Ekonomia

Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës arrijnë në 210 milionë euro

Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë gjatë vitit 2017 janë rritur me 50%, duke shënuar vlerën e rreth 210 milionë euro.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, thekson se e gëzon fakti se marrëveshjet dhe takimet që janë mbajtur mes dy qeverive kanë pasur rezultate.

“Me fillimin e vitit të ri sjellim edhe një lajm të mirë. Marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës, vitin e kaluar kanë pësuar një rritje prej 50% më shumë se në vitin 2016”, tha Minxhozi.

Sipas tij, kemi rritjen më të madhe të shkëmbimeve gjatë këtyre katër viteve të fundit.

“Sot Shqipëria dhe Kosova shkëmbejnë mes tyre rreth 210 milionë euro mallra, nga të cilat 55 milionë euro janë eksportet kosovare drejt Shqipërisë që përbën edhe vlerën më të lartë të eksporteve me secilin prej vendeve të rajonit të Ballkanit”, tha Minxhozi.

Edhe pse mbledhjet e dy qeverive kanë arritur efektin e tyre, Minxhozi shprehet se mund të bëhet edhe më shumë.
Ai pret që 2018, të përcillet me suksese më të mëdha në aspektin ekonomik dhe në fusha të tjera.

“Mbledhjet e dy qeverive që janë bërë në vitin 2016 dhe kjo e fundit në vitin 2017, kanë qenë mbledhje pune, të cilat kanë synuar për rritjen e këtyre shkëmbimeve, për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe kanë dhënë rezultate, por natyrisht ne nuk jemi të kënaqur sepse mundësitë janë shumë më tepër. Megjithatë, është një fillim i mirë për vitin 2018-të dhe urojmë që kjo vazhdimësi e vitit 2017-të, të na bashkëngjitet me rezultatet edhe më të larta gjatë këtij viti”, theksoi Minxhozi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili udhëheq politikat ekonomike me Shqipërinë, thotë se nuk ka më marrëveshje që do të bëhet vetëm për media, por secila marrëveshje e arritur do të mbikëqyret nga ana e tyre.

“Ne do të mbikëqyrim implementimin e gjithë atyre marrëveshjeve të arritura. Po hulumtojmë horizonte të thellimit të bashkëpunimit që kanë objektiv largimin e barrierave, vështirësive të komunikimit mes dy shteteve, mes qytetarëve të dy vendeve, mes sektorëve të caktuar, duke filluar nga komunikimi i qarkullimit të njerëzve të lirë, deri te qarkullimi i lirë i mallrave”, tha Limaj.

Ai shtoi se këtë vit do të punojnë që të vihet në funksion interkonjeksioni mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Funksionalizimi, futja në punë e interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe gjetja e formave të tjera të bashkëpunimit që fuqizon ekonominë dhe tregun tonë të përbashkët. Këto janë rrugët, angazhimi me të cilat duhet t’i marrim për vitin 2018. Edhe ne këtu që e kemi shpreh vullnetin, por besoj edhe qeveria shqiptare do t’i qëndrojmë përmbushjes së këtyre objektivave të përbashkëta që janë në interes të dy shteteve”, tha Limaj.

Drejtori i doganës së Kosovës, Bahri Berisha, tha se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë pasur rritje për 50 përqind.
“Këtë vit kemi një rritje të shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse flasim për eksportin kosovar në drejtim të Shqipërisë, kemi një rritje që shkon deri afër 50% të vlerës në eksporte nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. E njëjta ka rritje edhe nga Shqipëria të produkteve shqiptare në drejtim të Kosovës”, tha Berisha.

Sipas Berishës, kjo tregon se produktet kosovare dhe shqiptare janë prezente në dy tregjet. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur katër mbledhje të përbashkëta ku janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button