Kosova

Patrioti Hasan Prishtina përballë këngëtarit Getoar Selimit-kënd e njohin më shumë studentët e UP’së?

Shumica e studentëve të Universitetit të Prishtinës s’kanë njohuri për veprimtarinë e Hasan Prishtinës megjithëse deklarohen se kanë dëgjuar emrin e tij. Ky konstatim ka dalë nga sondazhi i realizuar me 675 studentë të nëntë fakulteteve të UP-së. Të njëjtit janë pyetur edhe për Getoar Selimin. Shumica prej tyre, përveç se kanë pasur njohuri për këngëtarin, kanë ditur edhe këngët e tij.

“Hasan Prishtinën e njoh veç si emër”, kjo është njëra prej përgjigjeve që kanë dhënë disa prej 675 studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në një sondazh të realizuar nga studentët e Departamentit të Gazetarisë në UP.

Studentët e nëntë fakulteteve janë pyetur edhe për Getoar Selimin. Shumica prej tyre kanë njohur këngëtarin dhe këngët e tij.

Janë intervistuar 675 studentë nga nëntë fakultetet e UP’së.  Qëllimi i sondazhit ka qenë që të krijohet një pasqyrë mbi njohuritë që kanë studentët e UP’së të të gjitha fakulteteve për dy personazhe të profileve të ndryshme, Hasan Prishtinën dhe Getoar Selimin.

Mostra e hulumtimit është bërë qëllimshëm në fakultetet e UP’së, në të cilat studiohen shkencat natyrore, ekonomia, tekniku, edukata fizike, arti e mjekësia.

Ish-Kryeministrin e Shqipërisë kanë thënë e njohin 76 për qind e studentëve të pyetur në Fakultetin e Arteve. Ndërkohë, vetëm 8 për qind e tyre kanë dhënë përgjigje konkrete kur është pyetur se me çka është marrë ai. Kanë thënë se ka lindur në Vushtrri, ka vdekur në Selanik dhe ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit.

Pavarësisht se 76 për qind kanë thënë se e njohin Prishtinën, 28 për qind prej tyre, kanë thënë se nuk dinë asgjë, kur janë pyetur për veprimtarin e tij.

Krejt rezultate tjera kanë dalë në Fakultetin e Arteve për Getor Selimin.

89 për qind e studentëve të anketuar në Arte kanë thënë se njohin shumë mirë Selimin. 65 për qind kanë treguar edhe këngët e preferuara të këngëtarit.

“Është marrë me çështje kombëtare” ishte përgjigjja që dominoi në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, kur 75 studentët e këtij fakulteti u pyetën se me çka është marrë Hasan Prishtina. Ndërsa 26 për qind e tyre nuk  kanë qenë në gjendje  të japin një mendim se me çka është marrë ai. 5 për qind e të anketuarave  janë shprehur se Hasan Prishtina ka  luftuar kundër serbëve.

Po në Fakultetin e Bujqësisë, 75 për qind e të anketuarave, kanë deklaruar se e njohin Getoar Selimin si këngëtar,  përderisa 40  për qind e të anketuarave nuk e pëlqejnë asnjërën këngë të tij.

Sidoqoftë, 32% e të anketuarve në Fakultetin e Filologjisë kanë thënë se Hasan Prishtina është marrë me çështje kombëtare. 22 për qind kanë thënë se Prishtina ishte Kryeministër i Shqipërisë, 2 për qind kanë deklaruar se është vrarë nga Ahmet Zogu. 11 për qind kanë thënë se ka qenë kryengritës. 69 për qind e studentëve të këtij fakulteti janë përgjigjur se e dinë profesionin e Getoar Selimit. 47 për qind kanë thënë se nuk i pëlqejnë këngët e tij derisa 53 për qind kanë përmendur emrat e këngëve të Selimit.

Në Fakultetin e Edukimit 97 për qind e studentëve janë deklaruar se e njohin këngëtarin Getoar Selimi dhe përmendin disa nga këngët e tij. Në anën tjetër, 95 për qind e studentëve janë përgjigjur me ‘Po’ kur janë pyetur se a njohin Hasan Prishtinën.

