Home / Politika / 100 ditët e para, Rama: Jemi ende shumë larg asaj që jemi zotuar

100 ditët e para, Rama: Jemi ende shumë larg asaj që jemi zotuar

Kryeministri Edi Rama duke folur sot në Asamblenë Kombëtare të PS u shpreh se, “po kërcënohet një arritje historike e Shqipërisë, çelja e negociatave në BE. Po kërcënohet nga frika prej reformës në drejtësi”.

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit sot ta dinë se ky është një stacion optimal për të pozicionuar më në fund Shqipërinë në tryezën e familjes evropiane si një vend që negocion anëtarësimin”, tha Rama.

“Strategjia e zgjerimit të KE faktikisht hedh poshtë të gjitha ato parashikime të zymta që Serbia dhe Mali i Zi ishin pjesë e strategjisë dhe Shqipëria me Maqedoninë mbeteshin jashtë pasi Shqipëria është pjesë e strategjisë njësoj si vendet e tjera. Ky stacion është i nevojshëm për të mos kompromentuar strategjinë e KE nga brenda vendit tonë. Diçka e pangjashme me asnjë histori të proceseve të integrimit të vendeve në familjen e përbashkët evropiane”, tha Rama.

Kreu i Ekzekutivit tha se “reformën në drejtësi vende të tjera e kanë bërë më parë, por jemi rasti i parë që reforma në drejtësi shqetëson opozitën dhe jo qeverinë”.

Kryeministri u shpreh se ky është një stacion i rëndësishëm pasi, “vitin e ardhshëm ka zgjedhje në hierarkinë e BE dhe nuk mund ta lejojmë që në një vit zgjedhor ne të kërcënohemi, pasi vitin ardhshëm nuk ka më kohë dhe vëmendje njeri të merret me ne nëse ne i hapim vetes një gropë mu në pragun e derës ku çelen negociatat për anëtarësim”.

Rama thirrje opozitës për bashkëpunim

“Opozita është përfaqësuese e një pjese të popullit që ka ambicie për të çelur negociatat për anëtarësim. Nuk mund të bëhet problemi i Shqipërisë në këtë proces. Ne po punojmë intensivisht. Është një proces që duhet garantuar 100 % në momentin që do të votohet”, tha Rama.

“Çdo gjë që ndodh në Shqipëri dhe krijon justifikim për të mos u marrë me Shqipërinë në këtë moment mund të sjellë një arsye për të na penguar”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë nënvizoi se thirrja nuk është vetëm për të larë gojën, “por për të përsëritur atë që kam thënë në fillim. Ne jemi në qeverisje, ata janë për të bërë opozitë. Por bashkë kemi një detyrë që na e kanë dhënë njerëzit që të integrojmë Shqipërinë në Bashkimin Evropian”.

Çelja e negociatave, jo triumf partiak

“Jam absolutisht i gatshëm të nënvizoj se për ne çelja e negociatave është sadisfaksion i jashtëzakonshëm, por nuk është një triumf partiak. Siç nuk e kthyem në triumf partiak marrjen e statusit kandidat pas aq shumë vitesh refuzime, nuk kemi ndërmend të kthejmë në triumf partiak çeljen e negociatave”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se opozita duhet të dëgjojë zërin e Shqipërisë sot dhe të mos na vërë në pozitën për të shpjeguar sjelljet dhe retorikën e saj që nuk ka absolutisht asnjë lloj rezonance as brenda familjes politike evropiane të PD.

Kryeministri Edi Rama duke folur në Asamblenë Kombëtare të PS u shpreh se, “mbyllëm një vit me vështirësi të mëdha por dhe me një besim të madh të dhënë prej shqiptarëve. Njerëzit vendosën që PS e meriton timonin e vetme për të provuar deri në fund e patrazuar nga të tjerë, aftësinë e vet qeverisëse dhe mundësinë për ta çuar Shqipërinë më afër se kurrë me BE”.

Ky shpërblim, theksoi kryeministri, “ishte një fitore historike e mandatit të dytë me numrin më të madh të votave që PS ka marrë ndonjëherë me mandatin e saj dhe mendoj se në këto 100 ditë të para, kemi arritur ato që kemi vendosur si objektiva dhe po ashtu koha vrapon dhe volumi i punëve që duhet të bëjmë është i jashtëzakonshëm”.

PS udhëheqëse dhe garante e drejtësisë

Duke folur për reformën në drejtësi, Rama u shpreh se, viti që lamë pas u karakterizua nga një betejë për drejtësinë dhe ishte vazhdimi i betejës së hapur që në vitin paraardhës dhe besoj se përcaktoi qartë PS si udhëheqësen dhe garanten e drejtësisë.

