Home / Kronika / Kryeprokurori, ‘Ligjet’ publikojnë raportin: Tre kandidatë plotësojnë kriteret

Kryeprokurori, ‘Ligjet’ publikojnë raportin: Tre kandidatë plotësojnë kriteret

Komisioni parlamentar i ligjeve miratoi sot raportin për shtatë kandidatët për Kryeprokuror të Përkohshëm të Republikës, i cili i përcillet Kuvendit të Shqipërisë.

Deputeti i PS, anëtar i Komisionit të Ligjeve, Bledi Çuçi publikoi emrat e kandidatëve të kualifikuar të cilët përmbushin kriteret ligjore për të vijuar më tej këtë garë.

Çuçi deklaroi se Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani përmbushin të gjitha kriteret ligjore pasi kanë shkollën e magjistraturës, gradën shkencore dhe 15 vite përvojë pune si prokurorë.

Ai bëri të ditur se kandidatët të cilët nuk përmbushin kushtet ligjore janë Arqile Koça, Artur Selamni, Besnik Muçi dhe Granit Shahu.

Raporti i detajuar nga Komisioni i Ligjet do ti përcillet Kuvendit ku do të votohet për emrin e kryeprokurorit të ri të përkohshëm  i cili do të zëvendësojë Adriatik Llallën të cilit i mbaroi mandati në 7 dhjetor.

Raporti vlerësues i Komisionit të Ligjeve për kandidatët:

Nga shqyrtimi për kriteret e përmbushura për Arqile Koça rezulton se përmbush kushtin formal, me 15 vite përvojë pune; kushtet dhe kriteret për funksionimin e prokurorisë për integritetin profesional dhe moral; sa i takon raportit të konfliktit të interesave përmbush kriteret; por nuk ka gradë shkencore.

Kandidatja Arta Marku rezulton se përmbush kushtet e kriterit ligjor për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë, ka titullin magjistratë, dhe përmbush edhe kriterin e vjetërsisë në punë, me 15 vite përvojë; përmbush kushtet ligjore për integritetin moral dhe profesional; po kështu edhe materialet nga ILDKPKI dhe Autoriteti i Dosjeve i përmbush kushtet; edhe sa i takon vlerësimit profesional rezulton se i ka marrë të gjitha vlerësimet.

Kandidati Artur Selmani përmbush kushtin formal me 15 vite pune si prokuror, plotëson pjesërisht kushtet për organizmin dhe funksionimin e prokurorisë që lidhen me integritetin moral dhe profesional të kandidatit, për ketë i referohemi dokumentit të dorëzuar nga ILDKPKI. Plotëson kriteret sa i takon dokumentacionit të ardhur nga Autoriteti i Dosjeve, por ka nj masë disiplinore gjatë ushtrimit të funksionit si prokuror; si dhe nuk ka gradën shkencore në këtë fushë.

Kandidati Besnik Muçi plotëson kushtet e kriterit ligjor për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë; përmbush kushtet ligjore për integritetin moral dhe profesional; po kështu edhe materialet nga ILDKPKI dhe Autoriteti i Dosjeve i përmbush kushtet; nuk përmbush kushtin e vjetërsisë në punë, pasi ka 14 vite punë si prokuror.

Kandidati Ferdinand Elezi rezulton se përmbush kushtet e kriterit ligjor për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë; përmbush kushtet ligjore për integritetin moral dhe profesional; po kështu edhe materialet nga ILDKPKI dhe Autoriteti i Dosjeve i përmbush kushtet; edhe sa i takon vlerësimit profesional rezulton se i ka marrë të gjitha vlerësimet.

Kandidatja Ermira Tafani përmbush kushtet e kriterit ligjor për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë; përmbush kushtet ligjore për integritetin moral dhe profesional; po kështu edhe materialet nga ILDKPKI dhe Autoriteti i Dosjeve i përmbush kushtet; edhe sa i takon vlerësimit profesional rezulton se i ka marrë të gjitha vlerësimet.

Kandidati Granit Shahu nuk përmbush kushtin e vjetërsisë si prokuror; nuk përmbush kushtet e kriterit ligjor për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë; si dhe kushtet ligjore për integritetin moral dhe profesional; për këtë shikoni materialet nga ILDKPKI dhe Autoriteti i Dosjeve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: