Rajoni

Rumani: Reformë e kontestuar në drejtësi

Polonia dhe Hungaria ishin të parat, tani edhe Rumania po reformon drejtësinë, megjithë kritikat e shumta në vend dhe jashtë tij. Presidenti rumun duhet të vendosë nëse kjo reformë do të jetësohet.

Për protestën e tyre qytetarët rumunë zgjodhën një ditë simbolike. Të enjten, (21.12.) në vigjilje të përvjetorit të revolucionit rumun, presidenti Klaus Iohannis i paralajmëroi rumunët për zhvillimet në vend. “Në 1989 u thirr ‘poshtë komunizmi’, sot kjo thirrje dëgjohet sërish si një sinjal i qartë për politikanët, që po tregojnë se nuk kanë mësuar nga e shkuara. Të mbrosh idealet e revolucionit do të thotë të mbrosh institucionet e shtetit, vlerat e lirisë, demokracisë dhe respektit para qytetarëve.”

Besimi se në Rumani po rrezikohen shteti ligjor, demokracia dhe idealet europiane përmes një reforme në drejtësi bashkoi mijëra demonstrues, që prej javësh kanë dalë në rrugë. Ata protestojnë para parlamentit rumun, por edhe në qytete të tjera. Kujtojmë se që në fillim të këtij viti, qindra mijëra rumunë protestuan kundër planeve të partisë populiste të majtë, PSD.

Shteti ligjor në rrezik

Pas protestave atëherë dha dorëheqjen ministri i Drejtësisë, Florin Iordache dhe më vonë kreu i qeverisë, Sorin Grindenau. Protestat u zbehën, por me disa muaj vonesë, reforma u miratua sërish nga parlamenti, më 21 dhjetor, me shpejtësi dhe pa opozitën.

Kritikët bëjnë fjalë për një “puç parlamentar”. Pas votës parlamentare këtë reformë mund të ndalë vetëm presidenti Iohannis apo presioni nga jashtë. Në fokus të kritikave qëndrojnë ndryshime në kodin penal dhe rregulloreve të proceseve penale. Ato i mundësojnë qeverisë ndikim më të madh politik. Në të njëjtën kohë ato kufizojnë pavarësinë e gjykatësve dhe prokurorëve.

Në qendër të ndryshimeve nuk qëndron vetëm puna e gjykatësve dhe policisë, dhe autoriteti i njohur antikorrupsion i drejtuar nga Laura Codrupa Kövesi, por edhe raportimi për procedurat gjyqësore kundër korrupsionit dhe gazetarisë investigative. Një institucion epror dhe i vendosur nga politika ka të drejtën të veprojë kundër vendimeve të padëshiruara të gjykatësve dhe prokurorëve. Në të njëjtën kohë ata që fajësohen do të informohen se bëhen objekt hetimesh. Po ashtu në të ardhmen do të mund të mbyllen hetimet, po qe se prokurorë eprorë të vendosur nga politika, e konsiderojnë hetimin ilegal apo të paarsyetuar. Deri më tani, reagimi i BE është i përmbajtur, ndryshe nga reagimet në rastin e Polonisë dhe Hungarisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button