Kreu i qeverisë u shpreh se vendi është ndarë në dy kampe. “Nga njëra anë kampi i reformistëve të PS dhe atyre që e duan këtë reformë të shkojë deri në fund sepse është e vetmja mundësi për të pasur më në fund një drejtësi dhe kampi i atyre që nuk e duan reformën.

Duke folur për koalicionin me LSI, Rama u shpreh se ishte qëndrimi për reformën në drejtësi ai që ndau dy partitë nga njëra tjetra.

“Nuk lejuam që të rrezikohej ecuria e reformës në drejtësi dhe u përpoqëm ta mbajmë gjallë Aleancën për Shqipërinë Evropiane si projekt strategjik të së majtë së bashkuar, por pa kompromentuar reformën në drejtësi. Dhe faktikisht besoj që në fund qëndrimi i qartë dhe i prerë për të mos e kompromentuar reformën në drejtësi ndau përfundimisht rrugët tona me aleatin e deri djeshëm të mandatit tonë qeverisës”, tha Rama.

“Vettingu u kthye në një arsye për tu parë edhe më dukshëm edhe më qartë ndarja. Nga njëra anë ne dhe nga ana tjetër ata që u mblodhën në një çadër në Bulevard për disa muaj me radhë me disa lloje alibish, por me betimin për të mos lejuar vetingun”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se në këtë rrugëtim PS ka pasur, “mbështetjen e palëkundur të partnerëve tanë ndërkombëtarë, me të cilët që nga momenti i parë e derti tani që po flasim kemi qenë në një drejtim sa i përket reformës në drejtësi”.

Rama: Opozita e konsoliduar si kamp kundër reformës në drejtësi

“Opozita tashmë është e konsoliduar si një kamp kundër reformës në drejtësi, pra jo vetëm PD, por edhe partia tjetër me të cilën ndamë katër vite përpjekje me rezultate shumë të rëndësishme të reformave janë kthyer në çadër me të njëjtat kërcënime dhe qëllimin që është mos lejimi i çuarjes përpara të reformës në drejtësi”, tha Rama.

“Seanca e fundit e Kuvendit ishte shprehja më kulmore e mungesës së vizionit, strategjisë e ideve me faktin se reforma në drejtësi po bëhet e pandalshme dhe procesi i vettingut  ka nisur dhe jam i sigurt që në 2-3 muajt e parë të vitit do të kemi rezultatet para në përputhje me aspiratat e njerëzve që e mbështesin dhe mbështetën reformën në drejtësi”, tha Rama.

100 ditët e para, Rama: Jemi ende shumë larg asaj që jemi zotuar

Duke folur për për 10 ditët e para të qeverisjes, Rama u shpreh se njerëzit kanë një pritshmëri të jashtëzakonshme dhe kjo lidhet edhe me padurimin e natyrshëm për t’i parë gjërat menjëherë.

“Duke nisur nga administrata , nga shërbimet ndaj qytetarëve. Jemi shumë larg asaj që jemi zotuar, por me reformat me shkurtimin drastik të lejeve dhe liçencave do të shkurtojmë kohën e humbur për të marrë një shërbim dhe korrupsionin që shoqëron kohën e humbur”.

Kryeministri foli edhe për reformat në vitin 2018, duke nisur me reformën e ujit, pjesë kryesore e të cilës do të jenë edhe bashkitë e vendit, që do të kenë një rol mjaft të rëndësishëm.

Rama u shpreh se, performanca e kryebashkiakëve në këtë reformë do të jetë një mundësi për të vlerësuar performancën e tyre në funksion edhe të rikandidimit apo jo në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Kryeministri lançoi çeljen e portalit “Infermierë për Shqipërinë”, ku do të bëhet një vlerësim i infermierëve në vend duke i dhënë fund emërimeve partiake.

Rama gjithashtu foli edhe për situatën e emërimeve të mësuesve duke u shprehu se ka pasur mjaft raste kur mësuesit fitues në portal nuk janë emëruar nga bashkitë e vendit. Kjo do të evitohet duke bërë që mësuesi që del fitues në portal ta marrë automatikisht vendin e punës.

Kryeministri u shpreh se do të vijojë operacioni “”Forca e Ligjit” dhe se pritet vettingu në radhët e Policisë së Shtetit që do të identifikojë të gjithë punonjësit e Policisë që nuk duhet të jenë më pjesë e uniformave blu.

“Duhet të fokusohemi të gjithë tek platforma e bashkëqeverisjes. Është platforma e koalicionit fitues të këtyre zgjedhjeve dhe të zgjedhjeve të ardhshme”, deklaroi kryeministri Rama.

One comment

  1. Rama.Jo vetem Spartak Ngjela por te gjthe shqipetaret e dine lojen tende.

Leave a Reply

Your email address will not be published.