Home / Opinion / Pesë arsyet reale të zemërimit të opozitës

Pesë arsyet reale të zemërimit të opozitës

Bedri Islami

Dy ditë më parë, me votat e shumicës, që mund të ishin më të shumta nëse do të bëhej një votim normal dhe nuk do të shihnim deputetë që si rrjepacakë vidhnin kartonat, u zgjodh kryeprokurorja e përkohshme e vendit. Tek vetë passhtesa” e përkohshme” do të duhej të ishte qetësia dhe normaliteti në një sallë ku pamë më shumë njerëz që ulërinin, thirrje për të pushtuar parlamentin, sharje me degë e me rrënjë, se sa mendim. Sidoqoftë, me 69 apo me më shumë votat e shumicës, Arta Marku, një grua nga Fushë-Arrëzi, e zgjedhur me kujdes nga shumica, për të hequr vemendjen nga emri i saj, tani është kryeprokurore, e si e ka thënë vetë ajo, në një strukturë ku gjërat janë bërë lëmsh.

Ajo zëvendësoi njeriun që nuk guxoi të hetonte asnjë politikan, qoftë të së majtës, qoftë të së djathtës dhe vetëm kur e mori vesh se po ikte shpejtoi të ngrinte si një alibi çështjen “Tahiri”, si për të dashur të jepte një sinjal se, tani e tutje ai do të sulmohej dhe largohej pikërisht për këtë. Do të kishte qenë i besuar nëse do e kishte pasur seriozisht dhe këtë mund ta dëshmonte në njërin nga rastet më flagrante, atëherë kur, jo dy trafikantë, qofshin edhe Habilajt kushërinj të ish-ministrit, por vetë ish-kryeministri pohonte se “Lazarati ishte vepër e imja”, dhe këtë nuk e kishte bërë thjeshtë se donte të lulëzonte kanabisi në një fshat demokratik.

Sidqooftë Llala iku. Për herë të dytë kemi një kryeprokurore grua. Nënë e dy fëmijëve, tani nga veriu i Shqipërisë, nga një familje e lidhur me PD-në, ku ka pasur edhe deputetë të saj si pjesë e tyre.

Përse u zemëruan aq shumë deputetët e opozitës, sa që deshën të hedhin në erë parlamentin, ta pushtojnë atë dhe kushdo e vuri re se me cilët donin ta pushtonin? Përse , kaq shpejt, opozita aktuale, dikur në pushtet, shtatë vite më parë, u brengos aq shumë, dhe mirë bëri, për një gërvishtje të gjakosur të një deputeteje dhe bëri sikur nuk kishte qenë asgjë gjaku i katër demonstruesve në 21 janar, të cilët po i harron edhe partia e tyre dhe nga dëshmorë të demokracisë, po i trajton se viktima të pushtetit, nga i cili nuk u dënua askush?

Opozita të gjitha i di fare mirë. E di edhe pse njerëzit largohen nga Shqipëria. E di edhe se gjithkush do të kishte dashur të jetonte në vendin e tij nëse do të kishte pasur kushtet ekonomike, financiare e mbështetjen politike që kanë familjet e fëmijët e tyre. E di se duke hedhur këpucë, çanta,libra e letra në erë nuk largohet nga pushteti një forcë politike që i ka mundur edhe veç e veç, edhe sëbashku.

Janë disa shkaqe pse ka ndodhur e gjithë kjo maskaradë politike.

Së pari, Llalla ishte garanti i tyre në gjithë zullumet që kanë bërë. Në një farë mënyre ai ishte edhe garanti i shumicës, se dhe ato i ngacmoi vetëm kur i erdhi veza për të dalë. Ishte garanti i vendosur prej tyre si shenjë besnikërie dhe, sido të jetë, largimi i tij do të krijonte ndjenjën e panikut.

Në të gjithë vitet e qëndrimit të tij si Prokuror i Përgjithshëm, Llalla bëri të kundërtën e asaj që pritej dhe që shpallte çdo shtator. Dosjet e mëdha, të së djeshmes dhe të sotmes politike, vegjetuan. Do të ishte Prokurori i parë i Përgjithshëm , që jo pa arsye, do i ndalohej udhëtimi në Shtetet e Bashkuara dhe pasuria e të cilit do të shtohej marramendshëm. I shfaqur disa herë si militant partiak, ai mbeti deri në fund njeriu garant i mos prekjes së asaj që kishte ndodhur. Çudia më e madhe ishte, përse në fjalën e tij pas zgjedhjes së prokurores së re atë, publikisht, e falenderoi shefi i qeverisë!!!

