Home / Kosova / Daniel Serwer: “Shfuqizimi i Speciales, një vendim i pamatur”

Daniel Serwer: “Shfuqizimi i Speciales, një vendim i pamatur”

Analisti i njohur amerikan, Daniel Serwer konsideron se, shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale të Krimeve të Luftës nuk do të ishte një vendim i matur.

Në intervistën e dhënë “Zërit të Amerikës”, Serwer këmbëngul të tregojë se një veprim i tillë do të kishte pasoja për marrëdhëniet e Kosovës me Brukselin dhe me Uashingtonin.

“Nuk mendoj se kjo i intereson Kosovës, – shprehet ai. – Kosova është një vend sovran, është një demokraci dhe anëtarët e Parlamentit mund të ngrenë çdo çështje që dëshirojnë. Por kjo nuk do të thotë se do të ishte veprim i mençur ngritja e çështjeve të tilla”.

“Le ta themi hapur: arsyeja që gjendemi përpara kësaj situate janë të metat e sistemit gjyqësor në Kosovë. Kjo gjykatë nuk do të ekzistonte, nëse Kosova do të kishte bërë atë që duhej bërë për të vendosur sundimin e ligjit”, vazhdon Serwer.

Në sytë e analistit, motivet e nismës duhen kërkuar te personat që përpiqen t’i shpëtojnë përgjegjësisë dhe nuk duan që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të ndotet nga akuzat për veprime të jashtëligjshme.

“Por siç e shikoj unë, do të ishte shumë më keq, që individë të caktuar të mos vihen para përgjegjësisë për veprime të tilla, gjë që do të përlyente krejt emrin e kësaj organizate”.

“Në qoftë se ka njerëz që kanë qenë përgjegjës për veprime ilegjitime, ata – thotë analisti, – duhet të nxirren para drejtësisë”.

Të premten, 43 deputetë kërkuan në mënyrë të beftë, përmes një peticioni, mbajtjen e një seance të jashtëzakoneshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duke shkaktuar alarmin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët hynë në ambientet e Kuvendit.

Sipas një burimi të cituar nga “Koha Ditore”, shkaku i nismës së papritur ishin informacionet për ngritjen e aktakuzave të para ndaj disa politikanëve në prag të Krishtlindjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published.