Home / Rajoni / Putin: Mbështesim çdo zgjidhje për Kosovën për të cilën pajtohen Beogradi e Prishtina

Putin: Mbështesim çdo zgjidhje për Kosovën për të cilën pajtohen Beogradi e Prishtina

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të martën se Rusia do të mbështesë çdo zgjidhje për çështjen e Kosovës me të cilën do të pajtoheshin Beogradi dhe Prishtina.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Moskë. Ai ritheksoi qëndrimin e Rusisë për të mbështetur tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Serbisë, ndërsa theksoi se situata në Kosovë duhet të zgjidhet në rrugë politike nëpërmjet dialogut në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Do të mbështesim çdo zgjidhje të pranuar në mënyrë të ndërsjellë që arrijnë Beogradi dhe Prishtina”, tha presidenti rus.

Presidenti serb shprehu mirënjohjen e tij për qëndrimin e Moskës ndaj çështjes së Kosovës, ndërsa e siguroi presidentin rus se Serbia do të vazhdojë të mbetet ushtarakisht e paanshme.

Presidenti serb ka theksuar vazhdimisht se vendi i tij synon integrimet evropiane por njëkohësisht dëshiron të ruajë marrëdhëniet me Rusinë, aleate tradicionale e Serbisë e cila kundërshton, po ashtu, pavarësinë e Kosovës dhe nuk e sheh me sy të mirë afrimin e vendeve të Evropës Juglindore me strukturat euro-atlantike.

Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. Presidenti serb ritheksoi se vendi i tij këtë nuk do ta bëjë kurrë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.