Bota

Marina britanike ndjek anije lufte ruse

Një fregatë e marinës britanike ndoqi në Krishtlindje anije lufte ruse. Nuk kanë qenë të parat incidente të këtij lloji. Qeveria britanike i dërgoi Rusisë pas kësaj një paralajmërim të ashpër.

Fregata britanike “HMS St.Albans” ndoqi fregatën ruse “Admiral Gorshkov” në afërsi të ujërave territoriale britanike. Këtë e bëri të ditur ministria britanike e Mbrojtjes të martën, një ditë pas incidentit. “HMS St Albans” u kthye pas kësaj në bazën e saj në Portsmouth.

Ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur se kohët e fundit janë shtuar anijet ruse që përshkojnë ujërat britanike. Kështu të dielën, anija patrulluese britanike “HMS Tyne” pati ndjekur një anije zbulimi ruse, e cila pati kaluar përmes Detit të Veriut dhe Kanalit të La-Manshës. Një helikopter i marinës pati vëzhguar dy anije të tjera ruse.

Britania e Madhe “Nuk durojmë asnjë formë agresioni”

Ministri britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson deklaroi pas incidentit se “nuk do të ngurroj që të mbroj ujërat tona” dhe se nuk “do të duroj asnjë formë agresioni”. Britania e Madhe nuk lejon që ta frikësojnë, kur është puna “për të mbrojtur vendin tonë, popullin tonë dhe interesat tona kombëtare.”

Raporti midis Rusisë dhe Britanisë së Madhe ka vite që është tepër i tensionuar. Aktualisht, një komision hetimor i Parlamentit britanik po heton dyshimet për sulme kibernetike ruse në referendumin britanik për Brexit në korrik 2016 dhe në zgjedhjet parlamentare britanike në qershor 2017.

Në vizitën e parë në Moskë që prej pesë vjetësh të një ministri të Jashtëm britanik, Boris Johnson u përpoq të premten për t’i dhënë fund periudhës së akullt. Në një konferencë shtypi me homologun e tij rus Sergej Lavrov u krijua megjithatë debat për përpjekjet e dyshuara ruse të manipulimit në referendumin për Brexit-in.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button