Kosova

Ambasadat kundërshtojnë fort vendimin e presidentit për faljen e vëllezërve Kiçina e Ramadani

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javën e kaluar ka falur dënimin vëllezërve Arsim dhe Burim Ramadani, si dhe të Arben Kiçinës. Burim e Arsim Ramadani dhe Arben, Blerim e Jeton Kiçina ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001. Ata ishin dënuar me nga 30 vjet burgim.

Por, me këtë veprim të presidentit nuk janë pajtuar shtetet e Quint’it. Amerika, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia kanë dalë kundër vendimit të Hashim Thaçit.

“Jemi thellësisht të shqetësuar me përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara, si dhe vendimin e Presidentit për të falur tre të dënuar për vrasje, në të ashtuquajturin “rasti i familjes Hajra”. Dhomat e Specializuara, në veçanti janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit të Kosovës për të adresuar krimet e kryera në teritorin e saj”, thuhet në deklaratën e shteteve të Quint’it.

Këto shtete, në këtë deklaratë, thonë se kanë qenë prej kohësh miq të vërtetë të Kosovës, përfshirë këtu edhe në kohërat më të vështira.

“Nuk ka asnjë arsye për të penguar punën e Dhomave të Specializuara dhe ftojmë secilin kryesues të institucioneve, udhëheqës të partive apo deputet, të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo ri-negocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rezikon të gjitha të arriturat e Kosovës. Kjo i vënë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë kosovare. Ne e dënojmë një gjë të tillë, dhe kushdo që mbështetë një gjë të tillë, do të veprojë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona. Ftojmë të gjithë liderët të Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të ngrisin zërin kundër kësaj iniciative dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative, përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtarë dhe Euro-Atlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë. Në të njejtën kohë, presim që të gjitha shtetet të ndjekin penalisht ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button