Home / Opinion / Shansi i Evropës në vitin 2018

Shansi i Evropës në vitin 2018

Viti i ardhshëm do të sjellë ngjarjet dhe shqetësimet e tij të papritura. Por mbetet fakti që viti 2018 do të jetë një vit qetësie relative për Europën, duke ofruar një mundësi të rrallë BE-së, që të bëjë përparim të rëndësishëm në sfida më të thella dhe më afatgjata. Nuk duhet humbur

Nga Ana Palacio

MADRID – Është bërë klishe të deklarosh, çdo dhjetor, se viti i ardhshëm do të jetë një vit vendimtar për Bashkimin Evropian. Modeli është i njohur: Evropa ka kaluar 12 muaj të trazuar, të mbushur me ngjarje për të cilat nuk është e përgatitur, përgatit një reagim, dhe betohet që të zgjidhë problemet më të thella strukturore. Pastaj vjen viti i ardhshëm, dhe Evropa përsëri është e mbingarkuar nga ngjarjet dhe ngec sërish në reagimin afatshkurtër ndaj krizës. A do ta thyejë këtë sjellje në vitin 2018?

Përgjigja e shkurtër është se ajo duhet – ose, të paktën, mundet. Pas gati një dekade dramë të pandërprerë – një krizë financiare, e ndjekur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe aneksimi i Krimesë po nga Rusia, kriza e imigrantëve, votimi i Brexit dhe zgjedhja e një presidenti amerikan i cili e ka vënë në pikëpyetje marrëdhënien transatlantike – Europa po hyn në 2018, në një pozitë relativisht të qëndrueshme.

Jo vetëm që nuk ekziston ndonjë krizë në kufijtë e Evropës; pavarësisht nga rritja anemike, perspektiva ekonomike duket gjithashtu e qëndrueshme. Më e rëndësishme, zgjedhjet në tre ekonomitë më të mëdha evropiane në 2017 nuk prodhuan tronditje të mëtejshme populiste. Franca tani ka një president pro-evropian, me Emmanuel Macron; një koalicion i madh pro-evropian po del në Gjermani; dhe lidershipi britanik, megjithëse i ndarë thellë, ka arritur të bjerë dakord me partnerët e vet të BE mbi një projekt-ligj divorci, që do të shërbejë si platformë për negociatat e vazhdueshme. Italia është vendi i vetëm i madh i BE që planifikohet të mbajë zgjedhje në vitin 2018.

Europa tani ka një mundësi të artë për t’i dhënë prioritet politikëbërjes, mbi politikën dhe për të zbatuar reformat që i nevojiten, me qëllim që të hedhë themelet për një të ardhme më të begatë, të sigurt dhe dinamike. Nuk ka kohë për të humbur: viti 2019 do të jetë i ndërlikuar, pasi do të përfshijë zgjedhjet evropiane, emërimin e një Komisioni të ri Evropian dhe afatin përfundimtar për një marrëveshje të Brexit.

Kjo lë në dispozicion 12 muaj, që Evropa të bëjë përparim në fusha të ndryshme, duke përfshirë mbrojtjen e përbashkët, tregtinë, bashkimin energjetik, reformën e Shengenit dhe bashkimin bankar. Por përpjekjet e përbashkëta janë veçanërisht të rëndësishme në tre fusha – një e brendshme, një rajonale dhe një globale – gjatë vitit të ardhshëm.

Fusha e parë ku nevojitet progres është në ndërtimin e tregut të vetëm digjital. Në vitin 2015, BE lançoi strategjinë e vet të tregut të brendshëm digjital, me qëllim nisjen e sektorit digjital të Evropës. Që atëherë, ka pasur disa përparime – sidomos, eliminimi pagesave të roaming-ut nga ofruesit e telefonisë celulare.

Por, krijimi i një mjedisi që do të lejojë kompanitë evropiane të shkrihen dhe të konkurrojnë në nivel ndërkombëtar, ndërkohë që përballen me kapjen e tregut nga gjigandët e industrisë, do të dojë shumë punë. Dhe, me mandatin e Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker që do të përfundojë në 2019, ky vit është koha e duhur për ta bërë këtë.

Fusha e dytë ka të bëjë me marrëdhëniet e Evropës me Afrikën. Kriza e migracionit nënvizoi se sa të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme janë të ardhmet e dy kontinenteve – dhe sa e paefektshme ka qenë, deri më sot, politika e Evropës për Afrikën. Evropa ka një histori të gjatë me premtime të pambajtura, për të ndryshuar qasjen e saj ndaj Afrikës.

Lajm i mirë është se ka arsye për të besuar se një ndryshim i tillë, dhe krijimi i një marrëdhënie produktive dhe të orientuar drejt rezultateve, më në fund mund të jenë të pashmangshme. Në fund të fundit, Evropa tani e ka mbi lëkurën e saj: nëse nuk punon për të krijuar mundësi dhe për të stabilizuar qeverisjen në Afrikë, presionet e migracionit do të vazhdojnë dhe madje do të intensifikohen. Interesi vetiak ka rezultuar shpesh një mjet shumë më i fortë motivues, se sa altruizmi.

Suksesi do të kërkojë një largim nga paternalizmi i së kaluarës dhe drejt një bashkëpunimi të barabartë. Afrika dhe Evropa duhet të punojnë së bashku, si të barabarta, për të lëvizur përtej zgjidhjeve afatshkurtra, të përqendruara në frenimin e flukseve të migracionit dhe të miratojnë një qasje që trajton shkaqet  rrënjësore – duke përfshirë, në thelb, qeverisjen e dobët.

Në samitin e kohëve të fundit të BE-së dhe Afrikës, mund të zbulohen fillimet e një qasjeje të tillë tek një plan për të nxitur investimet private – jo ndihmë – kryesisht përmes ofrimit të garancive. Çështja është nëse Evropa është më në fund gati të përmbushë premtimet e saj, duke investuar kohë, përpjekje dhe kapital politik, në një angazhim më të thellë dhe në realizimin e reformës reale të qeverisjes.

Fusha e tretë kyçe ku Evropa duhet të bëjë përparim në vitin 2018 është që të rimarrë rolin e saj si një lider global në politikën e klimës. Macron sapo dërgoi një mesazh pozitiv, por theksoi gjithashtu një dëshirë, veçanërisht brenda komunitetit të biznesit, për udhëheqje më të gjerë klimatike globale në një kohë kur SHBA po shmang bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht në çështjet e mjedisit.

Evropa duhet të mbushë boshllëkun e lënë pas nga SHBA. Por, me marrëveshjen e klimës së Parisit (nga e cila u tërhoq administrata Trump), tani në fazën vendimtare të rregullimit, Evropa duhet të veprojë shpejt, në mënyrë që të sigurojë bashkëpunim të arsyeshëm dhe të përgjegjshëm. Në mënyrë të veçantë, duke marrë në konsideratë gabimet që kulmuan në takimin katastrofik të klimës në vitin 2009 në Kopenhagë, BE duhet të punojë, me përulësi, që të ndërtojë koalicione të ndryshme.

Viti i ardhshëm do të sjellë ngjarjet dhe shqetësimet e tij të papritura. Por mbetet fakti që viti 2018 do të jetë një vit qetësie relative për Europën, duke ofruar një mundësi të rrallë BE-së, që të bëjë përparim të rëndësishëm në sfida më të thella dhe më afatgjata. Nuk duhet humbur.

Leave a Reply

%d bloggers like this: