Kosova

SHBA-ja-Haradinajt: Nuk e bllokojmë asnjë iniciativë të Rusisë për Specialen

Presioni mbi qeveritarët kosovarë për të mos shfuqizuar Gjykatën Speciale sa vjen e shtohet. Përmes një deklarate publike, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në Kosovë shprehën shqetësimin e thellë për përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara të kësaj gjykate si dhe vendimin e Presidentit për të falur tre të dënuar për vrasje, në të ashtuquajturin “rasti i familjes Hajra”. Në deklaratën e tyre, vendet e Kuintit kujtonin se kanë qenë miq të vërtetë të Kosovës edhe në kohë të vështira, që nga ndërhyrja e NATO-s e deri tek njohja e pavarësisë. Por, shtojnë se do të këmbëngulin që Kosova të mbështesë drejtësinë.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përcjellë alarmin tek autoritetet e Kosovës se mund të vihet në funksion “Plani B” për formimin e Gjykatës Speciale, i cili ishte përmendur edhe dy vjet më parë, kur autoritetet refuzonin të jepnin votën pro saj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përcjellë alarmin tek autoritetet e Kosovës se mund të vihet në funksion “Plani B” për formimin e Gjykatës Speciale, i cili ishte përmendur edhe dy vjet më parë, kur autoritetet refuzonin të jepnin votën pro saj.

Mesazhi është përcjellë nga ushtruesi i detyrës së ambasadorit amerikan në Prishtinë, Stephen Banks.

Burime të gazetës në Zyrën e Kryeministrit kanë treguar, të enjten, se Banks ka zhvilluar këtë javë disa takime me krerët e institucioneve, të cilëve ua ka rikujtuar pasojat që do t’i pësonte Kosova nga shfuqizimi i Ligjit për Specialen.

“Ushtruesi i detyrës së ambasadorit amerikan në Prishtinë, Banks, ka takuar dje në mesditë kryeministrin Haradinaj, të cilit ia ka bërë të qartë pasojat që do të kishte shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Troç i ka thënë se, në Këshillin e Sigurimit, Shtetet e Bashkuara nuk do të bllokojnë asnjë iniciativë të Rusisë që lidhet me krijimin e një gjykate të ngjashme”, ka thënë ky burim.

Por, mbrëmjen e një dite më parë, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili mban edhe postin e ministrit të Infrastrukturës në qeverinë Haradinaj, deklaroi sërish se ligji për Gjykatën Speciale duhet të shfuqizohet dhe pas këtij hapi, Kosova duhet të formojë një gjykatë që të merret me rastet e supozuara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button