Home / Opinion / Cilat janë fushat plot mina, ku mund të shkelë Haradinaj? (3)

Cilat janë fushat plot mina, ku mund të shkelë Haradinaj? (3)

Nga: Berat BUZHALA

Kjo është pjesa e tretë dhe e fundit e një analize të gjatë që i dedikohej punës 100 ditëshe të Ramush Haradinajt si Kryeministër. Në pjesën e tretë, më shumë se sa çfarë ka bërë ai deri tash, jam marrë me atë se çfarë nuk duhet të bëjë ai pas 100 ditësh. Cilat janë rreziqet kryesore për të?

Shumica e politikanëve të Kosovës, karriera e të cilëve i ka rrënjët në luftën e fundit, vuajnë nga një lloj kompleksi i epërsisë morale dhe patriotike, krahasuar me pjesën tjetër të qytetarëve. Ky kompleks nuk besoj që ka ndonjë emër në psikologji, mirëpo edhe Haradinaj, sikur kolegët e tij të tjerë të krahut të luftës, besojnë që janë shumë larg me pikë para nesh që nuk kemi luftuar, ose që nuk kemi të vrarë direkt në luftë, kur vjen puna te kontributi për Kosovën. Për këtë arsye, ose për këto arsye, e konsiderojnë vetën më të realizuar patriotikisht dhe kombëtarisht, prandaj kërkojnë njëfarëlloj mirëkuptimi, mundësisht t’i shikojmë përmes gishtash, nëse rastësisht, tash kur janë në qeverisje, e bëjnë ndonjë lëshim.

Kjo gjë më së miri reflektohet gjatë përballjeve në Kuvendin e Kosovës, e edhe në intervista televizive. Kohë pas kohe, kur përballen në duele, kur përgjigjen në pyetje të ndryshme, dëshirojnë ta nxjerrin në sipërfaqe faktin se sa shumë kanë dhënë për këtë vend, edhe pse ne të gjithë e dimë këtë. Disa gjëra nëse thuhen, posaçërisht nëse thuhen shpesh, e prishin magjinë.

“Unë jam për sporte të rënda”, “Kur vjen puna me e mbrojtë Kosovën unë jam këtu” dhe fraza të ngjashme të kësaj natyre që na tregojnë mjaftueshëm se ku po rreh çekani i z. Haradinaj.

Ai duhet ta dijë, e duhet ta dinë edhe të gjithë të tjerët që mendojnë përafërsisht njëjtë, se poenët e fituar prej tyre në luftë ka mundësi që janë shpenzuar deri tash. Në fakt, ata poenë nuk do të duhej të ishin përdorur asnjëherë për qëllime personale, pasluftës. Fatkeqësisht janë përdorur, por së paku tash e tutje nuk do të duhej të përdoreshin. Tek e fundit iku një gjeneratë, pothuajse 20 vjet.

Fraza: Ne e kemi treguar vetën kur ka qenë momenti, do të duhej të evitohej nga përdorimi. Është frazë e paqëndrueshme. Në Kosovë jetojnë edhe dy milionë banorë të tjerë që do të kishin mundur ta “tregonin vetën” por për arsye të ndryshme nuk e kanë bërë këtë. Pastaj, edhe mënyra se si është udhëhequr lufta, se si ishte monopolizuar ajo, nuk kishte lënë shumë hapësirë që edhe ne të tjerët ta tregonim vetën. Me një fjalë, kjo nuk është një temë që do të duhej të nxirrte fitues ose humbës.

Nuk e zgjata pa arsye analizën e mësipërme. Edhe në këtë rast, si edhe në disa raste të tjera, përparësitë e z. Haradinaj, mund të jenë dobësitë e tij. Sigurisht që kjo familje ka dhënë shumë për Kosovën. Ka dhënë edhe z. Haradinaj. Mirëpo vetëm kjo gjë nuk e kualifikon automatikisht si personin më të duhur për të udhëhequr vendin. Katër vite janë shumë të gjata, e ai duhet të lirohet prej saj gjatë qeverisjes. Gjatë kësaj kohe ai do të përballet me plot tema të interesit kombëtar, prandaj nuk është mirë të na përsëris shumë shpesh se vetëm ai i ka kredencialet e duhura për ta mbrojtur atdheun. Duhet të lirohet nga ky kompleks.

Në këtë fushë është edhe problemi i demarkacionit me Malin e Zi, që i qëndron si një thes i 200 kilogramëve në qafën e z. Haradinaj. Ai ndoshta mund edhe mos ta ndiejë këtë, sepse siç edhe e kemi parë tash së fundmi, udhëton lirshëm me familjen e tij, mirëpo pjesa tjetër e Kosovës po fundoset. Z. Haradinaj do të duhej ta kujtonte këtë problem sa herë që ai dhe familja e kalojnë kufirin për të dalë jashtë Kosovës.

Kjo temë, siç ka dëshirë t’i quajë problemet Haradinaj, qëndron mbi dhé, sikur një kërmë. Sa më shumë që do të qëndrojë aq më shumë do të kundërmojë. Qytetarët e të gjitha shteteve të rajonit tash janë më mirë se sa ne sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian.

Haradinaj nuk është fajtori i vetëm pse gjendja është kështu si është tash. Madje, ndoshta për momentin është më së paku fajtor. Mirëpo shumë shpejt, nëse gjërat nuk marrin për mirë, ai do të jetë fajtori kryesor.

