Politika

Procesi i Berlinit – shanse për frenimin e eksodit të rinisë së kualifikuar të Ballkanit

Viti 2018 do të jetë viti  i fundit i ciklit të tanishëm të  Procesit të Berlinit. I nisur në verën e vitit 2014, si një nismë diplomatike e kancelares Angela Merkel, Procesi i Berlinit ka ofruar një platformë unike që synon të rigjallërojë lidhjet shumëpalëshe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) dhe disa vendeve të Bashkimit Europian, (BE) – Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia e Sllovenia – për të rritur bashkëpunimin rajonal në BP në fushën e infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik dhe dhënë impulse të reja perspektivën së anëtarësimit të këtyre vendeve në BE. Cikli i tanishëm do të mbyllet me samitin në Londër në korrik të vitit 2018, si një shprehje e vazhdimit të angazhimit të Britanisë Madhe ndaj Ballkanit Perëndimor, edhe pas Brexit. Por të gjitha palët e përfshira në procesin e Berlinit mendojnëse se ky process  duhet të vazhdojë edhe pas samitit të Londrës. Gjermania ka propozuar formulën “Berlin Process Plus”.

Rinia e Ballkanit Perëndimor – nivel shqetësues papunësie dhe eksodi 

Përshpejtimi i ritmeve të zhvillimi ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë-Herzegovina dhe Kosova, që përbën një nga synimet e Procesit të Berlinit për të rivitalizuar afrimin e tyre me BE kërkon domosdoshmërisht punën dhe mendjen e rinisë së kualifikuar të këtyre vendeve. Por realiteti në vendet e BP nuk i përgjigjet kësaj domosdoshmërie.  Rinia e arsimuar po largohet nga këto vende dhe kërkon të jetojë dhe punojë në vendet e zhvilluara të BE-së, në SHBA dhe Kanada. Shumë talente dhe burime njerëzore humbasin në një kohë kur të 6 vendet e rajonit kanë një nevojë urgjente për to. Është një paradoks i vërtetë që rajoni më i varfër i Europës, si konsiderohet Ballkani Perëndimor, “i jep” burime njerëzore pjesës më të pasur duke rezultuar në një transferim kapacitetesh njerëzore  në drejtim të kundërt, nga ai që ka nevojë Ballkanin Perëndimor për t’u zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Në raportin e Grupit të Bankës Botërore dhe Institutit të Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, “Ballkani Perëndimor- ecuria ne tregjet e punës 2017” theksohet se “Tregjet e punës në të 6 vendet e BP karakterizohen nga niveli i ulët i punësimit dhe niveli i lartë i papunësisë në krahasim me standartet e BE. Papunësia është e lartë sidomos tek të rinia”.

Nivelin më të lartë të papunësisë tek rinia e ka Bosnjë-Herzegovina me 57,5%, e ndjekur nga Maqedonia me 50,8%, Serbia me 49,5 %, Shqipëria me 26.4% dhe Kosova me mbi 50%. Në kushtet e papunësisë, të mungesës së mundësive financiare për të jetuar në mënyrë të pavarur nga prindërit, rinia e Ballkanit Perëndimor po largohet nga rajoni, gjë që ka pasoja të rënda në përpjekjet e vendeve të rajonit për të përshpejtuar ritmet e zhvillimit ekonomik dhe afrimin me BE.

Rinia shqiptare kërkon të emigrojë

Në Shqipëri, emigracioni dhe eksodi i rinisë nisi pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1990 dhe vazhdon me ritme të shpejta në 10 vitet e fundit. Motivet e emigrimit variojnë nga studimi në universitetet me emër të BE-së dhe SHBA-së apo Kanadasë deri tek dëshira për karrierë dhe perspektiva më të mira jetese. Por fluksi më i madhi i eksodit të tyre shtrihet në vitet 2014-2016 për shkak të mungesës së punës dhe në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.

Për të frenuar eksodin e rinisë nga Shqipëria drejt BE-së, SHBA-së dhe Kanadasë në katër vitet e fundit i është dhënë rëndësi përmirësimit të arsimit të lartë dhe rritjes së cilësisë së arsimit profesional. Politika e burimeve njerëzore synon t’u krijojë mundësi të rinjve të talentuar të fitojnë përvoja profesionale jashtë vendit dhe të rikthehen në Shqipëri për t’i zbatuar dijet e fituara dhe shmangur fenomenin e largimit të trurit. Shqipëria po mbështet edhe ngritjen e bizneseve inovative të të rinjve sidomos në ekonominë digjitale, e cila kapërcen kufijtë ekzistues fizikë dhe mendorë ndërmjet Shqipërisë, vendeve të rajonit, atyre të BE-së dhe botës.

Procesi i Berlinit – mundësi për të frenuar eksodin e rinisë në vendet e Ballkanit Perëndimor

Projektet rajonale në infrastrukturë – transport dhe energji – të miratuara për t’u ndërtuar në kuadër  të Procesit të Berlinit, janë projekte të mëdha nga pikëpamja e shpenzimeve financiare dhe impaktit të tyre në lidhjen dhe komunikimin mes vendeve të rajonit. Observatori i Transportit për Europën Jug-Lindore, (SEETO), ka vlerësuar se  projektet prioritare në fushën e transportit do të kenë një kosto prej 7.7 miliardë Euro. Sipas një vëzhgimi të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtar edhe projektet rajonale në infrastrukturë do të ҫojnë në një rritje ekonomike të prodhimi të brendshëm bruto me  1 % në vit , në të gjitha vendet e BP për një periudhë prej 15 vitesh dhe do të krijojnë 200 mijë vende të reja pune në nivel rajonal.

Mario Holtzer, zv.drejtor i këtij instituti mendon se ”Procesi i Berlinit do të jetë mjaft i dobishëm për të identifikuar masa lehtësuese për rritjen e konkurueshmërinë në BP përmes realizimit të projekteve infrastrukturore prioritare që do të rrisin fuqinë punëtore 4% , ose me 200 mijë vende të reja pune.”

Tri projekte rajonale, në fushën e hekurudhave, ku përfshihet Shqipëria, Kosova dhe Serbia  kanë fituar bashkëfinancimin e BE-së në kuadër të Procesit të Berlinit: rehabilitimi i hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Rinas. Krijimi i Zonës Ekonomike Rajonale, vendim që u mor në Samitin e Triestes, në kuadër të Procesit të Berlinit, një zonë me 20 milion konsumatorë, me potencial të pashfrytëzuar do të sjellë rritje ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës duke kontribuar pozitivisht në frenimin e eksodit të rinisë së kualifikuar te rajonit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button