Së dyti, loja me prokuror ishte planifikuar të zgjaste shumë në kohë dhe të lakohej përmes shumë emrave. Të gjitha hallkat e mundshme ishte menduar të përdoreshin për të bërë zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm në kalendat greke. Ishte menduar të vonoheshin të gjitha proçedurat, të zvarriteshin, sidomos ku janë njerëz të lidhur me opozitën dhe të krijohej në rrethrrotullim politik i shumëfishtë. Në fund, asnjëri nga kandidatët e mundshëm, nuk do të merrte votat e nevojshme dhe përsëri politika do të sillej rreth Prokurorit të Përgjithshëm.

Tani kjo lojë do të marrë fund më shpejt se sa ishte menduar. Shembullin e parë e dha Avokati i Popullit, që i lëvizi gjërat nga vendi. I ( e ) zgjedhur nga opozita, si një militante besnike e saj, ajo ishte tashmë e detyruar të hapte pikërisht atë rrugë që kishte mbyllur.

Loja është mbyllur. Vonesat nuk janë më në dobi të opozitës. Ajo do të shpejtojë dhe do të bëjë presion për të shpejtuar të gjithë proceset.

Së treti, droja e opozitës se prokurorja e re do të mbyllë dosjet e shumicës nëse janë hapur, është në të drejtën e tyre. Ata vetë kanë bërë ashtu, i kanë mbyllur dosjet në të gjithë mënyrat e mundshme. Edhe më skandalozet, që nga ato që kanë përfunduar me vrasje makabre, si Gërdeci, 21 janari, viti 1997, e deri tek ato që po shfaqen sot e kësaj dite me gjithë përmasat e tyre tronditëse.

Logjika e tyre të shpie në këtë drojë: prokurori i ri, aq më tepër ish-vartës i një deputeti socialist, mund të mbyllë dosjet, që mund edhe të mos jenë hapur deri tani. Sidomos dosjen “Tahiri”, kali i ri i betejës, sidomos në zgjedhjet e ardhshme vendore.

A do e bëjë këtë zonja Marku? Jam në ata që besoj se nuk do e bëjë. Nëse do të ketë fatin të qëndrojë shumë gjatë në detyrë, të dyja palët, edhe ata që e zgjodhën përmes tymueseve, edhe ata që e sulmuan me tymuese, do të jenë të zhgënjyer.

Ajo nuk ka asgjë për të humbur, por mund të fitojë shumë.

Së katërti, nuk është edhe aq frika e mbylljes së dosjeve, se sa frika e hapjes së dosjeve të fjetura prej kohësh.

Kjo e fundit do të ishte fatale për një klasë politike , e cila, për kaq vite është bërë gangrena më e madhe e këtij vendi. Dita e së hënës ishte ndoshta tablloja më e saktë se cilët kanë zgjedhur partitë si institucioni më i lartë i vendit.

Hapja e dosjeve të fjetura, ose edhe e të rejave, do të ishte një katekalizëm në politikën shqiptare. Ajo deri tani ka filluar nga banesat e thjeshta dhe ka vazhduar në vilat e mëdha; nga jeta e zakonshme në jetë sheikësh ballkanas. Është quajtur në fillim vizion, tani quhet vjedhje e pasurim.

Zonja Marku ndoshta nuk e ka tagrin të hapë të gjithë dosjet e fjetura e të reja, por ka mundësinë që të fillojë zbërthimin e parë të tyre.

Në anën e saj janë tre faktorë: bashkësia ndërkombëtare që qëndron pas zgjedhjes së saj; shumica qeverisëse që ende nuk e ndjen veten të rrezikuar dhe së fundmi, organet e fuqishme të Vettingut, të cilat do e monitorojnë edhe atë.

Zonja Marku ka hedhur një bast të rëndë në jetën e saj si pjesë e sistemit të drejtësisë. Nëse do të sjellë zhgënjim pas vetes, humbja më e parë do të jetë e saj dhe më e madhe e njerëzve që duan të besojnë.

Së pesti dhe së fundmi, për herë të parë është zgjedhur një Prokuror i ri i Përgjithshëm, megjithëse me kohë të përcaktuar, që nuk është rrjedhë e pazareve, dhunës politike, njëanshmërisë së skajshme dhe si rrjedhojë e largimit me dhunë të një prokurori të mëparshëm.

Pra, opozita e di fare mirë se, si e zgjedhura e tashme, ashtu edhe një e ardhshme, nuk do të jetë më pjesës e lojës së saj politike; nuk do të jetë një i përkëdhelur prej tyre dhe një i deleguar partiak.

Loja befas ndryshoi. Tani, ata që do të duan ndryshimin e gjendjes janë dy krahët e opozitës, ndërsa shumica, nëse do e ndjejë veten komode me zonjën Marku, do të dojë vazhdimin e saj.

Loja e përmbysur është droja më e madhe. Nuk janë më në lojë ashtu si e kishin menduar. Në fakt , janë jashtë lojës së përsëritur në 27 vite.

Leave a Reply

%d bloggers like this: