ArteKronika

Riccardo Cocciante merr “Çelësin e Tiranës” nga Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim këngëtarin dhe kompozitorin e njohur italian, Riccardo Cocciante, dhe këngëtaren shqiptare Elhaida Dani, të cilët performuan në skenën e Festivalin të 56 të Këngës në RTSH.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi këngëtarin Cocciante për gjithçka ka bërë për Shqipërinë, por në mënyrë të veçantë për promovimin e artistëve shqiptarë, dhe në shenjë mirënjohjeje i dhuroi atij çelësin e qytetit. I rikthyer në Tiranë pas 4 vitesh, këngëtari Cocciante u shpreh i surprizuar për transformimin që ka pësuar kryeqyteti.

“Ndihem si njëri prej jush. Falë këtij çelësi, tashmë ndihem si pjesë e këtij vendi dhe kjo më jep shumë kënaqësi. Faleminderit për miqësinë tuaj! Kam qenë këtu para katër vitesh dhe Tirana ka ndryshuar rrënjësisht, ka ndryshuar në sensin pozitiv.

Ju shpreh përgëzimet, sepse para disa vitesh kishte shumë punë për të bërë, iu vutë punës dhe dua të them se është një qytet që po rilind. Tirana po rilind, pikërisht nga problemet që ka pasur në të kaluarën dhe kjo duket qartë duke ecur nëpër qytet”, tha kompozitori italian. Kryebashkiaku Veliaj falenderoi dy këngëtarët për këtë vizitë dhe u shpreh se ata përfaqësojnë dy nga artistët më të dashur për shqiptarët. “Jam shumë i lumtur sot që kemi dy miq shumë të dashur për qytetin, të famshmin Riccardo Cocciante dhe të famshmen Elhaida Dani.

Më vjen mirë sepse përfaqësojnë dy gjenerata të frymëzimit në Shqipëri. Gjenerata e Cocciante-s është gjenerata e prindërve tanë, të atyre prindërve që gjatë komunizmit jetonin ditët e vështira dhe në mënyrë ilegale gjenin frymëzim në këngë të bukura që hapnin një dritare për një botë të re, një botë të cilën e takuam vetëm pas viteve ‘90.

Jam i sigurt që çelësi i qytetit të Tiranës është një tribut edhe në emër të prindërve tanë dhe gjeneratës së tyre për atë që përfaqësonte Cocciante, Italia dhe bota e civilizuar në ato vite”, u shpreh ai. Veliaj shtoi se, falë edhe kontributit të Cocciantes, Shqipëria ka sot një këngëtare të talentuar dhe që përfaqëson gjeneratën e re.

“Me vjen mirë që Elhaida është këtu, ajo është një urë për gjeneratën e të rinjve. Siç Cocciante përfaqëson prindërit, gjenerata e Elhaidës është gjenerata e atyre që vijnë nga familje të thjeshta, që nuk vijnë nga emra të mëdhenj, që nuk janë rritur në bllok, por që me sukses, me shumë pasion dhe me shumë punë ia kanë dalë.  Më vjen mirë që jam mes dy historive të suksesit që vazhdojnë të na frymëzojnë edhe sot”, tha Veliaj.

Këngëtarja shqiptare Elhaida Dani tha se.“Më ka mbështetur gjithnjë, vazhdon ta bëjë dhe fakti që pranon të kthehet gjithmonë në shtëpinë tonë është një nder për mua. Do performojë hitet e tij më të mëdha dhe do të kem fatin të këndoj me të”, tha Dani.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button