Home / Ekonomia / Në Prespën turistike që vetëm këtë vit mikpriti rreth 80 mijë vizitorë

Në Prespën turistike që vetëm këtë vit mikpriti rreth 80 mijë vizitorë

Nga Nikolla Lena

Mbi 80 mijë vizitorë kanë kaluar apo janë relaksuar në hapësirat e liqeneve të Prespës këtë vit. Statistikat janë publikuar nga Administrata e Zonave të Mbrojtura të Korçës që mbulojnë këtë rajon. Prespa, ose Liqeni i Prespës është ndër liqenet me ujëra të pastra dhe të freskëta në Evropë, që u takon tre shteteve Maqedonisë, Shqipërisë dhe Greqisë.

Liqeni i Prespës, është një nga zonat më tërheqëse turistike të Ballkanit. Përveç bukurive  natyrore shquhet për florën dhe faunën mjaft  të pasur. Kjo është një nga arsyet që ky liqen është tepër i vizitueshëm në periudhën e ngrohtë të verës.

Turistë të shumtë nga vendi dhe bota, mbërrijnë aty  dhe tërhiqen nga kurioziteti natyrorë, historik dhe kulturor  që gjendet në ishujt e liqenit. Ndërsa kurioziteti final i vizitorëve është ishulli i Maligradit. Ishulli i Maligradit, nga larg ngjan me një sofër gjigante në mes të ujit dhe në  ditët e verës ka mjaftë vizitorë.

Në bregun e tij perëndimor ndodhet shpella e Kishës, e cila për formën e veçantë dhe të çuditshme, u quajt vend i shenjtë. Aty është ndërtuar një kishë e vjetër në shek. XIV. Për të shkuar në ishullin “mistik”të Maligradit, një kreshtë shkëmbore që sfidon me ashpërsinë e pamjes së tij,  nevojiten varkat. Çdo shtëpi e fshatit ka varkën e vet, por turistët duan siguri dhe kërkojnë të vozitin me peshkatarë, sepse ata ia dinë mirë hiletë varkës dhe  liqenit.

Peshkatarët këtu i gjen me shumicë duke peshkuar apo thurur rrjetat e peshkimit. Na thonë se këtu vijnë shumë turistë për të vizituar natyrën apo kishat dhe shpellat. Ata kështu bëhen dhe një burim i mirë tregtie për peshkun dhe produktet e fshatit. Dallohet qartë që vendasit kanë disa vjet që u janë kthyer atyre gjërave tradicionale, peshkimit, ndërtimit, bujqësisë dhe blegtorisë dhe sëfundmi turizmit.

Bie fjala, i janë kthyer prodhimit të drufrutorëve të tyre, vreshtarisë, mollëve e kumbullave që i kishin lënë pas dore në kohën e tranzicionit.

Kur e shikon në distancë ishullin e Maligradit dhe tenton t’i afrohesh atij, ndjen se i afrohesh një enigme apo legjende.  Banorët flasin për një “përbindësh”që është parë në ujërat e këtij liqeni, që shfaqej e zhdukej në netët me hënë, që e kishte parë filani e filani,që paska shkruar dhe BBC  e paska transmetuar një reportazh për këtë ngjarje..e plot gojëdhëna të tjera, por që kanë një të vërtetë, që Prespa vazhdon të jetojë mbi gërmadhat e një qytetërimi tepër të hershëm pellazgo-ilir.

Peshkatarët  thonë se vetë nuk e kanë parë “përbindëshin” misterioz, por dyshojnë se mund të këtë qenë ndonjë peshk i madh apo impression nga e shkuara misterioze.

Po, misteret e Prespës nuk mbarojnë këtu. Banorët të thonë se se shumë druvarë që shkojnë në mal për të prerë trupa kanë parë disa hije të çuditshme mbi liqen. Legjenda misterioze e “përbindëshit të Prespës” mbetet ende legjendë, paçka, le të mbetet, ndonjëherë misteret dhe legjendat i tërheqin më tepër turistët dhe vizitorët. Prandaj dhe unë shkrova para ca kohësh për turizmin mitologjik.

Ai duhet shfrytëzuar si një burim i mirëfilltë turizmi e fitimi. Vendi ynë është i mbushur me legjenda e mite, ato duhen nxjerrë në dritë dhe duhen reklamuar.

“Maligrad” është fjalë në maqedonisht, që në shqip përkthehet “qytet i vogël”. Në pjesën maqedonase të liqenit ka një ishull tjetër të ngjashëm me këtë, por 4-5 herë më të madh dhe për këtë arsye quhet “Golemgrad” që në shqip do të thotë “qytet i madh”.

Shpeshherë turistët i vizitojnë të dy ishujt. Edhe në ishullin tjetër ka dy kisha ortodokse të periudhës byzantine. Ndërsa në Maligrad, ndodhet një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore, Kisha e Shën Mërisë, që  daton në Shekullin XIV. Këtu  janë gjetur edhe objekte të tjera arkeologjike si tjegulla, kolona e kapitele që sipas arkeologëve i përkasin një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit.

Sipas vendasve, mendohet se pjesa e vizitueshme e kësaj kishe është rindërtuar nga Car Simeoni dhe se në pjesën e sipërme të ishullit shkëmbor gjenden edhe sot rrënojat e vilës verore të shekullit XI. Mandej, në ballinën e kishës  ndodhen afresket me piktura të portreteve të Carit që e rindërtoi kishën, bashkëshortes së tij, dhëndrit dhe vajzës së tij të cilët janë kurorëzuar në altarin e kishës së Shën Mërisë këtu në ishull. Kisha e Shën Mërisë është një objekt kulti i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësit shqiptarë të Muzakajve.

Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.

Atraksionet kulturore që tërheqin turistët këtu janë të pashtershme. Në shpellën e Maligradit, ku ndodhet Kisha e Shën Mërisë, janë dy afreske të rralla, “Puthja e Judës” dhe “Shën Mëria”. Ndërsa në një libër të shkruar nga Gjon Muzakaj shkruhet se pikërisht në këtë ishull është varrosur gjyshja e tij.

Histori e legjenda vërtet të çuditshme. Të intrigojnë këtu në brigjet ku kryqëzohen kufijtë shtetërorë të tre vendeve jo vetëm legjendat e përcjella gojë më gojë, por edhe realiteti i prekshëm.

Disa vende eremitësh, që studiuesit i vendosin mes shekullit XII dhe XIII, më tej poshtë fshatit Gollomboç, në një vend që vendasit e quajnë “shpella e zezë” ndodhet Kisha e vjetër e Evangjelizmit, ku ruhet afresku i ungjillëzimit, në rrethinat e Shulit gjendet Kisha e vjetër e Shën Kollit me afresket e gdhendura në faqen e shkëmbit mbi shpellë.

Në saj të këtyre resurseve,Prespa po tërheq përditë e më shumë turist. Turizmi spelologjikë, përbënë një tjetër atraksion. Mjafton të shikosh shtimin e përditshëm të varkave dhe tavernave në breg të liqenit, kryesisht në verë, për të kuptuar se këtu ka një potencial të jashtëzakonshëm eko-turistik, të turizmit kulturor dhe atij folklorik, të turizmit mitologjik, të natyrës, të sporteve të ujit të ngjitjeve shkëmbore dhe të kulinarisë. /ATSH/

Leave a Reply

Your email address will not be published.