Kronika

Shteti pagoi Balilin; tendera e kontrata pas shpalljes në kërkim

Më 14 dhjetor 2016 Ambasadori Amerikan Donald Lu i kërkoi publikisht Qeverisë arrestimin e Klement Balilit.

“Si mund të shpjegojmë ndryshe faktin, që trafikanti i paprekshëm i drogës, Klement Balili është ende i lirë?!”, deklaronte kryediplomati amerikan në Tiranë.

Pas kësaj Klement Balili jo vetëm nuk u arrestua, por vetëm dy javë më vonë, më 28 dhjetor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i dha kompanisë “Balili Co” 7 mijë dollarë shtesë mbi kontratën 35 mijë dollarëshe për ruajtjen e godinës në Sarandë.

Biznesi i Balilajve me shtetin ka vazhduar, pavarësisht thirrjeve publike të ndërkombëtarëve ndaj qeverisë. Rreth 3 muaj pas thirrjes së ambasadorit Lu, në 3 prill të 2017, zyra e administrim-koordinimit Butrint, një institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës, i ka dhënë një tjetër tender kompanisë “Balili Co” me vlerë 70 mijë dollarë. Madje përmes procedurës kërkesë për propozim, pra jo me garë të hapur.

Të dhënat zyrtare nga Thesari i Shtetit tregojnë se gjatë tre viteve të fundit “Balili Co”, kompania e zotëruar nga vëllai i Klement Balilit ka përfituar mbi 850 mijë dollarë tendera publikë.

Kulmi i ironisë është shërbimi i ruajtjes me polici private që Bashkim Balili i ka ofruar prokurorive të rretheve, pikërisht kur vëllai i tij, Klement Balili, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.

Kompania e zotëruar nga Bashkim Balili ka marrë parà për të ruajtur prokuroritë në jug të vendit: prokurinë e Sarandës, të Gjirokastrës dhe të Përmetit, sic tregohet edhe nga transaksionet e Thesarit.

Sipas dokumentave të bërë publike nga “Open Data Albania”, për periudhën 2015-2017, kompania “Balili Co” ka përfituar kontrata publike nga një sërë institucionesh shtetërore: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Bashkia Sarandë, Prefektura e Qarkut Vlorë, Drejtoria e Peshkimit dhe Akua-kulturës në Tiranë, Spitali i Delvinës, Universiteti Politeknik, Parku i Butrintit, etj.

Klement Balili ka qenë në qendër të akuzave politike mes maxhorancës dhe opozitës edhe për përfitim të tokave bujqësore. Të enjten në seancë plenare deputeti socialist Erjon Braçe akuzoi ish-ministrin e bujqësisë Edmond Panariti se gjatë kohës që ishte në bashkëqeverisje me socialistët, u kishte dhënë Balilajve tokë bujqësore për shfrytëzim.

Por, Top Channel tregoi një ditë më parë se toka prej 21ha e ish-Shkollës Bujqësore Delvinë, që shkolla e kishte pasur për nevojat e saj mësimore, i kaloi Ministrisë së Bujqësisë pas propozimit të Ministrisë së Arsimit.

Sipas kësaj VKM-je argumenti i kalimit të tokës nga Ministria e Arsimit te ajo e Bujqësisë është për vënien në efiçencë të tokave të pakultivuara dhe të lëna djerrë.

Pas këtij momenti, toka doli në ankand dhe fitues u shpall kompania “Balili Co”, që i mori 21 ha me një qira vjetore prej 280 mijë lekë me afat 90-vjeçar.

Kontratat publike kanë përmirësuar rezultatin financiar të kompanisë. Sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesi “Balili Co” rezulton të jetë themeluar në vitin 2001. Por të dhënat zyrtare nga Open Data Albania, tregojnë se xhiroja e kompanisë u rrit me gati tre herë në tre vitet e fundit, nga rreth 500 mijë dollarë që ishte në vitin 2014 në 1.5 milionë dollarë vitin e kaluar, ndërsa fitimi në 2016 u rrit në 150 mijë dollarë.

150 mijë dollarë mund të duket pak në raport me të ardhurat që Balilajt dyshohet se kanë përfituar nga trafiku i drogës, por aktiviteti i pastër ekonomik i kompanisë tregon se askush nga politika sot nuk mund të thotë se nuk ka bërë biznes me ta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button