ArteKronika

Festivali i 56-të në RTSH-Kënga “Mall” do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong 2018”

Festivali i 56-të në RTSH në natën finale ka dhuruar spektakël për publikun dhe ka përzgjedhur edhe fituesin që do përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong 2018.

Këngëtari i stillit rrok, Eugent Bushpepa, me këngën “Mall” ka triumfuar në natën finale të festivalit të 56-të të këngës në RTSH.

Performanca e Bushpepajt në skenën e Pallatit të Kongreseve u vlerësua maksimalisht nga juria duke rrëmbyer çmimin e parë. Kënga “Mall” do përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong 2018”.

Në fjalët e para pas shpalljes fitues, Eugent Bushpepa u shpreh shumë i emocionuar për këtë çmin dhe nderim që i bëhet. “I falenderoj të gjithë, shumë faleminderit për mundësinë që më dhanë për të përfaqësuar shqiptarët në “Eurovision”, do mundohem të jap maksimumin”, u shpreh rokeri.

Në vendin e dytë në festivalin e RTSH u rendit Redon Makashi me këngën “Ekziston”. Ndërsa vendi i tretë shkoi për Inis Nezirin me këngën “Piedestal”. Nën drejtimin e showman-it Adi Krasta dhe gazetares Jonida Shehu, i pari në skenë u ngjit Redon Makashi me këngën “Egziston”. Ashtu si natën e parë, Makashi sërish ndaloi orkestrën pas disa sekondave, ku rinisi edhe njëherë performancën e tij nga e para për shkak të problemeve me kufjet.

Në natën finale të festivalit të 56-të të RTSH e ftuar ishte Elsa Lila së bashku me bandën e saj muzikore, të cilët performuan për më shumë se 30 minuta përpara spektatorëve të Pallatit të Kongreseve. Gjithashtu, mes të ftuarve specialë ishte edhe këngëtari Alban Skënderaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button