Rajoni

Komisioni Europian nuk do të kthejë regjimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor

Avramopoulos – KE i përkushtuar për të ruajtur udhëtimin pa viza në Schengen për Ballkanin Perëndimor, por apelon për përgjegjësi nga qytetarët dhe autoritetet e vendeve përkatëse.

Duke publikuar ҫështjet kryesore nga raportimi i Komisionit para Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian për funksionimin e regjimit pa viza me vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia si edhe me vendet e Partneritetit Lindor – Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, delegacioni i BE-së në Tiranë vuri në dukje se  Komisioni Europian thekson se kërkon përgjegjësi nga qytetarët dhe autoritetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Delegacioni i BE-së në Tiranë citon në njoftimin zyrtar, Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, i cili ka përshëndetur autoritetet e Shqipërisë për “përpjekjet e bëra për forcimin e masave në trajtimin e migrimit të parregullt dhe përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE, më të prekura deri tani”.

Përpjekjet duhen mbështetur më tej për të siguruar që progresi të vazhdojë i pandërprerë, veçanërisht fushatat e ndërgjegjësimit mbi detyrimet dhe kushtet e udhëtimit pa viza, përmirësimi i kontrollit të kufijve dhe shtimi i hetimeve dhe ndjekjes penale të grupeve të krimit të organizuar”. Përpjekjet kanë të bëjnë me frenimin e mëtejshëm të emigracionit të parregullt, luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, forcimin e rendit dhe sigurisë publike.

Shqipëria – vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve

Komisioni Europian në raportimin e tij vlerëson përpjekjet e autoriteteve në vendet e Ballkanit Perëndimor për të frenuar qytetarët e tyre të kërkojnë azil në vendet e BE. ” Këto përpjekje kanë rezultuar në një rënie të konsiderueshme të përgjithshme të numrit të kërkesave për azil të bëra në shtetet anëtare të BE-së nga qytetarët e vendeve të BP”.  Shqipëria është cilësuar në raportin në fjalë  si vendi “me numrin më të madh të aplikimeve të pabazuara për azil mes shteteve të Ballkanit Perëndimor  që udhëtojnë pa viza.

“Autoritetet shqiptare kanë qenë aktive për forcimin e masave për të trajtuar migracionin e parregullt dhe përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE më të prekura por ata duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime specifike, që nga forcimi i kontrolleve kufitare deri tek organizimi i fushatave informuese për udhëtimin pa viza” thekson raporti.

Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor  që udhëtojnë pa viza Komisioni Europian përmend Shqipërinë si vendin  që duhet të ndërmarrë „veprime të menjëhershme për të siguruar përparim të vazhdueshëm lidhur me sfidat e migracionit të parregullt”

Sipas EUROSTAT-it 27.500 qytetarë nga Shqipëria kërkuan azil në vendet e BE në vitin 2017. Vendi më i preferuar edhe këtë vit mbeti Gjermania, e ndjekur nga Franca, Holanda dhe Anglia.

Më shumë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Për Komisionin Europian, megjithë përpjekjet e vazhdueshme për të parandaluar dhe luftuar krimine organizuar, grupe kriminale nga Shqipëria dhe vendet e tjera të BP janë ende aktive. Raporti vë në dukje citoj se krimi i organizuar „ushtron veprimtari kriminale në vendet e BE-së që nga trafikimi i qenieve njerëzore, i mallrave të paligjshme, krimi ndaj pronës, kontrabanda e migrantëve deri tek krimi kibernetik”. Komisioni  Europian i bëri thirrje Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor   „t’i shtojnë veprimet e tyre për ta trajtuar më tej çështjen e krimit të organizuar”.

Raportimi i Komisionit Europian para Parlamentit dhe Këshillit Europian përbën një detyrim ligjor të Komisionit në kuadrin e mekanizmit të forcuar të pezullimit të vizave, të miratuar në mars 2017, për të monitoruar përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave nga vendet jo-anëtare të BE. Qytetarët e Malit të Zi, Serbisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë filluan të udhëtojnë në BE pa vizë që nga dhjetori 2009, ata të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës që nga fundi i vitit 2010.  Komisioni Europian do të raportojë gjithashtu për situatën në punët e brendshme dhe të drejtësisë në kuadër të raporteve të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

60 vende anembanë botës përfitojnë nga udhëtimi pa viza në BE. Komisioni Europian thekson se në disa raste, vendimet për lëvizjen pa viza në Zonën Shengen mbështeten në progresin e bërë nga vendet e interesuara në zbatimin e reformave të mëdha në fusha të tilla si forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni dhe migracioni i paligjshëm dhe përmirësimi i kapaciteteve administrative në kontrollin kufitar dhe sigurinë e dokumenteve.

Në cilat raste Komisioni Europian pezullon udhëtimin pa viza në zonën Schengen?

Komisioni Europian ka parashikuar rastet kur udhëtimi pa viza në zonën Schengen të BE pezullohet. Kjo masë është parashikuar në rast se ka një rritje të konsiderueshme (më shumë se 50%) e migracionit të parregullt dhe kur qytetarëve nga vendet e BP që u është refuzuar azili vazhdojnë të qëndrojnë në mënyrë të parregullt. Pezullimi parashikohet të aplikohet edhe kur ka rënie të bashkëpunimit për riatdhesim, në rastet e rritjes së refuzimit të aplikimeve për riatdhesim. Dhe së fundi kur emigrantët e parregullt përbëjnë një rrezik në rritje për sigurinë e shteteve anëtare të BE dhe kur ata kanë kryer  vepra të rënda penale.

Komisioni do t’i raportojë përsëri Parlamentit Evropian dhe Këshillit për përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave në vitin 2018.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button