Rajoni

Serbia i dorëzon një kurd Turqisë

Politikani kurd, Cevdet Ayaz u ekstradua nga Serbia në Turqi. Këtë e konfirmoi ministria serbe e Drejtësisë. Komisioni i OKB-së kundër torturës pati paralajmëruar kundër ekstradimit.

Fjalën e fundit e kishte ministrja serbe e Drejtësisë Nela Kuburoviq. Në fund ajo ndoqi vendimin e gjykatave serbe, të cilat në dy instanca e patën gjykuar të lejueshëm nga ana ligjore ekstradimin e Cevdet Ayazit. Njëkohësisht ajo me sa duket injoroi një letër të Kombeve të Bashkuara, në të cilën paralajmërohej që të mos kryhej ekstradimi.

Shtetasi turk Ayaz është dënuar në atdheun e tij për shkak të “rrezikimit të rendit kushtetues” me 15 vjet arrest. Por arriti që të arratiset nga Turqia. Në portale kurde dhe rrjete sociale ai e paraqet veten si funksionar të Partisë Kurde të Lirisë në provincën lindore turke Mus. Ayazi e ka pranuar fajësinë përballë drejtësisë turke, por pasi mbërriti në Serbi tha se pranimin e pati bërë nën tortura.

Sipas medieve të Beogradit, Ayazi paraqiti në tetor 2016 kërkesë për azil në Serbi, por njëkohësisht nga Turqia ishte paraqitur për të një urdhër arresti. Procesi për ekstradimin para një gjykate serbe zgjati një vit.

Kur mbërriti letra

“Gjykatat kompetente kanë konstatuar se janë plotësuar të gjitha kushtet për ekstradimin e Ayazit dhe ministrja Kuburoviq e konfirmoi këtë. Letra e OKB-së erdhi më pas. Kur u mor vendimi, nuk ishte paraqitur letra”, citon shoqata investiguese serbe Insajder një shkresë të ministrisë së Drejtësisë.

Avokatja e Ayazit, Jelena Trkulja pohon të kundërtën: letra thotë ajo erdhi në 11 dhjetor – tri ditë para se gjykata e apelit të miratonte ekstradimin në Turqi.”Përballë gjendjes aktuale në Turqi dhe mënyrës se si vepron qeveria e atjeshme me disidentët politikë, druhem se e pret atje diçka serioze”, i tha Trkulja radiostacionit të Beogradit N1.

Serbia është një kandidat për anëtarësim në BE, por përpiqet që të ruajë marrëdhënie të mira me Lindjen. Krahas Rusisë dhe Kinës këtu bën pjesë gjithnjë e më shumë Turqia, prej së cilës në Serbi presin investime dhe bashkëpunim në furnizimin energjetik.

Në fillim të tetorit, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u prit në Serbi me një delegacion të madh me ceremoni të mëdha. Ministri i Jashtëm Ivica Daciq e mori personalisht mikrofonin dhe këndoi për Erdoganin – edhe në turqisht.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button