet kjo seancë ende nuk dihet.

Dardan Molliqaj nga Vetëvendosje nuk e përjashton mundësinë e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme.

“Ne nuk do të thërrasim seancë të jashtëzakonshme derisa Flora Brovina ta thërras seancën. Nëse zonja Brovina nuk e thërret seancën, do ta thërrasim ne seancën e jashtëzakonshme”, tha Molliqaj për Radio Kosovën.

Deputetja e AAK-së, Kadaj-Bujupi thotë se nuk ka kohë për të humbur për mbajtjen e kësaj seance.

“Konsiderojmë që kjo duhet të ndodhë brenda kësaj jave dhe sa më shpejtë”, tha Kadaj-Bujupi.

Cilido bllok që propozon kandidat për kryeparlamentar, për analistin Artan Muhaxhiri, çështja e kryeparlamentarit do të mbetet e pazgjidhur nëse nuk ka marrëveshje.

“Mund të ketë kandidime të pafundme të deputetëve, mirëpo nëse nuk ka marrëveshje, atëherë as kandidati i PDK-së, por as i LAN-it, nuk mund të zgjidhet”, tha Muhaxhiri.

Ndryshe, PDK-ja, së cilës Gjykata Kushtetuese ia ka njohur të drejtën e patransferueshme të kandidatit për kryeparlamentar, thotë se është e gatshme për të biseduar me partitë tjera, porse thekson se nuk bën kompromis “mbi vullnetin e qytetarëve dhe mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button