Fatkeqësisht, duke mbetur peng i fjalës së dhënë, premtimeve irracionale të dhëna në një kohë të caktuar, Haradinaj shpesh na shfaqet me një talent të jashtëzakonshëm për ta thelluar edhe më gropën ku ka ngujuar. Vazhdimisht duke shpresuar që po groposë më thellë për të dalë nga aty. Këtë strategji, ai e ka përdorur në çështjen e demarkacionit. Fill pasi u bë Kryeministër, ia shkaktoi vetes edhe një plagë, duke e themeluar një komision absurd për kufirin me Malin e Zi, të cilin autorët e shkruan sipas porosisë së shefit.

Tash, edhe Haradinaj, e edhe ne, po e presim sikur shiun në muajin gusht, një vizitë të Kryeministrit të Malit të Zi, që pritet ta bëjë në fund të muajit janar. Po presim që zgjidhja do të vijë në formë të mrekullisë hyjnore. E mira e të mirave do të ishte që para se të realizohet kjo vizitë, Haradinaj ta ngarkonte zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj që në ndërkohë të punojë me autoritetet e Malit të Zi për të gjetur një zgjidhje. Po them Limaj, sepse e kam dëgjuar në disa prononcime, në disa intervista, duke provuar që të thotë diçka shpresëdhënëse për këtë çështje. Haradinaj, përveç tjerash, është mirë që ata që i konsideron si zëvendëskryeministra herë pas herë t’i angazhojë edhe në punë të caktuara. Z. Limaj është njëri prej atyre politikanëve që është në gjendje të ofrojë zgjidhje politike, pa e thënë fjalën e fundit të paren. Për z. Haradinaj, për Qeverinë e Kosovës, për ne të gjithë, gjetja e një zgjidhje për demarkacionin, ratifikimi i tij në një formë që është i pranueshëm edhe për Malin e Zi është në interes shtetëror. Çdo përpjekje për të korrur fitore të plotë nga kjo betejë tregon naivitet dhe papërgjegjësi, më shumë se kreativitet dhe guxim. Të gjitha argumentet i kemi kundër nesh. E kemi edhe NATO’n kundër nesh.

Muaji janar nuk duket që do të jetë për Qeverinë Haradinaj i rëndësishëm vetëm për çështjen e demarkacionit. Ajo çfarë nisi javën e kaluar, ideja destruktive, vetëplagosëse, për shfuqizimin e Tribunalit Special, nuk është mbyllur ende. Mund të themi që është bartur për pak më vonë, kur të kthehen deputetët nga pushimi dimëror. Nëse Haradinaj do ta trajtojë këtë temë edhe gjatë muajit janar në mënyrë irracionale, siç bëri javën e shkuar, atëherë ai do të thyejë një rekord të paimagjinueshëm më parë: Do ta izolojë Kosovën hermetikisht për më pak se 200 ditë.

Në fund të kësaj analize për punën 100 ditëshe të Qeverisë së Kosovës, me theks të veçantë të Kryeministrit Haradinaj, duhet nënvizuar se ai duhet të ketë kujdes me ekipin e këshilltarëve që i ka mbledhur afër vetes, posaçërisht për ekspertët e ekonomisë.

Roli i Qeverisë, në mes tjerash, është për të krijuar një ambient të përshtatshëm për ekonominë, për biznesin, për njerëzit që kanë ide. Dora e shtetit duhet t’i ledhatojë të gjithë njëjtë. Roli i Qeverisë nuk është për ta krijuar një ambient të përshtatshëm për dy-tre biznesmenë, ose për dy-tri grupe të fuqishme të biznesit. Tendencat janë që një gjë e tillë mund të ndodhë. Në rrethin e ngushtë të z. Haradinaj tashmë operojnë figura kontroverse të biznesit, të cilët nuk janë aty për të mirën e përbashkët, por për të mirën e tyre.

Nëse nuk menaxhohet mirë, nëse nuk trajtohet me kohë, ky mund të jetë një rrezik i madh për vendin, dhe mediat duhet të merren seriozisht me këtë çështje.

Kryeministri Haradinaj duhet ta dijë që Kosova në veçanti, por edhe shtetet tjera në përgjithësi, rrezikohen, në vija të trasha, prej tri problemeve kyçe:

– Armiqësia, ose kultivimi i saj, ose krijimi i kushteve për armiqësi, me Bashkimin Evropian dhe SHBA’në. Nuk ka nevojë t’u shpallim luftë këtyre dy entiteteve politike dhe ekonomike, që t’i nxisim qytetarët kundër tyre. Armiqësia nxitet ose kultivohet edhe duke krijuar kauza të rrezikshme, si çështja e demarkacionit, ose e Tribunalit Special, e cila gabimisht e edukon qytetarin, çdo ditë, se BE dhe SHBA janë kundër nesh.
– Oligarkia është një problem tjetër po kaq i rrezikshëm. Duke i përkrahur dallkaukë të caktuar të biznesit, duke ua dhënë resurset ekonomike të Kosovës në mënyrë të padrejtë, duke u dhënë monopol në sfera të caktuara, lëndohet shumë pjesa e shëndoshë e ekonomisë. Nga ndihma e padrejtë e shtetit për subjekte të caktuara ekonomike, më së shumti pësojnë ata që i respektojnë rregullat ekonomike, ata që do të krijonin vende të reja të punës e që do të paguanin taksa, pa pasë nevojë që t’u faleshin ato.

– E fundit, përfshirja e religjionit në politikë. Nuk ka ndonjë shembull të mirë, as në rajon, e as në kontinent, që do të na bënte te mendonim dy herë për këtë çështje. Kemi shembuj sa të duash të tjerë që do të na inkurajonin që ta sekularizojmë qeverinë, shtetin, arsimin dhe të gjitha fushat tjera.

Z. Haradinaj duhet të këtë shumë kujdes në këto pika, posaçërisht në dy të parat. Gazeta Express do ta përcjellë nga afër tash pas 100 ditëve të para.

Leave a Reply

%d bloggers like this: