Home / Rajoni / Maqedonia / Osmani: Kryesimi i Bullgarisë me BE-në shans për Maqedoninë

Osmani: Kryesimi i Bullgarisë me BE-në shans për Maqedoninë

 Zëvendëskryeministri i Maqedonisë përgjegjës për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani në Shkup zhvilloi takim joformal me ambasadorin e Republikës së Bullgarisë Ivan Velikov Petkov, me rastin e marrjes së kryesimit të Bashkimit Evropian (BE) nga ana e Bullgarisë, raporton Anadolu.

Në deklaratën për gazetarët, zv/kryeministri Osmani tha se ambasadorit Petkov, në emër të qeverisë i uroi për kryesimin historik me BE-në që filloi më 1 janar, i cili është nder për Republikën e Bullgarisë, por edhe shans për Republikën e Maqedonisë në pjesën e perspektivave evropiane dhe euroatlantike.

“Vet moton që ka zgjedhur Republika e Bullgarisë për kryesimin, e ajo është ‘Të bashkuar jemi më të fuqishëm’, është një porosi simbolike se njëra nga qëllimet ose pikat kyçe të kryesimit të Bullgarisë do të jetë pikërisht zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Osmani.

Ai potencoi se gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për marrëdhënie të mira fqinjësore, u potencua se është gjë e mençur të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët, megjithatë siç tha, është fitore nëse po ato fqinj i ke miq.

“Republika e Bullgarisë është mike, megjithatë edhe mbështetëse e perspektivave euroatlantike të Republikës së Maqedonisë edhe atë në moment shumë të veçantë për ne, për vitin 2018 si një vit historik ku mund të bëjmë një hapërim të rëndësishëm”, shtoi Osmani.

Ai paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të ndodhin gjëra të rëndësishme, duke filluar nga Strategjia e Shkurtit e cila është paralajmëruar për zgjerim, që është e një rëndësie të jashtëzakonshme për ne që të jemi pjesë e po kësaj strategjie, të marrim një nga rekomandimet më të mira për fillimin e negociatave diku në muajin prill.

Osmani shtoi se Maqedonia ka pritje të mëdha edhe për Samitin e majit në Sofje, ku do të “betonohet” perspektiva e Ballkanit Perëndimor për Bashkimin Evropian.

Ambasadori i Republikës së Bullgarisë, Ivan Velikov Petkov publikisht falënderoi zv/kryeministrin Osmani për ftesën dhe për mundësinë që të bisedojnë për proceset e eurointegrimeve të Republikës së Maqedonisë.

“Marrja e kryesimit të BE-së nga ana e Republikës së Bullgarisë zyrtarisht do të ndodh më 11 janar në Sofje. Unë zyrtarisht do t’i prezantojë prioritetet e kryesimit bullgar më 15 janar në Kuvend”, theksoi ambasadori Petkov.

Ndryshe, në fillim të muajit gusht kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov nënshkruan marrëveshjen për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim.

Marrëveshja u nënshkrua në gjuhën bullgare dhe maqedonase në pajtim me kushtetutat e dy vendeve, ndërsa parasheh mbështetje bullgare në përpjekjet euroatlantike të Maqedonisë për hyrje në BE dhe NATO, bashkëpunim në planin bilateral, avancimin e komunikimeve transportuese, lehtësimin e formaliteteve të ndryshme doganore dhe kufitare si dhe lehtësimin e kontakteve mes qytetarëve të Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.