Por më shumë se 49 për qind e tyre thanë se Hasan Prishtina është marrë me çështje kombëtare, e ka zhvilluar arsimin etj. Përderisa, 95 për qind e tyre thanë se Getoar Selimi është këngëtar. Ata treguan se “E nxomne”, “Happy birthday”, “High” etj, janë këngët e pëlqyera nga ky këngëtar.

Nga sondazhi i bërë me studentët e Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit, rezultatet tregojnë se 100% e nga 75 studentë të anketuar e njohin Getoar Selimin. Ndërsa, 88 për qind e tyre u përgjigjen me “Po”, kur u pyetën se a e njohin Hasan Prishtinën. Përderisa 59 për qind e tyre thanë se  Getoari është këngëtar, ndërsa 52 për qind kanë dhënë përgjigje konkrete për profesionin e Hasan Prishtinës, duke thënë se ka qenë politikan, deputet e jurist.

Të gjithë të anketuarit në Fakultetin Ekonomik kanë thënë se kanë njohuri për Hasan Prishtinën. Por, kur janë pyetur konkretisht se me çka është marrë Prishtina? 20 për qind prej tyre kanë thënë se ai është figurë historike; 23 për qind luftëtar; atdhetar, politikan, deputet etj. 8 për qind kanë thënë se nuk kanë njohuri për te.

Ekonomistët e ardhshëm të Shtetit kanë thënë se e njohin edhe këngëtarin Selimi. 96 për qind kanë dhënë përgjigje pozitive derisa 95 për qind e tyre kanë ditur se Selimi është këngëtar. Nga 75 respodencë, vetëm 11 kanë deklaruar se nuk i pëlqejnë këngët e Getit.

Mjekët e ardhshëm të Kosovës kanë thënë se kanë njohuri për Hasan Prishtinën si emër.

Por, 42 për qind e studentëve kanë dhënë përgjigje të përgjithësuara për veprimtarin e Prishtinës, duke thënë se ka qenë intelektual, patriot etj. 99 për qind të anketuarave në Mjekësi kanë thënë se e njohin edhe Selimin. 79 për qind e tyre e kanë ditur profesionin e tij.

Nga anketimi  me studentët  Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore del se 97 për qind prej tyre e njohin Getoar Selimin, 38 për qind e dinë se ai është këngëtar.

Ndërsa, 95 për qind thanë se e njohin Hasan Prishtinën si dhe 55 për qind e tyre dhanë përgjigje të përgjithshme si: atdhetar, shkrimtar, historian.

Fakultetin Teknik, prej 75 studentëve të anketuar, 97 për qind e tyre kanë thënë se e njohin Hasan Prishtinën. Kur janë pyetur “Çka dini për Hasan Prishtinën” 73 për qind kanë dhënë përgjigje të përgjithshme, duke thënë se  ka qenë njëri i fortë, me mustaqe, me flokë të thinjura etj.  Ndërsa, 27 për qind kanë dhënë përgjigje konkrete, duke thënë se Prishtina fillimisht ka qenë ministër i qeverisë, ndërsa në vitin 1921 u zgjodh kryeministër i Shqipërisë.

Ndërkohë, 75 studentët e Teknikut, kur janë pyetur për Getoar Selimin, kanë dhënë përgjigje të njëjtë sikurse për njohjen e Hasan Prishtinës. Por, kur janë pyetur se cili është profesioni i Selimit, 27 për qind e tyre kanë thënë se është këngëtar, ndërsa, 73 për qind e tyre kanë thënë se është reper. 66 prej tyre kanë ditur një refren të këngës së tyre.

Ky sondazh është realizuar nga studentët e vitit të dytë, të nivelit Master, drejtimi “Gazetari dhe kontakte me publikun” në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kuadër të lëndës “Teoritë e komunikimit masiv”, ligjëruar nga prof. Lindita Tahiri, ka nxjerrë rezultate se sa informohen te rinjtë në epokën e informacionit.

Hulumtimi është publikuar në blogun e profesoreshës Tahiri, i emëruar “dil prej Ku je ti”.

Po ashtu, një hulumtim tjetër, me 1044 respodentë, në katër komunat që patën shkuar në balotazh, ka dalë se qytetarët votojnë ende për inati  dhe për të keqen më të vogël.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button